Erdogan: Izraeli tejkalon Hitlerin
Kryeministri i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, ka kritikuar ashpër ofensivën e Izraelit në Gaza, duke e krahasuar atë me mizoritë e kryera nga Adolf Hitleri gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Duke folur në një miting në qytetin Ordu të shtunën Erdogan tha: “Izraelitet mallkojnë Hitlerin dhe natën e Holokaustit, por tani shteti terrorist i Izraelit ka tejkaluar Hitlerin me mizoritë e saj në Gaza. Izraeli ka për qëllim që të thyej unitetin e palestinezëve, zemërimi i Turqisë është kundër shtypësit Izraelit, jo popullit hebre”, shtoi Erdogan.
Erdogan kritikoi fuqishëm anëtaren e parlamentit izraelit Ayelet Shaked, e cila kohët e fundit tha se gjaku i të gjithë palestinezëve duhet të jetë në duart e tyre dhe se nënat palestineze duhet të vriten.
Ai tha se njerëz të tillë nuk janë as qenie njerëzore.
Erdogan vazhdoi: “Tani izraelitët janë të veshur me një imazh të një gruaje shtatzënë myslimane me parullën ‘ Vrasim dy me një të shtënë’,i cili tregon urrejtjen dhe racizmin që këta njerëz kanë në mendjet e tyre. Turqia nuk do të heshtë në mizori të vazhdueshme, sepse një shtet i madh nuk do të qëndrojë i heshtur dhe i paprekur, por ndërmjetëson dhe përpiqet për paqe”, citohet të ketë thënë Erdogan.
Së paku 358 vetë janë vrarë dhe rreth 2600 janë plagosur në sulmet e pamëshirshme izraelite në Rripin e Gazës, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë.