Ekonomia

ERE: 10 hidrocentralet e reja në ndërtim, shtojnë kapacitetin prodhues me 31%

Energjia dhe sidomos prodhimi i saj nga uji është sektori që po zhvillohet vrullshëm vitet e fundit. Përveç 140 HEC-eve të vogla të ndërtuara nga privatët që tashmë janë në proces prodhimi është dhënë leja dhe po ndërtohen edhe 10 HEC-e private me kapacitete më të mëdha se 2 MW.

Sipas të dhënave nga Enti Rregullator i Energjisë janë gjithsej 10 HEC-e me kapacitet të përgjithshëm 458 MW që do të rrisin prodhimin e energjisë në total me 31 për qind.

Ndër këto projekte, më i madhi është ai i Moglicës me 171 MW fuqi, i cili është në proces ndërtimi. Projekte të tjera të mëdha në sektor janë ndërtimi i HEC-it të Fangut në me 72 MW në zonën e Mirditës, HEC i Stavecit me fuqi 20 MW, HEC Qarrishtë me 37 MW, HEC Gostime me 21 MW.

Në listë është përfshirë edhe HEC Kalivaçi, me 100 MW kapacitet, por projekti ka mbetur në fillimin e punimeve për shkak të një konflikti gjyqësor ndërmjet qeverisë shqiptarë dhe investitorit të HEC-it, Francesko Becchetti.

38 objekte të vogla të prodhimit të energjisë elektrike nga uji nisën prodhimin gjatë vitit të kaluar. Sipas të dhënave nga Enti Rregullator i Energjisë, numri i HEC-eve private arriti në 138 nga 100 të tilla që ishin në vitin 2015.

Shumë kompani që më parë ishin të fokusuara në ndërtim dhe tregti po diversifikohen në HEC-e. Tregu i energjisë së rinovueshme është i garantuar dhe kostot e prodhimit, pas përfundimit të investimit, janë të lira.

Bashkë me shtimin e numrit të HEC-eve të vogla është rritur edhe prodhimi i energjisë nga këto objekte. Sipas të dhënave nga Enti Rregullator i Energjisë, prodhimi vendas, vitin e kaluar, shënoi 7,136,351 MW/h, nga të cilat 5,091,616 MW/h u prodhuan nga HEC në pronësi të KESH dhe 2,044,735 MW/h u prodhuan nga HEC-et private dhe ato me koncesion, duke zënë 28% të totalit të prodhimit vendas të energjisë.

Në listën e 10 HEC-eve të reja ERE ka përfshirë kapacitetin shtesë prodhues të propozuar, i planifikuar apo në fazë ndërtimi. Në këtë listë janë vetëm ato centrale të cilat janë parashikuar të lidhen në rrjetin e transmetimit (janë në fazë ndërtimi apo kanë marrë miratimin paraprak për lidhjen me rrjetin e transmetimit), si më poshtë:

  1. Kaskada e Lumit Devoll, (Moglica 171 MW)
  2. HEC Kalivaç, 100 MW
  3. HEC Fang, 72 MW
  4. HEC Gostime, 21.5 MW
  5. HEC HEC Qarishte, 37 MW
  6. HEC Lumzi, 11 MW
  7. HEC Kalivare, 5 MW
  8. HEC Stavec, 20.77 MW
  9. HEC Topojan, 10.2 MW
  10. HEC Darsi, 11 MW

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button