Ekonomia

Etika e financave

bbbbb Nga Christine Lagarde, FMN

Tashmë prej kohësh ne kemi vijuar të trajtojmë temën e etikës në sektorin e financës. Qëllimi? Për të rigjallëruar ‘objektivët’ e sektorit financiar, qëllimin e tij dhe një përgjegjësi më të gjerë ndaj shoqërisë. Pas së gjithash, qëllimi i sektorit financiar duhet të jetë jo vetëm të maksimizojë pasurinë e aksionerëve të saj, por të pasurojë shoqërinë, duke mbështetur aktivitetin ekonomik dhe duke krijuar vlerë dhe vende pune – që në fund të fundit të përmirësojë mirëqenien e njerëzve. Sikundër ka vënë në dukje presidenti Dudley, ‘bankat janë të veçanta’, – tregtimi në kohë, kujdestaria e kursimeve, tregtimi i besimit me detyrime ligjore dhe përfitimi i garancisë indirekte të shtetit i bën bankat me të vërtetë shumë të veçanta. Në botën e sotme, industria financiare ushtron pushtet të madh mbi shoqëritë, ekonomitë dhe njerëzit. Me këtë pushtet shoqërohet edhe përgjegjësia për të ruajtur standardet më të larta etike.

Kontekst: Etika, Kultura dhe Sjellja

Megjithatë, ajo që pamë gjatë krizës dhe pasojat e saj ishte tërësisht diçka ndryshe. Sjellja e pamatur u pasua nga episodet e sjelljes së keqe që vijuan edhe pas fillimit të krizës – nga manipulimi i normave të interesit dhe kurseve të këmbimit e deri te shpërdorimi i detyrës dhe dështimet e qeverisjes si Londër Whale. Këto veprime ‘u zgjatë’ deri në strukturën e industrisë financiare. Në proces, pasuria më e vlefshme e industrisë financiare – besimi – u bë viktima e tij më e madhe. Opinioni publik i integritetit të sistemit financiar është ende më i ulëti për një periudhë shumë të gjatë. Sipas një sondazhi të vitit 2014, deri në 45% e njerëzve e vlerësuan reputacionin e përgjithshëm të industrisë si negativ. Industria renditet e treta nga fundi pas qeverisë dhe duhanit. Ky është shkak për shqetësime serioze.

Por, si mund të promovojmë sjellje etike në sektorin e financës? Në mënyrë të qartë, rregullimi dhe një strukturë e fuqishme e qeverisjes janë të rëndësishme. Nëse kuadri rregullator dhe qeverisja ofrojnë stimuj për sjellje të papërshtatshme, edhe qëllimi më i mirë individual do ta ketë të vështirë të promovojë një kulturë etike. Lajmi i mirë është se bashkësia ndërkombëtare miratoi një axhendë të përshtatshme ambicioze globale të reformave financiare – një përpjekje në të cilën FMN-ja është angazhuar në mënyrë aktive. Megjithatë, rregullimi dhe qeverisja janë vetëm dy shtyllat e një kornize që mund të ‘injektojë’ sjelljen etike në sektorin e financës. Individi është shtylla e tretë pa të cilin nuk mund të ketë ekuilibër.

Në punën e tij bazë të metafizikës së moralit, Emmanuel Kant tha se: “Veproni në mënyrë të tillë që ta trajtoni njerëzimin, qoftë personalisht apo jo, asnjëherë thjesht si një mjet drejt qëllimit, por gjithmonë njëkohësisht si një qëllim”. Pra, nëse industria financiare vë njerëzit përpara fitimit, dhe shoqërinë përpara aksionerëve, ne na duhet të shohim një ndryshim në vlerat dhe sjelljen e vetë individëve. Ne kemi nevojë për një kulturë që i vë individët para përgjegjësisë për pasojat e sjelljes së tyre- të mirë dhe të keqe. Dhe se ndryshimi në kulturë duhet të vijë nga brenda. Ai duhet të përcaktohet, të mbështetet dhe inkurajohet përgjatë gjithë organizatës, nga fillimi deri në fund. Me pak fjalë, ‘qëndrimi’ i ri i industrisë financiare duhet të jetë më shumë në përshtatje me qëllimin e tij. Përkundrejt këtij sfondi, dy janë çështjet kryesore: Së pari, roli i përgjegjshmërisë individuale në ndryshimin e kulturës dhe sjelljen në industrinë e shërbimeve financiare, duke sjellë një ‘përtëritje’ kulturore; dhe Së dyti, roli i aktorëve të ndryshëm që ndikojnë këtë ‘rinovim’ – rregullatorët, udhëheqësit e industrisë dhe profesionistët.

