Ermonela Jaho, kurse falas në TKOB
Sopranoja e njohur shqiptare, Ermonela Jaho, do të jetë në fillim të tetorit në Teatrin e Operës dhe Baletit. Më datat 14-18 tetor, ajo do të jetë pjesë e një paneli që do të drejtojnë një kurs specializimi për të rinjtë e operës bashkë me Angelo Gabriellin, Elda Laron dhe Paolo Andeolin. Projekti synon që të ndihmojë të gjithë artistët ekzistues dhe ata të brezit të ri për t’i drejtuar ata në mënyrë më konkrete, për të krijuar një ide më të qartë sesi duhet të përgatiten përditë teknikisht, për të arritur të shprehin artistikisht vetveten, duke synuar ndërtimin e një karriere të shëndoshë profesionale në Shqipëri dhe mbarë botën. Sipas njoftimit të TKOB, pjesëmarrja në këtë kurs do të jetë falas, por do të ketë një numër të kufizuar pjesëmarrësish deri në 12 (numri i dëgjuesve që do të lejohen është deri në 20). Pjesëmarrësit në Kursin e Specializimit do të përcaktohen në bazë të një audicioni që do të zhvillohet më datë 14 tetor 2015, në orën 12.30 në ambientet e TKOB. Aplikantët duhet të dorëzojnë në zyrat e TKOB ose me email, formularin e aplikimit, CV me fotografi, letër motivuese, CD me një arie të përgatitur jo më larg se 6 muajt e fundit, brenda datës 30 shtator 2015.