Entuziazmi i mirë i ambasadorit Lu
Nga Monika Shoshori Stafa
Njerëzit sot janë të vetëdijshëm për marrëdhëniet mes politikës dhe korrupsionit. Një nga pikat më të dëmshme të këtij fenomeni të kudopranishëm është se ai monopolizon dhe cakton deri kushtet e debatit politik, duke dobësuar institucionet si Parlamenti apo dhe vetë Qeveria, të cilat janë “shpikur” ta përqendrojnë vëmendjen e tyre në zgjidhjen e problemeve nga më pak të rëndësishmet të një vendi tek ato më të vështirat.
Përballë kësaj situate, politika është ajo që bllokon më shumë zgjidhjen e tyre. Marrëveshjet kthehen në afera të paqëndrueshme, vendi ndahet në dy forca të vetme e të kundërta politike, të cilat duken sikur çjerrin njëra-tjetrën, duke mos lënë radhë e hapësirë për frymëmarrje të tjera qoftë dhe apolitike. Shoqëria shqiptare, një shoqëri e vogël në numër, ndahet në ata që janë të zemëruar dhe kërkojnë një alternativë radikale dhe ata të cilët ndihen të frikësuar nga ajo që ata me të drejtë e konsiderojnë të jetë një kërcënim për interesat e tyre, apo gjoja prioritet për të sulmuar rivalët, duke u përpjekur të na bindin se ata janë duke luftuar korrupsionin. Por a po e luftojnë ata vërtet korrupsionin? Në këtë pikë, korrupsioni dhe reputacioni i keq i deritanishëm i klasës politike shqiptare ka rezultuar jo vetëm në shifrat e sondazhit të zhvilluar nga USAID-i me gjykatësit e publikuar nga ambasada amerikane, por madje ai perceptohet edhe si një mallkim nga shqiptarët gjatë këtyre 25 viteve, duke e parë si një pengesë për rimëkëmbjen ekonomike të vendit. “Në sistemin tuaj të drejtësisë, disa persona duhet të pushohen nga puna për korrupsion dhe disa të tjerë të çohen në burg”, u shpreh në fjalën e tij ambasadori amerikan, lidhur me gjendjen e korrupsionit në gjykata, por jo vetëm kaq. Ai e tejkaloi të mëparshmin ambasador amerikan, John Withers, shtatë vite më parë, të njohur për ndjeshmërinë e tij ndaj shqiptarëve, duke shkuar më larg se idealet për lirinë dhe shtetin e së drejtës, kumtet e tij të patjetërsueshme. Pikërisht ndryshe nga ky lloj ambasadori i zhveshur gjithmonë nga kredencialet e tij, kur trumbetonte se profesionet mund të vendosin rregull brenda vetes dhe janë ato që mund të ndihmojnë në eliminimin e korrupsionit brenda radhëve të veta, Donald Lu, më i drejtpërdrejtë se kurrë, cilëson profesionin saktësisht të gjyqtarit, duke na treguar ne të zotëve të shtëpisë, se në çfarë katrahure gjendemi. Tani, don të thotë ai, nuk do të ketë më sistem që do të prodhojë korrupsionin, sepse sistemin si thoshte Withers, e bëjnë ligjet dhe reformat në to, si ndodhi p.sh. me ndryshimin e ligjit për imunitetin, i cili mbronte deri dje zyrtarët e lartë në gjykata, në Parlament dhe në poste të tjera nga procedimi. Ata duhet të mbajnë po aq përgjegjësi ligjërisht sa çdo qytetar shqiptar, sepse askush nuk duhet të ketë imunitet nga procedimi për akte të jashtëligjshme. Sipas kësaj, del se ata që justifikojnë shkallën e lartë të korrupsionit në Shqipëri me karakterin e sistemit, gabojnë.
Të pamësuar me përkohshmërinë, shqiptarët kanë afro dy dekada që rrotullohen në boshllëk dhe zgjatin tranzicionin e tyre. Asnjëherë nuk është analizuar procesi i krijimit të ndërgjegjes rentiere te shqiptarët, pas të cilit erdhën shoqëritë rentiere, që edukuan në kuptimin e plotë të fjalës vetëdijen se korrupsioni është një mënyrë kolektive të fituari. Dëshira e qeverisësve për ta mbajtur pushtetin me çdo formë, përbuzja e punës, paraja e lehtë dhe e pamerituar, fitimi i shpejtë pa investim, çshenjtëruan çfarë ka të shenjtë sistemi i ri: punën dhe pronën. E vërteta është e rëndë, por shqiptimi i saj ta lehtëson luftën për ta mjekuar sistemin, pasi e ke diagnostikuar atë. Ka 25 vjet që në Shqipëri, e drejta e pronësisë mbi tokën është zgjidhur me ligjin më barazitist që mund të bëhet. Sipas ligjit 7501, toka ndahet për frymë. Ky ligj ka pushkatuar institucionin e trashëgimit, që është një prej shtyllave të një shoqërie kapitaliste. Toka nuk trashëgohet sipas së drejtës, por ndahet në mënyrë bolshevike, sipas parimit të Leninit për reformën agrare. Madje mund të thuhet se juridikisht, reforma agrare e vitit 1945 ka qenë më kapitaliste se ligji 7501. Çfarë demokracie politike dhe shoqërie të konkurrencës mund të pritet të ndërtojnë shqiptarët, kur pasuria kryesore e tyre është ndarë në mënyrë bolshevike? Dhe pse ankohen shqiptarët se institucionet nuk po dekomunistizohen? Si mund të ndodhë kjo, kur ka një kompromis të përgjithshëm të të tëra palëve (asnjëra prej tyre nuk ka provuar ta prekë ligjin për tokën) për padrejtësinë më të pafalshme të një shoqërie kapitaliste? Ky ligj prodhon korrupsionin dhe e prodhon përditë e në mënyrë perfekte. E ç’ka për t’u habitur që gjykatat janë më të korruptuarat, sipas anketimit, përderisa ligji e mbjell korrupsionin dhe ajo vetëm e mbledh? Po, sa kohë që nuk ka vullnet për drejtësi ekonomike, jo për një drejtësi të realizuar, por të paktën të premtuar, të kodifikuar, të shprehur në akte ligjore, askush nuk mund të thotë: Jo, sistemi s’ka faj! Sistemi s’ka faj, nëse ligji nuk ndërtohet në mënyrë të atillë që të prodhojë korrupsion, krim dhe vetëshkatërrim. Një shoqëri që e ndan edhe tokën për frymë ndërton vdekjen e vet, sepse vetëm para varrit të gjithë janë të barabartë për dy metra vend.