  1. Përgjegjësia individuale – një katalizator i fuqishëm për ‘rinovim kulturor’

Pse përgjegjësia individuale mban premtimin e një katalizatori të fuqishëm për rinovimin kulturor? I pari ‘për shembull’ ka të bëjë me natyrën e pamëshirshme të disa strukturave të tregut. Sikundër argumenton ish-kolegu ynë i FMN-së, George Akerlof, dhe bashkautori i tij, Robert Shiller, në librin e tyre të kohëve të fundit ‘Phishing for Phools’, tregjet mund të jenë tepër të pamëshirshëm në shfrytëzimin e dobësive të psikologjisë njerëzore. Financa nuk bën përjashtim.

Në fakt, autorët ofrojnë një tregim bindës se si agjencitë e vlerësimit – dhe bankat pas tyre – e precipituan krizën duke u angazhuar në atë që ata e përshkruajnë si ‘shkatërrim të reputacionit’. Me pak fjalë, bankat dhe agjencitë e vlerësimit vendosën të ndihmojnë reputacionin e tyre të mirë për të shitur ‘fruta të mira’- ose letra të zakonshme me vlerë, të vlerësuara në mënyrën e duhur – dhe në vend të kësaj ‘i dyndën’ klientët e tyre duke i shitur ‘fruta të kalbura’ – letra komplekse me vlerë të cilësisë së dyshimtë. Arsyeja? Rritja e madhësisë, gamës dhe kompleksitetit u shoqërua nga një ndryshim në strukturën e nxitjes që solli përfitime në angazhimin e firmave për të shkatërruar reputacionin. Frutat e kalbura po ofroheshin në të njëjtin çmim, apo me një vlerësim të trefishtë A, si frutat e mira. Megjithatë manovra këtu qëndroi në faktin se firmat nuk e ndryshuan modelin e tyre të biznesit, as nuk krijuan politika të reja dhe aktualisht nuk ndërmorën as vendime – këtë e bënë individët.

Kjo më çon drejt ‘shembullit’ të dytë. Pavarësisht dëshmive të shkeljeve aktuale në disa raste, ka qenë kryesisht bilanci i korporatave që ka mbajtur barrën e sanksioneve ligjore për sjellje të papërgjegjshme – jo individët.

Sipas disa vlerësimeve, gjobat e vendosura mbi bankat e mëdha në Shtetet e Bashkuara dhe Europë gjatë gjashtë viteve të fundit kanë arritur deri 230 miliardë dollarë. Kjo përfaqëson rreth 1.5 vjet të të ardhurave mesatare neto të një grupi bankash me rëndësi sistemike globale. Në fakt, sanksionet drejtuar në institucionet financiare perceptohen thjesht si një ‘kosto e të bërit biznes’, që bën thirrje për sigurim adekuat. Mendoni rreth kësaj. Një bankë e madhe globale njoftoi kohët e fundit fitime më të larta se sa pritej për tremujorin e tretë – një rezultat që pjesërisht ‘është lehtësuar’ nga kostot dhe gjoba më të ulëta rregullatore.

Vetëm së fundmi, rregullatorët kanë filluar të ndërmarrin hapa të mëtejshëm për t’i vënë vërtet përpara përgjegjësisë individët për veprimet e tyre. Raste të tillë ka pasur në Islandë, ku drejtuesit e lartë fajtorë për shkelje janë ndjekur penalisht; ose në Nju Jork, ku palët që gjykata i ka shpallur fajtorë mund të përballen po ashtu me heqjen e licencës profesionale.

Po ashtu, politika e Departamentit amerikan të Drejtësisë ka pësuar një ndryshim, që lejon ndëshkim më të rreptë ndaj keqbërjes individuale. Megjithatë ky ndryshim inkurajues është zbutur disi me vendimin e kohëve të fundit për një rast të publikuar gjerësisht të dyshimit mbi tregtimin e brendshëm në Wall Street. Vendimi ‘ngre’ pengesën e sigurimit të dëshmisë dhe mund ta bëjë ndjekjen e veprave të tilla edhe më sfidues.

