Ekonomia

Fasonët: Jemi në vështirësi, rritja e taksave po na nxjerr nga tregu

Bizneset e fasonit ankohen se rritja e kostove e ka vënë në vështirësi industrinë, e cila mban peshën kryesore të eksporteve në vend.

“U rrit tatim fitimi 50 për qind, u rrit tatimi mbi dividentin 50 për qind, energjia elektrike në pjesën dërrmuese të kompanive është rritur mbi 50 për qind, dhe së fundmi, kemi tatimin mbi pasurinë që në pjesën dërrmuese të rasteve është 4-fishuar”, thotë Gjergji Gjika, Kryetar i Dhomës së Fasonistëve.

“E keqja e kësaj pune është se, pavarësisht rritjes së kostos për arsyet e tatimeve, të energjisë elektrike, dhe gjithë faktorëve që e bëjnë një ndërmarrje ekonomike, kanë një presion dhe përfitim nga partnerët tanë për të ulur çmimet. Ka një fitim minimal që nuk të lejon të jesh kompetitiv për të investuar dhe vetëfinancuar në të ardhmen eksportet, rritjen e punësimit”, shprehet Flamur Hoxha, sipërmarrës fasoni.

Vitin e kaluar, qeveria përgatiti një paketë të posaçme me 31 pika lehtësuese për industrinë, e cila siguron punësim masiv.

“Mirëpo ajo paketë sot që flasim ne është lënë në mes të rrugës dhe një pjesë e konsideruesme e pikave të saj, sidomos pikat që përbënin esencën e kësaj pakete, janë pothuajse të parealizuara”, vijon z. Gjika.

“Shfaqesh si një vend që i jep mbështetje këtij sektori, po realisht kur rikthehesh pas një viti për të vënë në jetë këto lehtësira fiskale që duhet të përktheheshin në rritje, ka ndodhur e kundërta. Kjo do të thotë që nuk kanë pasur ndonjë efekt”, thotë z. Hoxha.

Të dhënat zyrtare nga INSTAT tregojnë se për katër muajt e parë të vitit eksportet e tekstileve dhe këpucëve ranë me 2 për qind.

“Ne kemi humbur tregun, pasi vendet e rajonit janë shumë konkurruese karshi nesh”, shprehet sipërmarrësi Flamur Hoxha.

“Kostot e kompanive tona në total janë rritur mbi 37 për qind. Ne dalim nga tregu në mënyrë artificiale”, thotë Gjika, kreu i Dhomës së Fasonistëve.

Vitin e kaluar, tekstilet dhe këpucët ishin zëri kryesor i eksporteve shqiptare me 85.9 miliardë lekë ose 34 për qind e totalit. Aktualisht, sipas INSTAT, ky grup produktesh është i vetmi zë ku Shqipëria ka bilanc tregtar pozitiv.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button