Opinion
Europa dhe Shqipëria pas Brexit
Nga Ben Blushi.
Sikur të ndjekim historinë, mund të themi pa frikë se britanikët kanë qenë evropianët më inteligjentë. Ata e kanë kuptuar të parët rrezikun që vjen nga ideologjitë e ngurta. Dhe prandaj gjithmonë kanë lëvizuar. Britanikët kanë qenë gjithmonë likuid. Siç iu takon.
Si të krishterë u larguan nga kontrolli i Vatikanit dhe formuan Kishën e tyre. Si demokratë e mbajtën monarkinë, kur gjithë Evropa u bë republikane dhe shfarosi mbretërit në emër të barazisë. Si ishullore, nuk u bënë kurrë fashistë dhe e luftuan atë duke shpëtuar gjithë Evropën. Si antifashistë nuk u bënë kurrë komunistë dhe e përçmuan atë.
Britanikët nuk kanë patur kurrë një ideologji përveç Britanisë. Ata bëjnë gjithçka për të shpëtuar Ishullin. Mbrojtja e Britanisë më çdo kusht ka qenë i vetmi qëllim i një populli që ka besuar se rreziku vinte gjithmonë nga kontinenti. Nga Evropa. Dhe përgjithësisht kanë patur të drejtë. Historia është më ta.
Nëse frikën nga Evropa e kishin zgjidhur në të gjitha mënyrat, më kryq, më armë dhe më para, dje e bënë edhe më vota. Britanikët votuan për ta lënë Evropën.
Si evropian jam i dëshpëruar. Si shqiptar jam i shqetësuar.
Dikush thotë se rrugë tjetër nuk kishin. Ndoshta është më llogjike të thuhet se rrugë tjeter për Evropen nuk kishte.
Une besoj se pas kesaj dite, çështja nuk shtrohet se çfare Britanie do të kemi, por çfare Evrope do të kemi.
Jam i bindur se, më shumë se Britania e Madhe, ka humbur Evropa. Sot ajo nuk është më e madhe. Ikja e Britanise së Madhe e ka zvogëluar.
Natyrisht që ka disa arsye për Brexit, por kryesorja është e njohur.
Britania e ka shikuar Evropen si një projekt tregtar dhe jo si një projekt politik siç kanë bërë Franca dhe Gjermania. Ditën që tregtia më Evropën nuk sillte më fitimet e mëparshme, Britania iku. Në histori, Britania ka qenë një ishull i lëvizshëm. Njëlloj anije që sjell mallra dhe merr para ose anasjelltas. Kur mallrat pakësohen dhe për këtë shkak paratë zvogëlohen, anija ikën në brigje të tjera. Ky ka qenë raporti i ishullit më kontinentin dhe i Britanisë më Evropën. Ky ishte argumenti më i fortë i brexiterëve këto ditë: bota ka shumë tregje dhe Evropa është vetëm njëri prej tyre.
Megjithate nuk është vetëm kaq.
Nëse ka një arsye të madhe për Brexit, Britania dhe interesat e saj tregtare nuk janë të vetmet. Sipas meje arsyeja e dytë e madhe është Gjermania.
Gjermanocentrizmi është kthyer në një shqetësim për të gjithë evropianët që nuk janë gjermanë. Francezët rrëzuan një president përpara katër vitesh sepse menduan se ai ishte kukulla e Merkelit. Kryeministri i parafundit italian mendonte se Gjermania i bëri puç për ta larguar atë nga pushteti. Grekët shkuan në falimentim duke besuar se ishin bankat germane ato që i zhytën në krizë.
Në përgjithësi rritja e ndikimit gjerman i ka ftohur evropianët. Evropa nuk është krijuar si një bashkësi, ku njëri është më i madh dhe më i pasur se të tjerët. Ky projekt është ndërtuar mbi bazën e barazisë së të drejtave dhe jo diferencave të pasurisë.
Gjermania e dhjetë viteve të fundit e shkatërroi më ndërgjegje dhe megallomani këtë traditë duke i shkembyer të drejtat më para. Kjo është hera e dytë që e bën brenda një shekulli: herën e parë më armë, herën e dytë më para.
Sa herë Gjermania forcohet, Evropa dobësohet dhe dy luftra botërore si dhe Brexit i djeshëm mjaftojnë për të na bindur se kështu ka qenë dhe kështu do të jetë.
Vërtet gjermanët dhe të gjithë gjermanofilët mburren se punojnë, shpikin dhe shesin më shumë se të tjerët por, siç ndodhi më Britaninë, kjo nuk i pengon të tjerët të ikin nga gjermanët. Ti mund të shesësh, por nëse unë nuk dua të blej, ti nuk shet. Ky është parimi i tregtisë së lirë që gjermanët nuk duan ta njohin. Sipas të gjthë atyre që nuk e shijojnë forcimin e Gjermanisë, euro sot ka vetëm një funskion: të nxisë shitjen e prodhimeve gjermane në Evropë. Kjo është arsyeja që Britania nuk ishte kurrë në euro dhe Zvicra nuk do të jetë asnjëherë në euro. Kjo është arsyeja që besimi tek Evropa është relativizuar absolutisht.
