Ekuador, klinikat që “kurojnë” lesbiket dhe homoseksualët
Paola Paredes është një fotografe nga Ekuadori, nga Kuito. Por fotot, të cilave i ka dedikuar jetën e saj, tregojnë pjesërisht përvojën e saj. Atë të një vajze lesbike në vendin e saj. “Until You Change” është projekti fotografik i realizuar në disa nga rreth 200 strukturat që “kurojnë” homoseksualët, lesbiket dhe transgjenderët.
Ato janë ndërtuar në fakt për të kuruar alkoolistët dhe përdoruesit e drogës, por që në të vërtetë, funksionojnë me një vlerë mujore mes 500 dhe 900 euro në muaj për “kurimin” edhe të homoseksualëve. Ajo ka hyrë në një nga këto godina me një mikrofon të fshehur në trup. Atë që ka parë, e ka treguar në një projekt fotografik. Abuzimet, dhuna, deri te “përdhunimet e përsëritura”. Fotot e saj janë bërë pjesë e një mbledhjeje fondesh për të sensibilizuar qytetarët mbi të drejtat e komunitetit LGBT në Ekuador.
Zgjimi
Në orën 06:00 të mëngjesit duhet të vihen në radhë, për të hyrë në banjë. Nëse nuk janë gati, nëse nuk u binden urdhrave, ndëshkohen. Secila mund të qëndrojë e vetme për një maksimum prej 7 minutash, për dushin. Banjat duhet të jenë të pastra dhe të shndritshme, edhe duke përdorur furçë dhëmbësh për pastrimin e tyre. Asnjë fije floku nuk duhet të qëndrojë në tokë. Nëse njëra nga ato nuk i bindet urdhrave, rojet e dërgojnë në tualet dhe e mbajnë aty deri sa ta pastrojë plotësisht.
Ditët
Ditët kalohen duke dëgjuar muzikë fetare dhe terapi për “ç’rregullimin” që këto gra vuajnë. Ose që në të vërtetë që janë lesbike. Shumë prej tyre tregojnë se kanë pësuar dhunë seksuale nga ana e rojeve, si “pjesë e programit të riaftësimit”. Terapistët, thuajse të gjithë meshkuj, i detyrojnë ato të veshin funde të shkurtra, të bëjnë ‘make up’ dhe të ecin me këpucë me taka të larta si “gra të vërteta”.
Heshtja
“Të internuarat” nuk mund të flasin mes tyre. Nëse zbulohen që e bëjnë një gjë të tillë, dërgohen në një dhomë, me muzikë fetare, të detyruara të qëndrojnë në gjunjë, krahë hapur dhe të mbajnë në duar disa libra, duke qëndruar palëvizur.