Embargoja ruse, Panariti: Asgjë e re. Kjo nuk e pengoi bujqësinë të dyfishojë eksportin e fruta-perimeve
Vjen reagimi i Ministrisë së Bujqësisë në lidhje me embargon ruse për produktet ushqimore nga Shqipëria. Ministri Panariti tha se “Shqipëria ka një vit që ndodhet nën embargon ruse”, por kësaj radhe kjo gjë cilësohet si “bllokim politik”.
“Embargoja nuk e ka penguar bujqësinë të dyfishojë eksportet e fruta-perimeve”, tha Panariti.
Rusia konfirmoi të enjten zgjerimin e listës së vendeve të sanksionuara prej saj për shkak të qëndrimit pro-perëndimor të tyre në lidhje me çështjen e Ukrainës.
Ka qenë vetë kryeministri Dmitry Medvedev që ka deklaruar se, embargoja ndaj importit të ushqimeve do të aplikohet tashmë edhe ndaj Shqipërisë, Malit të Zi, Islandës dhe Lihtenshtejnit.
“Përfshirja e këtyre vendeve në listën e sanksioneve është një lëvizje e vetëdijshme, që do të thotë një kundërmasë nga ana jonë ndaj atyre që na kanë vendosur sanksione”, ka thënë Medvedev në mbledhjen e kabinetit qeveritar.