Fantazma e Agjitprop-it me Bes Kallakun
Besart Kallaku, thënë ndryshe Gjini i “Portokallisë”, ka krijuar para pak ditësh një skeç, ku luan rolin e një të penduari.
Kjo video është përhapur gjerësisht në rrjetet sociale. Pjesë të saj janë publikuar në mënyrë ilustrative edhe nëpër edicione lajmesh në televizione të ndryshme. Është haptazi e dukshme lidhja midis punës artistike që ka bërë Besart Kallaku dhe videos së paraqitur nga deputeti Tom Doshi në mbështetje të akuzës së vet kundër Ilir Metës si porositës i një atentati ndaj tij. Ky nuk është rasti për ndonjë debat estetik lidhur me procedimin e shndërrimit të faktit jetësor në fakt artistik. Ama, përdorimi i këtij skeçi nga krerët e maxhorancës qeverisëse lë shkas për shqetësime serioze lidhur me cilësinë e demokracisë, që kjo maxhorancë synon të ndërtojë për shoqërinë shqiptare.
Vetë Kryeministri Rama e ka shpërndarë videon në faqen e tij në Facebook bashkë me këshillën për miqtë e tij virtualë: “Mos e humbniJ”. Ndërsa Ilir Meta, i cili, në dallim nga Kryeministri, nuk njihet si përdorues i pasionuar i rrjeteve sociale, duket se ka vënë në punë këshilltarët e vet të shumtë dhe bashkëpunëtorët e vet në parti. Ata e kanë shumëfishuar dhe komentuar lëndën e inskenuar me një gjuhë të përsëritur nga njëri te tjetri, që nuk mund të jetë rastësi, pavarësisht shijeve të ngjashme për artin, që ndoshta ata kanë. Madje, metistët e kanë pasuruar më tej skenarin e skeçit. Deputeti allasoj Spartak Braho, njëherësh edhe kryetar i Komisionit për Sigurinë Kombëtare në Kuvendin e Shqipërisë, u paraqit të enjten më 12 mars në derën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ku ishte thirrur për të dëshmuar, duke pasur si shofer pikërisht Gjinin dhe u tha gazetarëve, domethënë gjithë opinionit publik shqiptar: “Kam sjellë në Prokurori një të penduar tjetër. Është në makinë”.
E gjithë kjo ka qartazi tiparet e një fushate propagandistike, në të cilën janë përfshirë jo vetëm tërthorazi, por edhe drejtpërdrejt si protagonistë krerët më të lartë politikë të shumicës parlamentare. Nuk ka vend për dyshim se skeçi është krijuar për të diskretituar përmes banalizimit provën e vetme, që ka me sa dihet publikisht Tom Doshi në mbështetje të akuzave të veta shumë të rënda. Koha kur doli kjo video si dhe teksti i recituar nga aktori Besart Kallaku zbulojnë prapavijën e pastër politike të përçapjes. Përfshirja energjetike e vetë Ilir Metës dhe Edi Ramës në shpërndarjen e saj, si dhe vazhdimi i inskenimit nga ana e Spartak Brahos me “killerin e penduar” në dekorin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda zbulojnë sheshit porositësit e skeçit. Më e pakta që mund të thuhet, është se një fushatë e tillë është fund e krye e papajtueshme me demokracinë.
Edhe unë, ashtu si qindra mijëra shqiptarë dhe miq e partnerë të Shqipërisë, kam shtruar gjatë këtyre javëve pyetjen se për ç’arsye do e kërkonte Ilir Meta vrasjen e Tom Doshit. Në mungesë të një përgjigjeje logjike, kam pasur dhe vazhdoj të kem dyshimet e mia të forta lidhur me një ndërmarrje të tilla nga ana e Metës. Fjalën përfundimtare megjithatë do e thotë drejtësia. Pikërisht përballë punës së drejtësisë, “dublimi artistik” i provës së paraqitur nga akuzuesi përbën një problem jo të vogël. Dihet se në kushtet e funksionimit të shtetit të së drejtës, reagimi inkurajues apo dekurajues i opinionit publik ndaj punës së Prokurorisë përbën një faktor me ndikim të pashmangshëm. Kjo është e vërtetë edhe më shumë në rastet kur çështja në hetim paraqet ndjeshmëri të posaçme për opinion publik, siç edhe është çështja “Doshi-Meta”. Karikaturizmi i “provës” së Doshit nga ana e strukturës shtetërore Rama-Meta synon zhvlerësimin e kësaj prove në sytë e opinionit publik, rrjedhimisht shtyrjen e opinionit drejt dekurajimit të Prokurorisë, e cila po harxhonte kohë dhe nerva për një “budallallëk”. Unë nuk shoh ndonjë lexim tjetër të mundshëm për veprimin e shtetarëve tanë. Pra, në qoftë se unë – dhe si unë ka shumë- nuk shoh në tablonë e shpalosur deri tani ndonjë modus vivendi që do e shtynte Metën të ndërmerrte një plan të tillë aq të rrezikshëm dhe aq të kushtueshëm për të vrarë dy deputetë, në fushatën propagandistike me komikun në fjalë, qëllimi i tij ishte i qartë. Pyetja që del, është se përse ndiente nevojë Meta dhe përmes tij edhe Rama për një fushatë të tillë? Mua nuk më pëlqen të jap një përgjigje të hamendësuar për këtë pyetje.