Shqipëria është i vetmi vend në botë që ka një ligj të posaçëm për legalizimin. Vetë ky term do të thotë t’i japësh status legal atij që është i paligjshëm. Askush nuk është luajtur mendsh të kërkojë që rreth një gjysmë milion shqiptarë të ardhur nga viset veriore apo jugore të dëbohen prej vendngulimeve të reja. Por ta nisësh zgjidhjen e problemit të pronës, duke legalizuar atë që ka zaptuar trojet e tjetrit, duke legalizuar pronarin më të ri, duke mos parashikuar kurrfarë përgjegjësie ndaj atij që ishte pronar atje, gjysh pas gjyshi, kjo do të thotë që të hartosh dhe miratosh ligje apostafat për të prodhuar korrupsion. Si mund të mos ketë korrupsion kur ligji legjitimon të paligjshmin?
Demokracia nuk krijon njerëz të korruptuar, por njerëzit e korruptuar janë ata që e korruptojnë demokracinë, e pas kësaj korrupsioni kthehet në një problem strukturor e sistemik. Absceset e shumta që lindin në këtë lloj sistemi fillojnë dhe e gangrenizojnë atë. Vullnetplotë kjo luftë ndaj tij nëse jemi po aq në drejtimin e duhur, mbetet beteja jonë e llogores së parë. Shqiptarët e urrejnë faktin që një pakicë njerëzish të korruptuar prishin sistemin në tërësi. Korrupsioni nuk mund të jetë një simptomë e kulturës shqiptare, kështu kish dëshirë të besonte amerikani Withers, pavarësisht se nuk e dimë ende në ishte i bindur vërtet në atë që thoshte, apo donte të inkurajonte shqiptarët e sapoanëtarësuar në NATO atë maj të 2009-s. Vërtet korrupsionin nuk e lind vetë sistemi, sido që në një shoqëri ku miti i vetëm është paraja nuk mund të pritet që sistemi vetë t’i mbrojë njerëzit nga joshja prej parasë së lehtë e nga ngasja e përfitimit të pamerituar. Vetë ideja e përkohshmërisë dhe e rotacionit të pushtetit nxit te një shumicë, dhe jo një pakicë njerëzish individualistë, që shesin funksionin, detyrën, kompetencën, votën, gjithçka, për t’u bërë të pasur. Sepse lufta kundër korrupsionit është e mundur vetëm në kontekstin më të gjerë të rilindjes politike dhe institucionale të një vendi. Ndaj frika ndaj votës së bardhë të atyre që kërkojnë rilindjen e vërtetë e që mendojnë se partive politike u mungon plotësisht vullneti politik për ta kryer atë, është thirrja që u vjen si mbështetje nga ambasadori amerikan, kredencialet e të cilit deklarojnë qëllimin e tyre për të shkundur votën, sepse në këtë vend po që sigurisht ka mundësi t’ia dilet. Entuziazmi i zotit ambasador, edhe kësaj radhe, është i mirë, por mbetet ende një dëshirë, një bindje që vjen prej prekjes së dhimbjes së realitetit. Korrupsioni nuk bëhet vetëm. Korrupsion bëhet vetëm në bashkëpunim. Kur bashkëpunimin në korrupsion e prodhojnë ligjet dhe e mbrojnë po ato, atëherë asnjë gjyqtar asesi nuk mund të pushohet nga puna dhe jo më të çohet në burg, të paktën deri në fund të mandatit të kredencialeve tuaja, zoti Ambasador.
NJE ARTIKULL ME VLERA TE MEDHA , AUTORIA SHPREHET QARTE ; GJYQETARET IMMORAL JANE ATA QE I ” SERVIRIN SHOQERISE LIGJE QE SHKRUHEN NGA GRABITES TE PRONES DHE QE NATYRISHT ,JANE PIKERISHT KETA SHKRUES TE LIGJIT HAJDUTET ME TE MEDHENJE TE PRONES , SHKURT DUHEN NJEREZ ME MORAL TE PASTER DHE TE FUQISHEM QE TE KRIJOJNE LIGJIN ME MORAL NJEREZOR , KJO NUK HARRIET ME DEKLARATA POR ME “DHUNEN ” QE PRONARET DUHET TE MBROJNE TE DREJTAT E TYRE NJEREZORE .PRONARET NUK DUHET TE HESHTIN , ATA NUK DUHET TI NENSHTROHEN. ” HAJDUTEVE. TE KORRUPTUAR .