Ekonomia

Fasoni i goditur nga rritja e kostove, nuk pret hapjen e vendeve të reja të punës

Sektori fason parashikon një ecuri më të mirë të aktivitetit të tij, por të gjithë këtë rritje ai ia delegon kualifikimit të punës që bën në bazë të përvojës dhe investimeve personale. Ata nuk njohin asnjë politikë fiskale të qeverisë që deri më sot të ketë ndihmuar në rritjen e eksporteve të kësaj dege të ekonomisë. Ndryshe nga pritshmëritë e kabinetit ‘Rama’ për një rritje të numrit të të punësuarve në këtë sektor, pjesë e programit elektoral të vitit 2013, ata thonë se nuk e kanë në plan hapjen e vendeve të reja të punës.
Fitimi do të shtohet nga zëvendësimi i punonjësve me teknologji të sofistikuar

 

Nga Ola Xama

Sa preken fasonët nga kriza në Itali?

Pavarësisht situatës politike në shtetin fqinj, Itali, fasonët nuk presin një reduktim të porosive nga ky vend. Ata shpjegojnë se kjo situatë në Itali, por edhe në Europë, e cila përfshihet nga një valë zgjedhjesh të reja, nuk do të ndikojë në punën e tyre. Specifikisht, për Italinë, ata thonë se janë mësuar me destabilitetin politik, por ana politike është mjaft mirë e ndarë nga ajo ekonomike. “Mendoj që do të ketë rritje të eksporteve dhe një ardhje për tregun shqiptar të një klientele pak më të diversifikuar përveç fasonit tradicional, që janë veshje të llojit këmisha, pantallona, etj. Me radhë, do të kemi edhe një zgjerim me produkte të tjera. Italia po kërkon zgjerim në Shqipëri. Po kërkojnë produkte që i mungojnë tregut italian për shkak të ndryshimit të çmimeve të kësaj kategorie, të cilat po ndodhin në Rumani dhe Bullgari.

Tregu italian po spostohet drejt Shqipërisë dhe Maqedonisë. Shqipëria ngelet gjithmonë një treg i preferuar i italianëve”, – thotë në një intervistë për revistën “Monitor”, Flamur Hoxha, sipërmarrës fason prej 20 vitesh.
“Rasti i krizës në Itali mund të konsiderohet si një e mirë dhe një e keqe. Destabiliteti politik në Itali nuk është këtë vit si për herë të parë. Italia këtë rrugë ka ndjekur në 40 vjet, por kjo nuk e ka penguar që të jetë në 7 vendet më të zhvilluara ekonomikisht në botë. I ka pasur shumë të ndara efektet ekonomike me efektet politike. Kjo situatë e krizës që ka përfshirë Italinë ndër vite, për krizën ekonomike e kam fjalën, ka përfshirë edhe vendet e tjera. Ne nuk është se nuk kemi më porosi nga këto vende, por porositë vijnë gjithmonë në krahasim me vendet e tjera të rajonit. Është një porosi, një ofertë në treg me një vlerë të caktuar dhe e merr ai që e realizon këtë”, – shprehet Gjergji Gjika, kryetar i Dhomës së Fasonëve të Shqipërisë.

Edhe sektori i eksportuesve të këpucëve nuk pret që kriza në shtetin fqinjë dhe zgjedhjet në një pjesë të madhe të vendeve të Bashkimit Europian të kenë ndikim. “Nuk kanë lidhje zgjedhjet në një pjesë të madhe të vendeve të Europës. Ne prodhojmë një produkt të një niveli të masës dhe popullsisë. Tregu, sido që të jetë, do të marrë produktin e domosdoshëm dhe kjo pastaj lidhet me strategjinë e kompanisë. Unë të paktën këtë vit kam strategji tjetër. Po iu përshtatem kërkesave të tregut që ka të bëjë me çmimin e ulët dhe cilësinë e rritur. Sasia e prodhimit pastaj vjen në bazë të modelit dhe gamës së gjerë të produkteve që ti ofron”, – thotë Donika Mici, prodhuese dhe eksportuese këpucësh.