Unë mendoj se pas Brexit nuk qëndronte nevoja e britanikëve për të dobësuar Evropën por nevoja e Gjermanisë për të dobësuar të tjerët. Kancelarja Merkel e ka refuzuar brutalisht kërkesën e David Cameron për të rinegociuar kushtet e antarësimit dhe të tregtisë me BE. Kush ishte pasoja e këtij refuzimi: forcimi i atyre që kërkonin Brexit dhe që fituan dje referendumin.
Por tani që Britania u largua çfarë mbetet më Evropën?
Evropa si projekt politik nuk ka mbaruar, por Bashkimi Evropian është pothuajse duke u shpërbërë. Pas britanikëve, do të jenë të shumtë popujt, sidomos në veri të Evropës, që do ta rishikojnë qendrimin brenda BE. Po ashtu, varfëria dhe borxet në jug të Evropës, si në Greqi, Itali, Portugali dhe Spanjë, pra në Evropën Mesdhetare, do ngrejë krye. Qeveritë e këtyre vendeve do kenë më pak arsye t’u binden bankave gjermane dhe do kerkojnë kushte më të favorshme tregtije për të garantuar shitjen e mallrave të tyre. Tashme të gjithe kanë në dorë një kërcënim: ose na jepni më shumë ose ikim. Kjo do t’i forcojë opozitat antievropiane kudo në Evropë, duke nisur me Francën e cila pa dyshim do kryesojë frotin antievropian në gjithë kontinentin.
Po ne çfarë fitojmë nga dobësimi i Evropës?
Në parim asgjë. Ne humbim.
Elitat tona poltike dhe financiare do të gezojnë më shumë autonomi për të kufizuar liritë dhe të drejtat tona civile, për të shtyrë të gjitha reformat e domosdoshme si dhe për të refuzuar kërkesat që vijnë nga Bashkimi Evropian.
Pesha e fjalës që vjen nga BE do jetë më e lehtë dhe tingulli i saj shumë më i dobët. Imagjinoni sa vlerë ka sot kërcënimi i BE: bëni reforma se nuk ju pranojmë në BE.
Një shqiptar cinik, që do doja ta kisha njohur, dikur ka thënë se ditën që Shqiperia do hyjë në Bashkimin Evropian ky nuk do të ekzistojë më. Shakaxhiu i përparimit ka patur të drejtë.
Ne jetojmë me fatalitetin se çdo gjëje të bukur që i afrohemi e shëmtojmë: ishim komunistët më të dhunshëm dhe jemi evropianët më të rraskapitur. Sa më shumë po përpiqemi të afrohemi aq më shumë largohemi dhe ndërkohë që s’ka kohë, vetë Evropa dobësohet.
Kaluan 25 vjet dhe antarësimi ynë s’po ndodh.
Shumë shqiptarë do kenë të drejtë t’i bëjnë pyetjen vetes: a ia vlen më të presim? A na duhet më BE? Ata që mendojnë se Evropa nuk vlen më do shtohen. Sidomos në radhët e elitës: politikanë, bankierë, mendimtarë dhe të pasur. Unë i quaja izolatrikë. Izolatrikët janë njerëz që e shijojnë dhe e nxisin izolimin. Izolatrikët do të shtohen. Kështu ka ndodhur gjithnjë. Dhe kështu do të ndodhë. Jemi në një fazë të historisë kur e ardhmja është sakrificë. E shkuara është garanci. E sotmja është fitim. Kjo do të thotë të rrish aty ku je pa lëvizur. Dhe ne aty po rrimë. Prej disa vitesh.
Por siç ka ndodhur gjithmone në histori, sa herë jemi larguar nga Evropa, ketu kanë fituar otomanët, komunistët, të fortët dhe të paligjshmit. Nëse Evropa është një kopësht zoologjik më rregulla, ne jemi një xhungël e lirë. Ketu kafshët e egra nuk mendojnë se janë të barabarta më kafshët e buta. Në këtë fazë kemi hyre prej disa vitesh dhe veshtirë të dalim shpejt. Kjo është koha e artë për të jetuar në xhungel. Liria e atyshme ka shije, hapesirë dhe fitim. Xhunglen e rregullon natyra, kopshtin zoologjik e kufizon njeriu. Në këtë kuptim ne jemi më shumë natyralistë të pjekur se humanistë amatorë.
Prandaj them se, si evropian nuk jam optimist. Si shqiptar jam pesimist. Prej disa kohësh.
E megjithatë kjo që po ndodh nuk është histori. Eshtë një kalim nga një pjesë e historisë në një tjetër. Edhe nëse Bashkimi Evropian për fatin tonë të keq, do të rrezohet, çka nuk e besoj, Evropa do të mbetet.
Liria, demokracia, konkurrenca dhe toleranca do të tronditen, por nuk do të shkëmbehen më parime të tjera. Evropianët mund të ndahen por prapë do mbeten të lirë, çka është monedha kryesore që ofrojnë në shkembim. Liria dhe barazia janë monedhat e tyre. Askush nuk ua merr dot. As më luftë as më para.
Prandaj kam shpresë. Edhe pse britanikët dolën nga BE ata do të mbeten evropianë. Edhe pse ne shqiptarët nuk hyjmë dot në BE, ne jemi evropianë. Siç ndodh në xhungël, kafshët janë të prirura të ndjekin diellin.
Dielli i Evropës do të na ngrohë ngadalë, por ne gjithmone do ta shohim.