Opinion

Faleminderit Serbi !

ARTAN MULLAJ

Artan MullajNdodhi edhe në 100-vjetorin e Pavarësisë ky rebelim i shëndetshëm patriotizmi kolektiv i shqiptarëve, por këtë herë në një përmasë tjetër, më të madhe, vullkanike, të frikshme. Nëse në Festën e Flamurit frymën e krijoi krenaria, në ndeshjen e futbollit me Serbinë frymën e krijoi në fillim krenaria e lënduar, pastaj urrejtja. …Si njëri nga kombet më mikpritës në botë, që besën në përgjithësi dhe besën e mikut në veçanti e ka një lloj institucioni të moralit, sjellja e shëmtuar e publikut të shtëpisë në stadiumin e huaj i provokoi një situatë unike. Në të vërtetë, reagimi vulgar i turmës serbe solli edhe një herë në vëmendje urrejtjen e pamposhtur të Serbisë, të trashëguar ndër shekuj, fshehur ende në shpirtin e saj, ndaj shqiptarëve. Për fatin e tyre të keq dhe për fatin e keq të të gjithë rajonit, kjo urrejtje ekziston realisht dhe, meqë ekziston realisht, duhet marrë më shumë se kurrë seriozisht.

Duket se çdo urrejtje prodhon urrejtje shumëfish dhe çdo racizëm i një pale provokon të njëjtin racizëm, në mos më shumë, por thuajse të ligjshëm te pala tjetër. Kjo gjë ka ndodhur.

Mund të themi se pas një topitjeje të gjatë, armiqësia mes dy kombeve, shqiptarëve dhe serbëve, është zgjuar sërish.

Ashtu si kombet e tjera të Ballkanit, shqiptarët dhe serbët janë dy popuj me një ambicie të qartë në krenarinë e tyre. Kjo është arsyeja përse serbët u provokuan nga flamuri i “Shqipërisë së Madhe”, ndërkohë që do t’i provokonte çdo gjë shqiptare në fluturim, gjë që shpjegon gjithashtu përse djemtë tanë, në një shfaqje të adhurueshme patriotizmi, bënë atë që bënë, sfiduan krenarinë serbe, egoizmin, hapësirën, shkulmin mizor të turmës së egërsuar, rrezikun, bishën raciste që ulërinte mu përpara fytyrës së tyre me dhëmbë jargë dhe zemërim kafshëror. Heronjtë tanë sfiduan dhe rrezikuan gjithçka, deri në teprim, për simbolin e shenjtë të identitetit të tyre, flamurin me shqiponjë dhe ngjyrë gjaku.

Ne pamë një arenë sureale ku u përplasën realisht ndërgjegjet e të dy popujve, apo më saktë stisjet instiktive të nxitura nga provokimet, prej të cilave me sa duket nuk ka për t’i shpëtuar kurrë as njëri komb, as tjetri. U ndezën pasionet etnike dhe u karikua pas një vlimi të ri urrejtja e ndërsjellë, ndërkohë që ndeshja u prish nga një incident, incidenti ndezi urrejtje, urrejtja u shndërrua në një problem, problemi u tejskajua dhe iu afrua për t’u zgjidhur, siç ndodh rëndom, përfaqësuesve politikë.

