EUobserver: Del në shesh korrupsioni i EULEX-it
Bashkimi Evropian ka kërkuar nga akademiku 72-vjeçar francez që të hetojë akuzat më të fundit për korrupsion ndaj misionit për sundim të ligjit në Kosovë, EULEX.
Por, ish-zyrtarë të BE-së kanë pyetje më të mëdha, si: Si është e mundur që prokurorët e EULEX-it kanë dështuar të dënojnë të paktën një të dyshuar të nivelit të lartë në pesë vitet e fundit?
Përfaqësuesja e re për Politikë të Jashtme dhe Siguri e BE-së, Federica Mogherini, më 10 nëntor njoftoi se Jean Paul Jacque, profesor i së drejtës në Universitetin e Strasburgut në Francë dhe Kolegjin Evropian në Belgjikë, do të hetojë aferat e fundit në EULEX.
Raporti i tij pritet të bëhet publik pas 4 muajve.
EULEX, misioni i jashtëm më i madh i Bashkimit Evropian, që punëson 1600 persona dhe i kushton BE-së 110 milionë euro çdo vit, filloi punën në vitin 2008 për të vendosur rend dhe ligj në Kosovë.
Muajin e fundit gazeta “Koha Ditore” dhe prokurorja Maria Bamieh, akuzuan misionin e BE-së për korrupsion, shkruan EUobserver, raporton koha.net.
Në dokumentet e zbuluara nga Koha Ditore dhe Maria Bamieh, flitet për tre ngjarje të ndryshme mes viteve 2011 dhe 2013, në të cilët zyrtarë të EULEX-it -it kanë bashkëpunuar me kriminelët e dyshuar, morën ryshfet për të mbyllur një rast dhe prishën një hetim të punëve të brendshme.
Deputetët evropianë e lavdëruan Mogherinin për veprim të shpejtë, por me kredibilitetin e BE-së në dyshim, ka dyshime edhe për pavarësinë e Jean Paul Jacque.
Ai mund ta bëjë punën e caktuar nga Mogherini pro bono, por si një ish-zyrtar i BE-së me më se 10 vite në shërbim, pensioni i tij pritet të jetë i madh.
Bazuar në pagën e vjetër të Jacque, një zyrtar i BE-së thotë se pensioni i tij “duhet të jetë rreth 5,000 euro në muaj”.
Dyshime ka edhe për limitet që do të ketë në hetimet e tij.
Një burim brenda BE-së thotë se vet EULEX do të bëjë hetimet që ka kërkuar Mogherini.
Ndërsa, detyra e Jacque do të jetë që kontrollojë nëse EULEX ka proceduara adekuate për të evituar korrupsionin dhe nëse ato janë ndjekur në tri rastet e shtruara nga Koha Ditore dhe Bamieh.
“Nuk do të jetë hetim apo ndjekje, vetëm rishikim”, thotë burimi i BE-së.
Andrea Capussela, një ish-zyrtar italian në Kosovë, i ka thënë EUobserver se edhe nëse kërkimet e Jacque do të arrijë në fund të këtyre akuzave, vetëm do ta “gërvishte sipërfaqen”.
Ai thotë se dokumentet që kanë rrjedhur në Koha Ditore janë “argumente episodike, por ka probleme sistematike në EULEX”.
Capussela ishte udhëheqës i njësitit të çështjeve ekonomike dhe financiare në Zyrën Civile Ndërkombëtare (ICO).
Kërkimet e tij kanë treguar se asnjë nga 25 rastet e nivelit të lartë për korrupsion të EULEX-it që nga viti 2008, nuk ka rezultuar me dënim të të dyshuarve nga elita politike kosovare.
Ai beson se BE-ja dhe SHBA-të kanë mbrojtur të mëdhenjtë e Kosovës në bazë të një marrëveshje të përbashkët.
Sipas tij, perëndimi e bëri këtë që të i dëshmojë botës se Kosova është një sukses dhe se i frikësohej faktit se liderët kosovarë mund të shkaktonin trazira nëse do të mundohej që të kapeshin.