Mbi të gjitha mua më shqetëson vetë kjo fushatë me simptomat antidemokratike që mbart. Fushatat propagandistike për të diskretituar e banalizuar kundërshtarin njihen vetëm në regjimet autoritariste dhe shoqërojnë sjelljen publike të politikanëve autoritaristë. Ata kanë si qëllim të fundit manipulimin e opinionit publik. Dhe dihet ku çon një opinion publik i manipuluar. Unë shpresoj sinqerisht se kanë qenë të paktë ata që kanë qeshur kësaj here me Gjinin e shkretë. Pa dashjen time m’u kujtua ndodhia po aq dëshpëruese e disa muajve më parë, kur opozita denoncoi në Parlament përdorimin e aerodromeve ushtarake për transportim droge. Në vend të një zotimi serioz nga ana e qeverisë për të verifikuar denoncimin, siç do të veprohej në çdo vend normal, qeveria me Kryeministrin në krye, shto këtu edhe zotin Meta me të vetët, u përfshinë në një fushatë të zjarrtë për ta përqeshur denoncuesin. Nuk po bëj asnjë paralele për sa i përket përfundimit. Sado që nuk përmendet më, njerëzit e mbajnë mend megjithatë si doli ky denoncim kur u zbardh e vërteta. Retorika e Ramës lidhur me halucinacionet e opozitës, të cilës mizat dhe mushkonjat i bëheshin helikopterë të ngarkuar me drogë, do të mbetet në memorien e Parlamentit si një njollë e shëmtuar. Në këtë rast, pra, nuk uroj kurrsesi që akuzat e Doshit të dalin të vërteta. Si qytetar i këtij vendi nuk do të ndihesha aspak mirë po ta shihja kryeparlamentarin me një damkë të tillë të pashlyeshme. Por, ky urim i sinqertë nuk ma fshin fare shijen e hidhur që më ka lënë agjitprop-i i tij, i cili mban erën e rëndë të një kohe të përzënë nga historia e lirisë.
Kam edhe një këshillë krejt dashamirëse për aktorin e ri, Besart Kallaku. Ai është në fillim të karrierës së tij dhe, në vlerësimin tim, ka talent. Ai është gjithsesi në periudhën e formimit të personalitetit të tij njerëzor e artistik. Ai ka fatin e rrallë të ngjitet qysh në këtë moshë në një skenë aq popullore siç është ajo e “Portokalli”-së dhe të drejtohet nga një regjisor siç është Altin Basha. Sjelljet e politikanëve kanë qenë gjithmonë lëndë e begatë për artistët e humorit. Të paktën prej më shumë se dy shekujsh, kur Revolucioni Francez ia preu kokën mbretit, duke i dhënë kështu fund edhe profesionit të gaztorit të oborrit. Qysh nga ajo kohë, në vendet e lira, artistët e humorit kanë qëndruar përballë politikës, doemos jashtë oborrit të saj, për të ruajtur lirinë e tyre thumbuese, qoftë edhe duke paguar shtrenjtë. Domethënë, jashtë skenës ata kanë qenë dhe mbeten nga njerëzit më seriozë të shoqërisë. Shembulli më i ndritshëm dhe model është pa dyshim Çarli Çaplin. Gjini e ka pranuar sigurisht me mendjelehtësinë e moshës të xhirojë një skeç me tekst të ardhur nga “lart”. Dhe mendjelehtësia e tij bëhet e padurueshme kur ai pranon edhe “rolin e shoferit të Spartak Brahos”. Shpresoj se edhe drejtuesit e “Portokalli”-së i kanë tërhequr vëmendjen. Një skenë e madhe siç është ajo e “Portokalli”-së ka doemos rregullat e veta të rrepta për të ruajtur nderin që i takon.