Ekonomia

BSH dhe BB- Plan për kreditë e këqija

Banka Botërore dhe Banka e Shqipërisë kanë përgatitur një plan masash për të  vendosur  zgjidhjen mes bankës dhe biznesit, për kreditë e këqija.

Sipas raportit të fundit të BSH, janë regjistruar zhvillime pozitive në administrimin e portofolit të kredive të këqija. Vlen të veçohet iniciativa e ndërmarrë për të analizuar dhe për të hartuar plane rimëkëmbjeje dhe zgjidhjeje për kredimarrësit më të mëdhenj të sistemit, në vështirësi shlyerjeje dhe të ekspozuar në disa banka njëkohësisht.

Ristrukturim kredie

Raporti i BSh-së thekson se, për kredimarrësit e përzgjedhur, pasi është marrë pëlqimi paraprak për shkëmbimin e informacionit midis bankave, janë propozuar mundësitë më të mira për një zgjidhje të qëndrueshme të aftësisë paguese dhe vijimësisë së biznesit. Kjo iniciativë, sipas BSH, është mbështetur nga projekti FinSAC i Bankës Botërore, i cili ka angazhuar një shoqëri ndërkombëtare me eksperiencë në këtë drejtim. Në bashkëpunim me projektin FinSAC është duke u zbatuar një platformë, e cila pritet të përgatisë infrastrukturën për hartimin e planeve të rimëkëmbjes dhe zgjidhjes në të ardhmen.

Sipas statistikave të BSH, më shumë se gjysma e kredive të këqija në shkallë vendi u përkasin vetëm 35 kompanive apo grupeve tregtare. Këto subjekte zënë 52.16% të totalit të kredive të pakthyera. E shprehur në vlerë, kjo do të thotë se së bashku, këto 35 grupe tregtare kanë mbi 66 miliardë lekë ose 550 milionë dollarë kredi të pakthyera në sistem. Në dhjetor 2014, raporti i kredive me probleme të biznesit shënoi nivelin 25.11%, nga 26.03% që shënonte në dhjetor 2013.

Vitin e kaluar, Këshilli Mbikëqyrës i BSH ka miratuar disa ndryshime në rregulloren “Për administrimin e rrezikut të kredisë”. Kështu, nga 1 janari i vitit 2015, procesi i fshirjeve të kredive me probleme bëhet i detyrueshëm për bankat, 3 vjet pasi ato janë klasifikuar në kategorinë ‘të humbura’. Për të lehtësuar procesin e fshirjes së kredive të humbura, me propozim të BSH, në prill 2014 Ministria e Financave i ka njohur fondet e kredive të fshira si shpenzim të zbritshëm për qëllime fiskale. Ndërkohë, me qëllim zbutjen e barrës së bankave për ekzekutimin e kolateraleve, janë miratuar disa ndryshime në Kodin e Procedurës Civile, të cilat e ulin kohën e sekuestrimit në 5 deri në 20 ditë. Sipas BSH, që nga hyrja e tyre në fuqi, në shtator 2013, është evidentuar një rritje e normës së ekzekutimit të kolateraleve me gati 10%.

Ka institucione që i blejnë “kreditë e këqija”. Prandaj BSH i ka kërkuar qeverisë që të nxitet ky proces.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button