Flamur Hoxha thotë se e njeh mirë këtë treg dhe ndryshimi i shpeshtë i qeverive nuk i ka penalizuar asnjëherë kompanitë shqiptare. “Duke punuar prej shumë vitesh me Italinë, jemi mësuar me destabilitetin politik në këtë vend, sepse çdo vit ndryshon qeveria. Kjo nuk na ka penalizuar sepse jemi mësuar tashmë. Është bërë një praktikë normale”, shton ai. Madje për të, as politikat e shtetit italian, të cilat synojnë reduktimin e prodhimeve që nuk kanë markën Made in Italy, nuk kanë arritur të mposhtin kërkesat për punë në Shqipëri. Reduktimi i ndihmave për kompanitë që punojnë në shtete të tjera, siç ishte rasti me call center, për fasonët janë të njohura vite më parë si politika frenuese. “Call Center është një rast i fundit. Problemin e ndërprerjes së ndihmës për ndërmarrjet që investojnë jashtë ne e kemi pasur vite më parë. Në Itali ka shumë politika lehtësuese për produktin Made in Italy. Ka ekzistuar kjo lloj ‘konkurrence’. Ka shumë ndërmarrje apo të rinj që kanë marrë iniciativë në Itali, kanë pasur subvencionim nga shteti italian për të stimuluar produktin Made in Italy. Edhe pse në këtë rast janë munduar shumë, nuk ia kanë dalë që të na penalizojnë ne prodhuesve shqiptarë. Nuk kemi pasur ulje të kërkesave në Shqipëri nga tregu atje. Të themi të drejtën, shumë pak produkte kanë origjinën e prodhimit në Itali, pjesa më e madhe bëhet me markën Made in Europe apo Made in Albania. Këtë lloj problemi ne e kemi kaluar me kohë”,- sqaron Flamur Hoxha, i cili prej më shumë se dy dekadash punon me tregun italian.

 

Si do të vijë rritja për sektorin e fasonëve?

Shpresat për të pasur një shtim të volumit të eksporteve për vitin 2017, fasonët nuk i mbajnë te politikat e qeverisë. Ata thonë se në bazë të eksperiencave që kanë në vite, vetëm puna me cilësi ka arritur që të mbajë në këmbë ndërmarrjet e tyre. “Unë mendoj me nuhatjen time si biznesmen që ka vite në këtë sektor që do të kemi një rritje të sektorit tonë nga 8 – 12%. Fitimet normalisht rriten vetëm tek ato shoqëri të cilat kalojnë me cikël të mbyllur, këtë mendim kam unë. Ato shoqëri që janë gjithmonë në punën thjesht fason, nuk besoj se do të kenë rritje të mëdha në fitim”,- shprehet Flamur Hoxha.

“Nga pikëpamja e punës që bëjmë do të jetë një vit normal si të gjithë vitet e tjera. Ne nuk kemi asnjë indikacion që do të kemi ndërprerje të punës, apo do të kemi luhatje të çmimeve në treg. Problemi është që ne mund të na ndodhë rritje e kostos përmes pagës minimale. Por nuk rritet vetëm shtesa që japim për pagën, por rriten edhe disa kosto të tjera që janë sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, se kjo politikë prandaj po bëhet, që të rriten të ardhurat nga ky zë. Sepse i është premtuar një grupi vulnerabël që do të rriten pensionet dhe tani shtesa që do të jetë rritja e tyre, do të paguhet nga sektori privat me rritjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore”,- sqaron Gjika, cili parashikon rënie të këtij sektori nëse merren politika që shtojnë kostot e fasonëve.

Për Donika Micin, e rëndësishme për ndërmarrjet e këtij lloji është që të jenë sa më kërkues në produktet që prodhojnë. Për fushën e këpucëve, ajo thotë se ky vit pritet të jetë më i mirë se 2016. “Ne presim që këtë vit të kemi rritje të eksporteve të industrisë së këpucëve. Arsyeja kryesore ka të bëjë me punën e këtij sektori në vite. Shqipëria është njohur si një vend prodhues dhe që ka një fuqi punëtore të kualifikuar në këtë sektor. Jemi shumë afër me Europën sa i përket prodhimit të produkteve me cilësi. Unë njoh këpucën dhe mund të them që kërkesa këtë vit për këtë produkt është në rritje”, – thotë Mici.

 

Si do të ndikojë te fasonët rritja e pagës minimale?