E kotë të analizosh, të gjykosh e të paragjykosh ngjarjen, shkaqet dhe pasojat e saj. Duket sikur droni i famshëm, i shndërruar në një simbol poshtërimi për të zotët e hapësirës ku fluturoi, është arsyeja, shkaku i ndodhisë, por jo. Përkundrazi, droni, flamuri i “Shqipërisë së Madhe”, trimëria e shqiptarëve mes turmës armike, të gjitha këto ishin pasojë. Pasojë e një tensioni të madh shpirtëror, që ekziston kokëfortë mes dy popujve dhe që vështirë të fshihet ndonjëherë. E shumta, ky tension mund të qetësohet, të tulatet, por vështirë të shtypet, të ndrydhet, të fshihet ndonjëherë. E trishtueshme kjo gjë! Si një vaksinë qetësuese për të sëmurin, politika e të dyja vendeve aq më shumë ka arsye të punojë fort për të arritur këtë gjë. Por çfarë shohim nuk është aspak frymëzuese. Politika serbe është vetë një e sëmurë e infektuar me virusin nacionalist që i shtiu në trup e në shpirt popullit serb, Millosheviçi. Liderët serbë treguan se më shumë se vlerat e padiskutueshme të popullit serb, përfaqësojnë primitivizmin dhe vrazhdësinë kolektive të qarqeve nacionaliste në këtë vend, të cilat nuk janë pak. Dhe kjo është e trishtueshme! Duket se Serbia ka një problem serioz: ndërsa nuk i mungojnë mendjet e zgjuara, i ka mjaft të rralla kokat e ftohta…

Por t’i kthehemi vetes. Serbët janë fqinjët tanë. Shqiptarët e kanë të shkruar në kodin gjenetik të origjinës së tyre kujdesin që duhet bërë në marrëdhëniet me fqinjët. Ashtu si njeriun e afërt, edhe komshiun nuk e zgjedh, e ke të taksur, prandaj është në logjikën e gjërave që kujdesi për marrëdhënie të mira me fqinjin të jetë më i madh. Në këtë linjë arsyetimi, vendimi i Kryeministrit Rama për të komunikuar dhe për të dialoguar me fqinjët në mes të situatës së krijuar, është për t’u përshëndetur dhe jo vetëm. Sa kohë te fqinjët lihet të flasin lirshëm dhuna, racizmi dhe urrejtja në fushë, në rrugë, në media, gjithkund, aq më e ngutshme, më e nevojshme dhe më e arsyeshme bëhet të flasë si duhet dhe kur duhet politika me përfaqësuesit e saj.

Por, natyrisht, kjo histori e shëmtuar i ka fshehur vetes diçka të bukur, emocionuese. Vështirë të ekzistojë gjëkund një fuqi tjetër përbashkuese për shqiptarët si urrejtja serbe dhe nacionalizmi i tyre i shëmtuar ndaj nesh. Asgjë tjetër s’do të arrinte të bashkonte dhe të sundonte kaq mrekullisht vullnetet e shqiptarëve. Asnjë ngjarje tjetër, asnjë rrethanë, asnjë pasion e asnjë lider nuk do të mund të krijonte një bashkëvendosje të tillë shpirtërore të shqiptarëve, një harmoni shpirtërore kaq kompakte dhe një bashkim të tillë kombëtar. Kjo është diçka e pashlyeshme! Detyra e mbetur e mendjeve të shquara të politikës dhe të inteligjencës është që kjo energji shpirtërore e shpërthyer dhe e përbashkuar të drejtohet në hullinë e duhur, jo drejt urrejtjes, jo drejt histerisë, por drejt paqes, drejt dashurisë për vendin, për shtetin dhe për natyrën. Kjo krenari duhet të disiplinohet dhe të shndërrohet në vlerë, jo në rebelim dhe primitivitet, në kacafytje të fortësh, në dhunë dhe në hakmarrje. Çka do të thotë që shqiptarët duhet të kuptojnë se patriotizëm nuk është vetëm të duash dhe të mbrosh flamurin, madje mbrojtja e flamurit duhet shprehur jo me dhunë, jo me urrejtje, por me përpjekje solide për të qenë më të mirë, më të civilizuar se kundërshtarët, më tolerantë, më dashamirës me veten, me rregullat, me familjen, me shtetin, duke i respektuar njëlloj si flamurin, ashtu edhe ata.

Nëse do të kemi zhvillime të tilla dhe nëse energjia e pamasë e dashurisë së shqiptarëve për vete dhe për flamur orientohet si duhet, s’na mbetet veçse të falënderojmë Serbinë që, me verbërinë e urrejtjes ndaj nesh, na zgjoi në kohën e duhur dhe në mënyrën e duhur demonin e mirë social të respektit për institucionet, për familjet, ligjet dhe për shtetin tonë…

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button