Erdoğan në Mal të Zi: Turqia ka përgjegjësi historike ndaj Ballkanit
Erdoğan shprehu kënaqësinë për vizitën e parë zyrtare në Mal të Zi, duke falënderuar presidentin Milo Gjukanoviç për mikpritjen e tij, i cili i bëri një pritje solemne në Cetinje.
Erdoğan shprehu kënaqësinë për vizitën e parë zyrtare në Mal të Zi, duke falënderuar presidentin Milo Gjukanoviç për mikpritjen e tij, i cili i bëri një pritje solemne në Cetinje.
Presidenti turk kujtoi se në qershor në Antalya, ai priti presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviç në kuadër të Forumit Diplomatik dhe Samitit të liderëve të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore.
Duke kujtuar se miqësia midis Malit të Zi dhe Turqisë daton shumë larg, ai vuri në dukje rëndësinë e miqësisë midis sulltanit osman Abdulhamid II dhe mbretit Nikolla dhe ambasadës historike të shtetit osman në Cetinje dhe emërimit të ambasadorit të parë malazez në Perandorinë Osmane.
Erdoğan tha se Turqia ishte ndër vendet e para që njohu pavarësinë e Malit të Zi dhe se të dy vendet treguan solidaritet të ndërsjellë gjatë pandemisë së koronavirusit.
“Ndihma që i dërguam Malit të Zi në formën e pajisjeve dhe materialeve mjekësore gjatë pandemisë dhe bashkëpunimi i Malit të Zi gjatë evakuimit të qytetarëve tanë në Turqi, janë një konfirmim i miqësisë sonë”, tha Erdoğan.
Ai vuri në dukje se në takimin e sotëm me Gjukanoviçin u konfirmua vullneti për të vazhduar forcimin e bashkëpunimit midis Turqisë dhe Malit të Zi, të cilët kanë një potencial serioz për zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik dhe vëllimin e shkëmbimit tregtar.
“Turqia është ndër dhjetë investitorët më të mëdhenj në Mal të Zi. Deri më tani, TIKA ka realizuar 399 projekte dhe aktivitete në Mal të Zi në vlerë më shumë se 20 milionë euro. Nëpërmjet Qendrës Kulturore Turke ‘Yunus Emre’ në Podgoricë kaluan 1.686 pjesëmarrës në kurset e gjuhës turke dhe më shumë se 450 studentë nga Mali i Zi shfrytëzuan bursën shtetërore turke”, tha Erdoğan.
Presidenti i Turqisë kujtoi se ata gjithashtu diskutuan për çështje të tjera në lidhje me Ballkanin dhe lëvizjet ndërkombëtare.
“Turqia dhe Mali i Zi, si pjesë të rëndësishme të Ballkanit dhe Evropës, po japin një kontribut serioz për paqen dhe stabilitetin. Mali i Zi, i cili bashkon grupe të ndryshme etnike dhe fetare, është një shembull i rëndësishëm i të jetuarit së bashku. Ne vlerësojmë politikat paqësore të Malit të Zi në rajon, aktivitetet e tij në organizatat ndërkombëtare dhe hapat intensivë drejt anëtarësimit në NATO dhe Bashkimin Evropian. Ne i kemi dhënë mbështetje të fortë anëtarësimit të Malit të Zi në NATO dhe sinqerisht besojmë se anëtarësimi i këtij vendi në BE do të kontribuojë në stabilitetin e të gjithë rajonit”, tha Erdoğan.
I pyetur nga gazetarët në lidhje me vizitën e tij në Bosnjë e Hercegovinë dhe deklaratën e anëtarit të Presidencës së BeH-së, Milorad Dodik se ai më shumë i beson Erdoğan-it sesa Perëndimit, presidenti turk tha se vizitat në BeH dhe Mal të Zi tregojnë përgjegjësinë e Turqisë ndaj rajonit.
“Ne kemi një përgjegjësi dhe detyrim historik këtu. Kjo është arsyeja pse ne vazhdojmë vizitat tona në vendet e Ballkanit dhe kjo është arsyeja pse ne do t’i vazhdojmë ato. Dje isha në BeH dhe bisedova me miqtë tanë atje. Uniteti i tyre është shumë i rëndësishëm për ne. Unë besoj se Bosnjë e Hercegovina mund t’i kapërcejë problemet e saj në unitet dhe bashkim”, theksoi Erdoğan.