Ekonomia

Elbasan, qindra biznese të mbyllura nga anti-informaliteti

Në Elbasan qindra biznese kanë ulur qepenat që prej nisjes së aksionit për dhënien fund informalitetit.

Tregtarët, të cilët nuk pranojnë të flasin përpara kamerave, shprehen se e kanë të pamundur të paguajnë detyrimet e larta që u ka vendosur shteti. Ata thonë se janë të detyruar të mbyllin dyqanet nga frika e gjobave apo e sekuestrimit të mallit, ndërsa ata më të guximshmit përpiqen të punojnë në orët e pasdites.

Një pjesë tjetër e bizneseve qëndrojnë të mbyllura deri në përfundimin e procedurave të regjistrimit dhe të pajisjes me kasë fiskale.

Drejtori i Drejtorisë së Tatimeve në Elbasan, njëkohësisht zv/drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve, u shpreh se Elbasani është një nga rrethet që ka reaguar më mirë ndaj këtij aksioni.

“Ka një rënie drastike të numrit të penaliteteve që ne kemi vendosur, që tregon se gjërat kanë ndryshuar. Nëse do flisnim me shifra gjarë aksionit ne kemi ushtruar rreth 3400 kontrolle, rreth 3400 akte konstatime, janë vendosur 305 gjoba, 72 konfiskime të bizneseve që kanë qenë të papajisura me dokumentacion ose kanë patur mall të pajustifikuar nga pikëpamja tatimore dhe ka edhe rreth 20 propozime për ndryshime të përgjegjësive tatimore”, thotë Flobenc Dilaveri, kreu i Tatimeve në Elbasan.

Ditët e fundit pranë degës së Tatim Taksave ka pasur edhe protesta të tregtarëve të cilët pretendojnë të trajtohen si ambulantë. Në lidhje me këto pretendime Dilaveri u shpreh:

“Kanë qenë njerëz që kanë deklaruar se nuk duan të pajisen me asnjë lloj dokumentacioni. Që nga ky moment zyra ku ata duhet të paraqiten nuk është më zyra rajonale e tatimeve, por një zyrë që ata duhet ta zgjedhin vetë se ku duhet të shkojnë për të dhënë që ne nuk duam të pajisemi me asnjë dokument, të asnjë forme”, deklaroi Dilaveri.

Në rrethin e Elbasanit janë rreth 7 mijë biznese që ushtrojnë aktivitetin e tyre. Sipas informacioneve nga zyra e tatim taksave informaliteti luhatet në shifrat 30-50 përqind.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button