Ditën e djeshme Rita Ora uroi 13-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës në mënyrën më të bukur. Këngëtarja ndau në rrjete sociale disa foto nga projekti më i fundit muzikor, “Big”, në të cilin ajo u shfaq e veshur me veshje tradicionale. Këto veshje u punuan posaçërisht për Ritën nga stilisti Valdrin Sahiti, i cili mblodhi elementë nga zona të ndryshme të Shqipërisë për të rikrijuar veshjet për artisten me famë botërore. Veshjet popullore duket se kanë tërhequr edhe vëmendjen e mediave të huaja. “DailyMail” i ka kushtuar një shkrim urimit të Ritës për pavarësinë e Kosovës dhe projektit të saj të ri muzikor. “Këngëtarja që ka lindur në Prishtinë, publikoi në Instagram disa fotografi me veshjet e saj, që i pati veshur edhe në videoklipin e këngës ‘Big’. Veshja e Ritës është e përbërë nga një fustan i gjatë i zi me mëngë dhe me qëndisje prej ari. Ajo gjithashtu kishte veshur një këmishë të bardhë me geta së bashku me një shami koke ekstravagante kuq e zi. Rita kishte veshur edhe çizme blu të errëta me detaje leshi artificial dhe doreza të kuqe të ndezura ndërsa pozonte së bashku me disa gra të tjera me veshje tradicionale”, shkruan Daily Mail për veshjen e artistes shqiptare. Më pas në shkrim shpjegohet historia e Kosovës, ku thuhet se është shteti i dytë më i ri në botë, duke shpallur pavarësinë nga Serbia në vitin 2008. Gjithashtu në të shkruhet për jetën e Ritës dhe prindërve të saj, që emigruan nga Kosova gjatë viteve të vështira të luftës për të nisur një jetë të re në Britani.