Efektet negative, të gjithë drejtuesit e kompanive fason i pranojnë njëzëri kur vjen fjala për nismën e qeverisë për të rritur në 23 mijë ose 24 mijë pagën minimale për sektorin privat. Ai që është më i shqetësuar për rritjen e saj është kreu i Dhomës së Fasonëve, Gjergji Gjika. “Krijohen kosto shtesë dhe, në fakt, kjo rritje duhet të paraprihej nga një studim i mirë, jo vetëm për sektorin tonë, por për të gjithë sektorin prodhues në Shqipëri. Të përcaktohej jo vetëm paga minimale, por dhe niveli minimal i varfërisë dhe niveli minimal jetik në Shqipëri, që nuk janë të përcaktuara sot e kësaj dite. Në këtë moment, ne mund të merrnim nisma të tilla që të rritnim pagën minimale. E rëndësishme është të thuhet se ne nuk e kundërshtojmë këtë nismë, sepse ne nuk duam që të rritet paga minimale, apo sepse jemi kundër zhvillimeve pozitive për rritjen në përgjithësi të mirëqenies së popullit tonë. Problemi është se nuk ka mundësi!”, – thotë prerë Gjika. Për Flamur Hoxhën, një pjesë e ndërmarrjeve në Shqipëri kanë punëtorë që i paguajnë edhe mbi këtë nivel page, megjithatë ka kategori të cilat janë të pakualifikuara si duhet, që mësojnë zanatin, dhe nuk mund të paguhen mbi punën që bëjnë. “Unë i përkas asaj kategorie si kompani ku paga minimale është relative. Në përgjithësi tek ne, punonjësit marrin edhe më shumë se paga minimale. Rritja e pagës minimale është thjesht një masë për të rritur arkëtimet në buxhetin e shtetit nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore. Pavarësisht se disa nga fasonët thonë se na penalizon, por në ndërmarrjet tona ka punëtorë që marrin nga 30 mijë, 27 mijë, 24 mijë apo 22 mijë. Ka shumë arsye dhe argumente ku nuk mund të mendosh se paga minimale është shumë e rëndësishme në këtë rast, por mund të them se për një kategori punonjësish ajo na sjell kosto”,- nënvizon Hoxha. “Në qoftë se mban standardin e pagës minimale në nivelin 23 mijë, pra që të bëhet një rritje normale e kësaj page, nuk mendoj se do të prekë shumë sektorin tonë. Nëse rritja do të bëhet mbi normalen, pra më shumë se 23 mijë, atëherë do të ndikojë shumë negativisht për këtë sektor”,- shprehet Donika Mici.

Megjithatë Gjergji Gjika thotë se ka shumë ndërmarrje në të gjithë Shqipërinë, të cilat nuk mund t’ia dalin dot të mbijetojnë nëse caktohet një pagë minimale më e lartë. Kjo për të duhet të lihet në dorën e sektorit privat për ta vendosur vetë. “Fasoni ka një fitim mesatar 7-8%, dhe nëse ne do të bëjmë një rritje të pagave që është zëri kryesor i kostos bazë të fasonit, atëherë i bie që kjo kosto shtesë do të godasë direkt fitimin neto të ndërmarrjes. Nëse vendoset paga minimale e rritur, ky fitim, në rastin më të mirë do të shkojë 3-4%. Atëherë mund të më thoni cili nga fasonët do ta mbajë fabrikën hapur? Po flas me shifra konkrete, në një ndërmarrje me 300 veta i bie që fitimi mesatar mujor të jetë 2 mijë euro, aq sa është rroga e një tekniku të huaj që punon në kompanitë tona. E kuptoni se sa qesharak është ky fitim për dikë për punëson 300 veta dhe të fitojë në fund të muajit vetëm 2 mijë euro? A ka ky njeri fuqi morale, psikologjike ta mbajë hapur këtë fabrikë?” – thotë ai. “Duke parë nivelin jo shumë të zhvilluar të ndërmarrjeve, mbi 60% e këtyre kompanive kanë qenë në ciklin e mbijetesës, te kjo kategori ndikon rritja e pagës minimale. Nuk është vetëm paga faktor kryesor, por ka dhe një pjesë tjetër që ne e kemi ndryshuar gjithmonë, që ka të bëjë me tatimet, pagesat e taksës së ndërtesës ku shumë subjekte janë me qira dhe shumë pronarë të objekteve ia ngarkojnë këtë taksë subjekteve që janë me qira aty brenda, janë shumë ngarkesa fiskale që i kanë bërë këto shoqëri të kenë kosto të larta të të bërit biznes. Mendoj se ndikon kjo rritje, por jo për të gjitha ndërmarrjet. Ka shumë kompani që i kanë pagat pak më të larta se minimalja dhe rritet kosto vetëm për një pjesë të vogël të punëtorëve që janë te kjo kategori. Unë të paktën në ndërmarrjen time e kam të diferencuar me kategori. Pagën e kanë minimale punonjësit që janë më pak të kualifikuar”, – sqaron Hoxha.