Përgjegjësia personale

Pra, në mënyrë të qartë, një vend i mirë nga ku mund të nisim të forcojmë përgjegjshmërinë personale është përgjegjësia penale dhe civile. Ekspozimi i dukshëm ndaj përgjegjësisë potenciale penale vepron si pengesë. Në të vërtetë, përgjegjësia penale nuk është kurrë e lehtë të provohet, por, në qoftë se ekzistojnë provat për shkelje, drejtësia nuk duhet t’i shmanget kërkesës për ndëshkime penale dhe/ose civile në nivel individual. Përgjegjësia individuale nuk duhet të kufizohet ndaj përgjegjësisë penale. Kur është e përshtatshme, ajo duhet të përfshijë edhe ndëshkime civile, si dhe veprimet administrative dhe disiplinore, si heqja e licencës profesionale. Ndryshime të tilla mund të sigurojnë setin e duhur të shtysave për sjellje etike dhe të pengojnë shpërdorimin e detyrës përmes sjelljeve të pahijshme të qëllimshme, si dhe ndërmarrjes së pamatur të rrezikut. Kjo na sjell tek një pikë të rëndësishme. Përpjekjet për të ndjekur përgjegjësinë personale nuk duhet të keqinterpretohen si dënim i përgjithshëm i ndërmarrjes së rrezikut. Në fund të fundit, jeta është e ndërtuar për të ndërmarrë rreziqe. Por ato duhet të merren në një kontekst të përgjegjshëm, jo në një kontekst papërgjegjshmërie, sepse dikush tjetër do të duhet të paguajë ‘faturën’ në qoftë se kjo gjë shkon keq.

Të promovosh integritetin dhe virtytin personal

Në thelb, ajo që duhet është një kulturë virtyti dhe integriteti më i madh në nivel individual në industrinë financiare. Kultura përbëhet nga vlerat dhe parimet që informojnë sjelljen brenda një institucioni, madje edhe në mungesë të rregullave dhe udhëzimeve të qarta. Pra, duke promovuar dhe duke injektuar norma ‘të virtytshme’ në individët brenda firmës, mund të prodhohet një përtëritje kulturore brenda industrisë. Në mënyrë të qartë, ndryshimi i kulturës është një proces afatgjatë. Është gjithashtu një proces që duhet menaxhuar në mënyrë aktive- njësoj si çdo aspekt tjetër biznesi. Një mënyrë për të nxitur një ndryshim të tillë kulturor është duke apeluar në ‘busullën morale’ të individëve – duke përforcuar stimujt për ndërmarrje të matur të rrezikut dhe të një ushtrimi me përgjegjësi shoqërore të detyrat ligjore. Si? ‘The Ethics Oath’ (Betimi Etikave) prezantuar kohët e fundit nga industria financiare holandeze është një shembull i mirë. Pak a shumë si Betimi i Hipokratit për mjekët apo betimi për avokatët, industria holandeze i bën përgjegjës drejtuesit e saj për një betim dhe një sërë zotimesh integriteti që vë në vend të parë interesin e klientëve. Thyerja e këtij premtimi i ekspozon individët ndaj gjobave, pezullimeve, ose listave të zeza. E rëndësishme është, sikundër ndodhi në prillin e këtij viti, se ky zotim është shtrirë në të 80,000 bankierët e vendit. Pra, promovimi i integritetit individual është vendimtar për të nxitur një ndryshim kulturor në nivel të firmës. Por që ky ndryshim të aplikohet në nivel të industrisë, kërkohet të ndërhyjnë edhe aksionerët e tjerë. Kjo është një përgjegjësi kolektive.

  1. Të influencosh ripërtëritjen e kulturës — një rol për çdo lojtar

Kjo na çon drejt çështjes dytë – rolit që çdo lojtar në shoqëri ka në lidhje me këtë rinovim kulturor, ku veçohen tre grupe aktorësh.

(i) rregullatorët financiarë dhe autoritetet publike

Grupi i parë përfshin rregullatorët financiarë dhe autoritetet publike. Të shkaktosh ndryshim kulturor tek individët dhe korporatat kërkon një kuadër të përshtatshëm ligjor dhe rregullator ku vlerat dhe sjelljet e korporatës të mund të zhvillohen sipas qëllimit. Një nga objektivat e rregullimit fnanciar është që të promovojë marrjen e vendimeve me rrezik të sigurt dhe të shëndoshë. Rregullorja, pra, ka aftësinë të ndikojë në sjelljet e individëve. Axhenda e reformës së sektorit financiar është e fokusuar në mënyrë të përshtatshme në kornizat rregullatore dhe të qeverisjes. Dhe në këtë fushë është arritur progres i mirë. Si shembull, janë bërë hapa të rëndësishëm në trajtimin e problemit ‘shumë e madhe për të dështuar’. Kjo përfshin artikulimin e vullneteve të fuqishme të jetesës dhe zyrtarizimin e standardeve më të matura për bankat e mëdha. Megjithatë, nevojitet më shumë punë për të përvetësuar pasojat negative të sjelljes me rrezik të tepruar, veçanërisht jashtë bankave. Megjithatë, siç e dimë të gjithë, rregullorja është po aq e mirë sa zbatimi i saj nga ana e industrisë dhe imponimit nga mbikëqyrësi. Për më tepër, mbështetja e tepruar në rregullim dhe mbikëqyrja u mundëson njerëzve ta ndiejnë këtë për sa kohë janë ‘në përputhje’, për sa kohë janë duke vepruar me etikë – që në fakt nuk është gjithmonë ky rasti.

