roze

Era Istrefi promovon Shqipërinë, por edhe Brezovicën

“Jam lindur dhe rritur në Prishtinë, qytetin më të këndshëm në Kosovë, sikurse edhe kryeqytet. E dua Prishtinën, sepse është vendi ku tashmë mund të jetojmë të lirë”.

Kështu është shprehur këngëtarja e mirënjohur kosovare, Era Istrefi, për revistën britanike “Wanderlust Travel Magazine”, ku ka promovuar edhe Brezovicën dhe bregdetin shqiptar.

“Njerëzit atje janë shumë mikpritës dhe miqësorë. Ndoshta mund të mos duken të tillë në përshtypjen e parë, kjo sepse ne nuk qeshim shumë. Mund të dukemi sikur jemi të vrazhdë, por nuk është kështu. Jemi shumë dashamirës dhe miqësorë. Betohem që kjo është e vërtetë”, vijon më tej këngëtarja e hitit “BonBon”.

Për këtë ajo ka përmendur edhe shprehjen e Abraham Lincoln, kur thotë “Nuk e njoh mirë këtë person, ndaj dhe duhet ta njoh më mirë atë”. Pikërisht këtë gjë kërkon edhe për prishtinasit: Duhet vetëm t’i njihni më mirë ata, këshillon Istrefi.

Më tej ajo rrëfehet se njerëzit në Prishtinë kanë shumë shije në preferencat muzikore. Sipas saj, kryeqytetasit kosovarë dëgjojnë muzikën e shumë yjeve të mëdhenj, duke nisur nga Beyonce, Rihanna, Eminem, por edhe muzikë “underground”, rrymat elektronike dhe shumë më shumë “hip hop”-in.

Nga Prishtina ajo veçon një restorant të njohur, për të cilin thotë se ka rënë “në dashuri”. Aty gatuhet ushqim tradicional dhe thotë se, këdo që ka dërguar atje nga shtetet ku ka shkuar e që nuk janë shqiptarë, ka mbetur i mahnitur nga ushqimi. “Ata nuk kanë një meny të gjatë, por është tepër e sigurtë dhe e shëndetshme të hash çdo gjë që gjen atje”.

Ku e kalon ajo kohën e lirë? Preferenca kryesore është natyra. Nëse dikush do ta pyeste se ku do të dëshironte të jetonte përjetësisht, ajo thotë se do të zgjidhte natyrën e për këtë, s’ka më mirë sesa Shqipëria. Natyra shqiptare është e mrekullueshme dhe e gjithanshme. “Në Shqipëri e Kosovë mund të gjesh male të larta, ku ajri i freskët të mbush mushkëritë dhe të shton jetën. Ka vende shumë të bukura dhe ujëvara për më tepër”.

Për ata që preferojnë hiking, ajo shprehet se do t’u sugjeronte Brezovicën, një kompleks turistik në malet me të njëjtin emër në Kosovë, por një alternativë janë edhe malet e Rugovës. Aty mund të eksplorosh natyrën, ndërsa moti premton shumë. Një shëtitje në natyrë, ajo e konsideron si tepër frymëzuese, të mbush me besim dhe të shton krijimtarinë, sepse siç shprehet, “mendja të prodhon më shumë kur është e lirë dhe në një natyrë me bukuri të rralla”.

Në rajon ajo veçon edhe Shkupin, por edhe Malin e Zi. Në këtë të fundit flet për detin pranë vendit të quajtur Orjen, ku ka plazhe të mrekullueshme. Por nëse do t’i duhej të fliste për bregdet dhe bukuritë përrallore që të ofron një natyrë e tillë, ajo sigurisht që do të rekomandonte Detin Jon dhe bregdetin shqiptar. “Do t’ia rekomandoja kujtdo, sepse ka pamje të jashtëzakonshme. Atje bashkohet deti me male të larta dhe mund të shijosh qoftë turizëm detar edhe turizëm malor”.

Sa i përket punës së saj, ajo rrëfen se po punon shumë tashmë në Shtetet e Bashkuara, ku ka mundur të vizitojë Nju Jorkun dhe Los Angeles, teksa në këtë të fundit flet me lëvdata jo vetëm për qetësinë, por edhe për të bërin “shopping”. Për ushqimin thotë se, në Amerikë nuk të ofrohen thjesht dy kokrra vezë, por eksperimente gatimi me vezët, sidomos kur shërbimi i tyre shoqërohet me avokado dhe shumë perime të tjera. Një ushqim tepër i shëndetshëm.

Një ndër gjërat që preferon më shumë është edhe udhëtimi, por edhe gjumi. Qyteti i saj i preferuar në botë mbetet Londra, aty ku thotë se nuk është ankuar kurrë për motin, sepse mendon se është një ndër vendet e pakta në botë ku edhe kur bie shi, atmosfera është tepër e gëzueshme. Por Parisin nuk mund të lihet mënjanë. “Mendoja dhe prisja që Parisi të ishte një qytet shumë i bukur, por mësova se një qytet nuk përbëhet vetëm nga struktura apo ndërtesat. Janë njerëzit që e bëjnë Parisin më të bukur dhe me shije të lartë kulturore, artistike, por edhe me ushqim e veshje të veçanta. Megjithatë për mua Londra mbetet më e bukur”, shprehet Era Istrefi.

Dhe e fundit, Era Istrefit i pëlqen edhe bota e egër. “Kam shkuar në Zvicër njëherë, ku vizitova një kopsht zoologjik në Bazel. Ai është më i vjetri dhe më i madhi në Zvicër. Është e mrekullueshme të shohësh kafshët atje, por nga ana tjetër është edhe e dhimbshme për mua, sepse kam parë disa majmunë dhe dukeshin shumë të parehatshëm të mbyllur në kafaze. Njëri prej tyre ishte gati duke qarë, por më pëlqeu teksa shihja një tigër, i cili dukej shumë i frikshëm. Ishte një eksperiencë që nuk do ta harroj”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button