Kosova
Engel, i shqetësuar me “taktikat” e administratës Trump në Kosovë
March 28, 2020
0 1 minute read
Eliot Engel, kryetar i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, tha se është “thellësisht i shqetësuar me taktikat e administratës (së presidentit të SHBA-së, Donald) Trump me Prishtinën” dhe shtoi se “SHBA-ja i ka kontribuar krizës në Kosovë”.
Engel tha se presioni mbi Kosovën, për shkak të taksës 100 përqind që u ka vënë importeve serbe, nuk është i balancuar, dhe se SHBA-ja duhet të vendosë sanksione ndaj Serbisë për lidhjet e saj të sigurisë me Rusinë.
“Departamenti amerikan i Shtetit ka kohë që i bën thirrje Kosovës të heqë taksën ndaj Serbisë. Por, kjo administratë ka vendosur ndëshkime ekonomike vetëm disa javë pas formimit të Qeverisë së (Albin) Kurtit. Në vend se ta linte qeverinë e re të merrej me pandeminë (e koronavirusit), me agjencitë dhe të niste procedura të brendshme, SHBA-ja ka kontribuar në krizën politike në Prishtinë, për shkak të taksës ndaj Serbisë”, thuhet në deklaratën e Eliot Engelit.
Ai shtoi se ka arsye të mira për Kosovën që ta heqë taksën, sepse, sipas tij, ajo i shkakton Kosovës më shumë dëm, sesa që ndikon në arritjen e marrëveshjes së paqes me Serbinë. Por, tha Enegel, pa marrë parasysh këtë, taksat janë mjet legjitim i një kombi sovran.
“Si të tilla, presidenti Trump u ka vënë miqve dhe armiqve në gjithë botën, për arsye ekonomike dhe politike”, tha Engel.
Sipas tij, SHBA-ja, në vend se të përdorte taktikat mbizotëruese, është dashur të punojë me Qeverinë tani në detyrë të Kosovës, për të përmirësuar politikat që promovojnë prosperitetin dhe paqen e qëndrueshme. Sipas tij, kur një demokraci e vogël “detyrohet me dhunë” të bëjë diçka, ajo është “vepër maltretimi dhe jo vepër e partnerit të pjekur”.