Ekonomia

ERE kërkesë Kuvendit: Amendoni ligjin, na është cenuar pavarësia

Enti Rregullator i Energjisë i është drejtuar Kuvendit me një kërkesë për amendime ligjore që synojnë rritjen e pavarësisë së institucionit dhe rritjen e kapaciteteve profesionale.

“Domosdoshmëria e rishikimit nga Parlamenti për statusin  dhe pavarësinë e ERE-s. Për respektimin e direktivës së BE lidhur me një Ent Rregullator të Pavarur është e nevojshme dhe e domosdoshme miratimi nga Kuvendi i dy amendimeve, të cilat do të ndikonin në punën tonë në mënyrë cilësore”,- cilëson ERE në kërkesën ndaj Kuvendit.

Të dy këto amendime janë paraqitur nga një grup deputetësh të të gjithë krahëve politikë, që në muajin prill të vitit 2015, janë diskutuar në Komisionet Parlamentare, janë diskutuar në seancë parlamentare, dhe mbetet vetëm për t’u votuar në Parlament.

“Këtë e kërkojmë sepse miratimi i këtyre dy amendimeve nga Kuvendi përmbush një nga kushtet kryesore  të implementimit të Paketës së Tretë të Energjisë, “Për një Pavarësi Funksionale dhe Financiare të Entit Rregullator të Energjisë”, argumenton ERE.

Enti Rregullator i Energjisë nuk financohet nga buxheti i shtetit, por nga tarifat e rregullimit që merr nga kompanitë e rregulluara, kjo e bën atë më fleksibël në punën e tij, të veçantë në lidhje me institucionet e tjera të pavarura, si dhe shumë specifik dhe me impakt të drejtpërdrejte në ekonomi.

Mosmiratimi i këtyre amendimeve ka penguar në miratimin e strukturës së këtij institucioni, ai vazhdon të funksionojë me strukturën e para 11 viteve, strukturë që i përkiste vetëm sistemit të energjisë elektrike, duke mos pasur asnjë shtesë për Gazin Natyror, shpjegon më tej Enti në kërkesën për Kuvendin.

“Në kushtet aktuale kemi  shtimin në mënyrë intensive të problemeve të Gazit Natyror. Me projektin TAP dhe IAP, jemi vendosur në vështirësi të mëdha në realizimin e detyrave tona, të cilat kërkojnë një zgjidhje të shpejtë dhe profesionale. E kemi të domosdoshme ngritjen e Departamentit të Gazit, por që kemi pengesën kryesore, atë të miratimit të strukturës së këtij institucioni. Mosmiratimi i këtyre dy amendimeve në këtë legjislaturë do të ishte një pengesë e madhe dhe serioze në punën tonë, e cila sa vjen dhe shtohet me ritme të larta” , përfundon ERE në argumentet e saj për ndryshimet.

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button