Ai thotë se disa nga prokurorët e Eulex-it mund të kenë dështuar nga “paaftësia e pafajshme”.
“Nëse nuk doni që Kryeministri të shkojë në burg, e vendosni një idiot në krye të rastit”, shtoi ai.
I pyetur nëse disa nga udhëheqësit e BE-së apo SHBA-ve në Kosovë janë vet të korruptuar, ai tha se ka pasur disa incidente serioze të “konfliktit të interesit”.
Mes tjerash, ai e përmendi rastin e ish-ambasadorit amerikan Christopher Dell i cili këshilloi që kompania Bechtel të fitonte tenderin 800 milionë dollarësh për një autostradë, para se të largohej për t’u punësuar në atë kompani.
Peter Feith, ish-udhëheqësi i ICO-së si dhe ish-i dërguari special i BE-së për Kosovën, nuk pajtohet me akuzat e Capusselas.
“Nuk besoj se mbrojtja e liderëve kosovarë për arsye politike ka kaluar në mendjen e ndokujt në Bruksel, apo në zyrën time, apo në ambasadën amerikane”, ka thënë ai për EUobserver të hënën.
Por, ai pajtohet me Capusselan për dy gjëra: që problemet e Eulex-it janë më të mëdha se rrjedhjet e fundit dhe se duhet më shumë se një “rishikim” që gjërat të vinë në vendin e duhur.
“Le të flasim për peshqit e mëdhenj të Kosovës – asnjë nga ta nuk është përballur me gjykim dhe unë gjithmonë jam çuditur se pse ka ndodhur kjo”, tha ai.
“Eulex funksionon tash e pesë vite dhe rezultatet e misionit janë shumë të dobëta. A ndodh kjo sepse në shoqërinë kosovare dëshmitarët hezitojnë të deklarohen? Apo për shkak të profesionalizmit të prokurorëve të Eulexi-t? Nëse është për shkak të korrupsionit, kjo do të ishte një gjë shumë e keqe”.
“Ka gjëra që më duken të njohura në akuzat e Koha Ditore dhe Bamieh”, shton ai.
Feith ka folur për EUobserver para se Jacque të emërohej për hetimet.
Por ai theksoi se që një hetues të jetë i efektshëm duhet të jetë “një personalitet i pavarur që ka eksperiencë në implementim të rregullit dhe ligjit si dhe në anën operacionale të krizës në menaxhim të misioneve të BE-së”.
Feith gjithashtu komentoi edhe incidentin e ish-ambasadorit Dell.
“Mendova se një hetim nga amerikanët do të ishte diçka që do të bëhej. Por ata thanë se ambasadori e ka lënë shërbimin dhe nuk menduan se ia vlente një hetim i mëtejshëm”.
Mogherini, në deklaratën e saj të hënën theksoi se “qartësimi i këtyre akuzave është në interesin e BE-së”, se menaxhmenti aktual i Eulex-it kishte “përkrahjen” e saj, dhe se “duhet të mbahet besueshmëria në mision”.
Por, për Capusselan dhe Peter Feith, nuk janë në rrezik vetëm interesat e BE-së.
“Kjo gjë është shumë serioze. Kredibiliteti i BE-së me partnerët është në rrezik”, theksoi Feith.
“Derisa nuk jemi të sinqertë me atë që kemi bërë në Kosovë, nuk shoh se si mund të bëjmë më mirë kur të arrijë një Kosovë tjetër”, shtoi Capussela.
“Çfarë nëse një shtet i Afrikës Veriore kërkon asistencën e BE-së? Çfarë nëse Tunizia, Libia, ose, një ditë, Siria, kërkon ndihmën tonë në ndërtimin e demokracisë? Çfarë ndihme mund të japim ne bazuar në precedentin e Kosovës?”.
“Është vendimtare për BE-në që të bëjë këto ndërhyrje tek fqinjët e saj”.
“Por, duhet të jemi më të mirë në këtë gjë. Dhe e vetmja mënyrë për ta bërë këtë gjë është që ta kuptojmë se çfarë nuk shkoi mirë në Kosovë”.