Email-et për CEZ-in: “7 mln euro u nxorën me çanta jashtë vendit”
Sekseri për privatizimin e CEZ, Nuel Kalaj është larguar jashtë vendit.
Ai nuk i është përgjigjur as për herë të dytë kërkesës së Komisionit Hetimor për të dëshmuar.
Taulant Balla, Kryetari i Komisionit Parlamentar Hetimor për CEZ i bën kërkesë Policisë për ta shoqëruar forcërisht.
Balla ngre dyshimet se 7 milionë euro u nxorën jashtë vendit me çanta.
Nga ana tjetër, Balla ka paraqitur disa mesazhe elektronike të shkëmbyera mes Kalajt dhe çekëve në Shqipëri dhe në Pragë.
“Këto email-e duhen përkthyer pasi përmes tyre mund të hedhim dritë mbi disa ngjarje. Është me rëndësi që asnjë parti politike të mos e marrë në mbrojtje dëshmitarin”, ka thënë Balla.
Balla ka cituar një nga email-et në fjalë, i cili sipas tij tregon se si kompania çeke u favorizua duke lehtësuar kriteret përzgjedhëse.
“Në mënyrë të çuditshme, borxhi i keq për CEZ ndryshoi nga 4 në 14 për qind, në dëm të shtetit shqiptar”, ka thënë Balla.
Ai ka shtuar se, në këtë email citohen edhe kryeministri i atëhershëm Sali Berisha dhe djali i tij Shkëlzen Berisha.
“Berisha është larguar nga Shqipëria më 28 janar dhe ne do të vërtetojmë nëse është larguar me të vërtetë”, ka vijuar Balla.
Ai ka shtuar se, do të bëhen kontrolle edhe për transfertat bankare të bëra mes CEZ dhe sekserit Kalaj, si dhe lëvizjet e tij përmes mbikëqyrjes së sistemit TIMS.
“Për të verifikuar nëse paratë e tërhequra kanë mbetur në Shqipëri apo janë nxjerrë jashtë me çanta”, ka shtuar Balla.
Ridvan Bode, deputet i opozitës në këtë komision, i ka bërë thirrje kryetarit Balla që të mos dalë në përfundime të parakohshme, pa dëgjuar më parë dëshmitë e personave të përfshirë në këtë çështje.
Bode ka theksuar se, në këtë komision duhet të thirren për të dëshmuar jo vetëm sekseri, por edhe drejtues të kompanisë CEZ.
“Keni bërë hero një personazh, Nuel Kalaj, dhe po flisni në të gjitha televizionet për të, por s’po e sillni dot për të deponuar. Le të marrim edhe drejtorin e CEZ këtu e të thotë përse i ka dërguar këto para. Nuk mund të supozojmë ne se Haçeku ia ka dhënë Nuel Kalajt këto para për këtë apo për atë arsye. Thirreni këtu të deponojë”, ka thënë Bode.
Akuzave të Ballës për ndryshimin e nivelit të borxhit të keq, Bode i është përgjigjur duke thënë se, sot borxhi i keq i kompanisë ka arritur në 25 për qind, kuotë shumë më e lartë kjo nga niveli i mëparshëm, që sipas Bodes nuk ishte mbi 10 për qind e jo 14 për qind sikurse tha Balla.