(ii) Lidershipi industrial

Kjo na çon drejt grupit të dytë të aktorëve – vetë industrisë financiare. Të gjithë parimet dhe qëllimet e mira mbi etikën dhe integritetin do të jenë efektive vetëm nëse ka ‘aprovim’ në krye. Në fund të fundit, zgjedhjet më të rëndësishme të brendshme janë bërë nga menaxhimi nën mbikëqyrjen e bordit të drejtorëve. Sikundër thotë Seneka: ‘Është e vështirë t’i ndërgjegjësosh njerëzit për moral me mësime, por është e lehtë ta bësh këtë me shembuj’. Me fjalë të tjera, Bordi duhet të vendosë tonin e duhur në krye. Ai ka nevojë të promovojë ‘tolerancën zero’ kundrejt sjelljes joetike. Anëtarët e Bordit dhe menaxherët e lartë janë edhe aktorët kryesorë në identifikimin dhe ndryshimin e modeleve të biznesit që ‘çalojnë’ nga themelet. Çfarë mund të bëjnë njerëzit etikë nëse ata përfundojnë në një firmë apo industri ku modeli bazë i biznesit është ‘i çalë’? Për fat të mirë, ndryshimi kulturor ka filluar të fitojë rëndësi në disa institucione me rëndësi sistemike, dhe jo vetëm në rangun e punonjësve të thjeshtë. Parimet kryesore të fokusit të klientit dhe bashkëpunimit po kthehen në tema të përbashkëta në praktikat e biznesit. Industria mund të synojë më lart dhe unë do të sugjeroja që industria globale financiare të udhëhiqet me shembull dhe të zhvillojë një kod sjelljeje që nxit përgjegjshmërinë individuale në të gjitha nivelet. Kjo mund të bëhet realitet gjithashtu me një frymë bashkëpunimi në të gjitha juridiksionet. Ky kod duhet gjithashtu të inkurajojë praktikat e rekrutimit dhe avancimit në karrierë që kërkojnë shpërblimin e sjelljes etike në vend se të fokusohen thjesht mbi përfitimin.

(iii) Profesionistët dhe shoqëria civile

Së fundi, të shkaktosh ndryshim kulturor mund dhe në fakt duhet të fillojë në një fazë më të hershme – madje edhe përpara se profesionistë të rinj të bashkohen me industrinë financiare. Për këtë arsye, profesionistët dhe shoqëria civile, grupi i tretë i aktorëve, kanë gjithashtu një rol të rëndësishëm për të luajtur. Edukimi mbi vlerat etike duhet të jetë në mënyrë të qartë pjesë e këtij ndryshimi kulturor. Kjo kërkon që individët të jenë të edukuar me vlerat që jo vetëm respektojnë rregullat, por që kërkojnë gjithashtu të ndjekin të mirën publike. Individët duhet t’i bazojnë veprimet e tyre jo vetëm në ‘çfarë unë mund të bëj’, por mbi të gjitha në ‘çfarë unë duhet të bëj’- sikundër ka referuar më parë president Dudley. Ai bën thirrje gjithashtu për të edukuar individë, të cilët janë krenarë për profesionin e tyre dhe vlerën e tij për shoqërinë. Për shembull, shkollat ​​e biznesit mund të përshtasin një model të ndryshëm në lidhje me kuptimin e suksesit individual. Duke e vendosur theksin më shumë te statura e lartë dhe profesionalizmi, se sa te shpërblimet e majme. Shoqëria civile dhe komunitetet fetare që lavdërojnë dhe promovojnë sjelljen e virtytshme mund të ndihmojnë gjithashtu të nxisin – dhe mbështesin – një ndryshim të tillë në kulturë. Një shembull i mirë është një program i administruar nga Arqipeshkvi i Canterbury-t që sjell të rinj nga të gjitha vendet e botës për të jetuar në Lambeth Palace për një vit. Ideja është që të injektojë një kulturë të virtytit dhe ndershmërisë morale në një moshë të re në mënyrë që ata të mund të ushtrojnë lidership etik në një fazë të mëvonshme.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button