Bota

Europa dhe Ukraina: A po merr Kievi kurs drejt NATO-s?

Ukraina nuk do të jetë më shtet neutral dhe synon futjen në NATO. Parlamenti voton të martën një ligj të posaçëm. Për herë të parë prej dhjetë vitesh ky plan mbështetet nga shumica e popullsisë.

Politika e jashtme e Ukrainës ndodhet para kthesës: Parlamenti voton të martën për ndryshimin e një ligji, me të cilin vendi i jep fund neutralitetit. Krahas përpjekjes për anëtarësim në BE, synohet edhe një anëtarësim në NATO. Projektligji ishte përgatitur nga qeveria në fund të gushtit.

Mësime nga aneksimi i Krimesë

Me këtë hap Ukraina kthehet në rrugën e devijuar në vitin 2010. Atëherë presidenti i sapozgjedhur i vendit, Viktor Janukoviç e fshiu nga ligji qëllimin e Kievit për një anëtarësim në NATO. Si parim kryesor u deklarua një “politikë e mosangazhimit në blloqe”, që përjashtonte anëtarësimin në aleanca si NATO.

Por që prej aneksimit të Krimesë janë shtuar zërat për anëtarësimin në NATO. Shumë vetë mendojnë si ish-ministri i Mbrojtjes, Jevhen Martshuk. Humbja e Krimesë është çmimi që Ukraina duhet të paguajë për neutralitetin ushtarak, tha në një intervistë Martshuk. Edhe konflikti i armatosur me separatistët në Donjeck e Luhansk, për të cilin Kievi fajëson Rusinë është një argument tjetër për anëtarësimin në NATO.

Politikë e lëkundur e Ukrainës

Në qëndrimin e saj kundrejt NATO-s, Ukraina prej dhjete vitesh ndjek një politikë të lëkundur. I pari ishte presidenti i atëhershëm, Leonid Kutshma që në vitin 2002 vendosi orientimin e Ukrainës drejt aleancës perëndimore. Por NATO i ktheu kurrizin Ukrainës dhe Rusia fqinje ushtroi presion. Moska e kritikoi këtë me argumentin se sheh një rrezik për Rusinë. Pas një takimi të presidentit rus Putin me Kutshman në vitin 2004, Kutshma ra dakord të hiqte pasazhin e një anëtarësimi në NATO nga doktrina e ushtarake ukrainase.

Por pak muaj me vonë në Ukrainë u krye “revolucioni i portokalltë”. Politikani properëndimor Viktor Jushçenko fitoi zgjedhjet presidenciale dhe mori sërish kurs drejt NATO-s. Në samitin e NATO-s në Bukuresht në vitin 2008, ai u mbështet nga presidenti i atëhershëm amerikan, George Bush. Në këtë samit Bush donte t’i ofronte Ukrainës “Planin e Aksionit për Anëtarësim” (MAP), një përgatitje për anëtarët e ardhshëm. Por disa vende europiane, Gjermania, Franca ishin kundër tij. Një datë konkrete për këtë plan nuk u vendos. Kancelarja gjermane atëherë iu referua një mbështetjeje të dobët që kishte në popullsi anëtarësimi i mundshëm i Ukrainës.

Për herë të parë një shumicë pro anëtarësimi në NATO

Në të vërtetë numri i atyre që mbështesin anëtarësimin në NATO prej vitesh qëndronte tek një e treta e popullsisë. Por këto kanë kaluar. Për herë të parë në historinë e Ukrainës krijohet një shumicë që mbështet NATO-n. 52% e ukrainasve do t’i thonin Po një referendumi të mundshëm për një anëtarësim në NATO, sipas një sondazhi të Institutit të Studimeve GfK Ukrainë. 19% ishin kundër. Edhe Qendra Rasumkoë në Kiev arriti në një rezultat të përafërt. Sipas sondazhit madje 54% e ukrainasve ishin pro futjes në NATO. Në prill nuk ishte e njëjta situatë, Kundërshtarë të anëtarësimit ishin 41% e popullsisë, dhe pro vetëm 36%.

Dera e NATO-s e hapur

Në zgjedhjet e parakohshme në 26 tetor temë fushate është edhe anëtarësimi në NATO. Shumica e partive shprehen pro kësaj teme. Disa parti si “Mëmëdheu” – “Batkivshtshna” e ish-kryeministres Julia Timoshenko kërkojnë një referendum të shpejtë për anëtarësimin. Ndërkohë që presidenti Poroshenko mendon se ky është një hap i hershëm. Sipas tij referendumi do ta ndante vendin.

Petro Poroschenko
Petro Poroshenko

Ende nuk shtrohet për diskutim një anëtarësim i Ukrainës, por në samitin në Wales në shtator, NATO i premtoi mbështetje Ukrainës, por nuk bëri premtime për pranimin e vendit. Megjithatë Anders Fogh Rasmussen ndërkohë i larguar nga detyra e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, thotë se dera e NATO-s mbetet e hapur. Aleanca i ka premtuar Ukrainës mbështetje për modernizimin e ushtrisë, por jo pranim të shpejtë. Qeveria në Kiev shpreson që deri në fund të vitit të marrë statusin e “një partneri të veçantë dhe aleatit të ngushtë të NATO-s”. Por aleanca ende nuk ka dhënë OK për këtë dëshirë të Kievit.

Rusia paralajmëron perëndimin

Rusia e ndjek me sy kritik planin për afrimin e Ukrainës me NATO-n. Neutraliteti i Ukrainës është një pjesë e rëndësishme e arkitekturës së sigurisë në Europë, tha ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov në shtator. Lavrov beson se disa anëtarë të NATO-s do të përpiqen ta pranojnë me çdo kusht Ukrainën. “Ky është një rrezik serioz për stabilitetin e të gjithë Europës”, ka paralajmëruar Lavrov.

Por Kievi nuk impresionohet nga kjo retorikë. Qeveria e Kievit i referohet ligjit të ri, me të cilin nga njëra anë Ukrainës do t’i mundëshohet e ardhmja në NATO, nga ana tjetër do t’i hiqet mundësia e futjes në unionin doganor të ish-republikave sovjetike. Rusia është përpjekur më kot të joshë Ukrainën në unionin e ri ekonomik.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button