Ëndrra e Musk për t’i zhvendosur qendrat e të dhënave në hapësirë përballet me një pengesë të madhe
Planet ambicioze të Elon Musk për të ndërtuar qendra të të dhënave në hapësirë po përballen me një sfidë të re, e cila nuk lidhet vetëm me teknologjinë apo transportimin e pajisjeve në orbitë, por edhe me financimin e tyre.
Kompanitë që ndërtojnë qendra të të dhënave zakonisht marrin kredi për blerjen e çipave të avancuar, të cilët përdoren si garanci për huatë.
Në rast se kompania nuk arrin të shlyejë borxhin, kreditorët mund t’i marrin çipat dhe t’i rishesin.
Megjithatë, kjo praktikë bëhet pothuajse e pamundur kur pajisjet ndodhen në satelitë që orbitojnë qindra kilometra mbi Tokë.
Raportohet se institucionet financiare të përfshira në një marrëveshje financimi prej 40 miliardë dollarësh për çipat e SpaceX kanë kërkuar që pajisjet e blera të mos përdoren për projektet e qendrave të të dhënave në orbitë.
Ende nuk dihet nëse SpaceX e ka pranuar këtë kusht.
Elon Musk ka deklaruar më herët se hapësira mund të bëhet vendi më i lirë për funksionimin e qendrave të të dhënave brenda dy deri në tre vjetësh.
Megjithatë, realizimi i këtij vizioni varet në masë të madhe nga zhvillimi i raketës Starship, e cila duhet të bëhet plotësisht e ripërdorshme për të ulur kostot e transportit në hapësirë.
Edhe nëse kjo teknologji arrin të funksionojë sipas planeve, SpaceX do të përballet me kosto të konsiderueshme për sigurimin e çipave të Al.
Ndërkohë, Google po zhvillon projektin Suncatcher, që synon vendosjen e çipave të vet TPU në hapësirë, ndërsa SpaceX dhe Tesla po punojnë për ndërtimin e fabrikës së tyre të gjysmëpërçuesve, të quajtur Terafab.
Megjithatë, ky projekt ende nuk ka nisur ndërtimin dhe do të kërkojë vite pune e miliarda dollarë investime.
Për momentin, sfida kryesore mbetet ekonomike: si të financohen pajisjet e shtrenjta të Al që, pasi të dërgohen në orbitë, nuk mund të rikthehen lehtësisht në Tokë. /Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.