Ky sektor akuzon qeverinë se po bën një shtesë të kësaj page në mënyrë të paargumentuar. “Rrogat dhe në përgjithësi, këto lloj shtesash që bëhen, nuk bëhen me revolucione, këto bëhen me letra dhe duke parë e analizuar mirë rritjen ekonomike të vendit. Ne rritjen ekonomike e kemi në nivelin 2-3%, në rastin më të mirë rritja e pagës minimale bëhet sa dyfishi i rritjes ekonomike. Pra 4-6%, flas duke marrë si model atë rrugë që kanë ndjekur dhe shtetet e tjera. 4-6% është shumë larg asaj që 1 mijë – 2 mijë apo edhe 3 mijë lekë që kemi dëgjuar ne. Ne kemi dëgjuar edhe me 30%, por kjo mbetet për t’u parë. Askush nuk thotë asgjë, që të japë një draft real dhe të thotë që ne kemi menduar të rritim rrogën minimale me kaq, jeni dakord dhe pse, nuk jeni dakord dhe pse!”, – argumenton Gjika. “Ne jemi në një fazë tani ku Shqipëria po futet në rrugën e integrimit europian, duam s’duam ne do ta ndjekim këtë rrugë. Atëherë ne duhet të bëjmë të njëjtat politika incetivuese dhe lehtësuese për sektorin prodhues dhe për hapjen e vendeve të reja të punës, ashtu siç bëjnë vendet e tjera të rajonit, por dhe vendet të cilat e kanë kaluar fazën tonë dhe janë futur në Bashkimin Europian, aludoj për Bullgarinë dhe Rumaninë.

Në Rumani është një rrogë fikse e përcaktuar, rroga minimale, dhe në qoftë se biznesi me argumentet e tij dhe treguesit financiarë tregon se nuk e realizon dot këtë pagë, diferencën që nuk e realizon e jep shteti. 20% e bizneseve fason që flasin sot, janë 3-4-vjeçarë. Janë në fazat e para të zhvillimit. Ka pasur një hapje shumë të madhe për këtë biznes vitet e fundit dhe ata nuk janë forcuar dhe konsoliduar në mënyrë të tillë që të kenë mundësi përmes rezervave të tyre të bëjnë disa shtesa të kënaqshme në pagën e punonjësve”, -shton ai. Gjergji Gjika paralajmëron dhe një efekt negativ në të gjithë degët e ekonomisë, nëse rritja e pagës minimale bëhet pa u diskutuar më parë me biznesin dhe përtej nivelit 23 mijë lekë. “Ne i druhemi edhe një efekti domino. Nëse ti do të luash me pagat, në mënyrë irreale, jo të qëndrueshme, jo të favorshme, ka shumë mundësi që ky të japë efekt negativ edhe te sektorët e tjerë që nuk preken direkt nga rritja. Aludoj këtu për sektorin bujqësor privat, për sektorin e minierave etj. Kjo shpjegohet me faktin se do të prishen raportet marrje–dhënie, fitim–pagesë. Nuk mundet që në një ndërmarrje, fitimi i saj të shkojë më shumë për pagesa se sa për akumulimin e ndërmarrjes. Nuk ka ndërmarrje në botë që t’i ndodhë kjo. Nëse nuk kënaqet ai që investon nga fitimi që merr, nuk mund të kënaqen të tjerët që presin benefite nga ky fitim i investitorit”,- konkludon ai.

 

Fason 1Politikat jo të mirorientuara fiskale

Një nga degët më të rëndësishme në eksportin shqiptar, ajo që merret me materialet porositëse akuzon qeveritë në vite se nuk kanë përdorur si duhet politikën fiskale. Për ta, politikat kanë qenë më shumë negative pasi kanë prishur planin e biznesit të tyre, se sa të ndihmonin në rritjen e këtij sektori. “Ne nuk presim që ky vit të sjellë për ne lehtësi në taksa. Që të ketë një paketë fiskale, edhe pse është një vit elektoral, duhet që të jetë një paketë e mirëstudiuar, e cila është vështirë të bëhet në Shqipëri. Ne e kemi shumë të vështirë të parashikojmë të ardhmen. Një nga kritikat më të mëdha për qeverisjen e shkuar ishte që ka ndryshuar 76 herë ligjet e taksave në 8 vite, por për 3 vjet kjo qeveri i ka ndryshuar mbi 80 herë. Të dy palët kanë futur duart te ligji sa herë kanë dashur për të akumuluar sa më shumë para për interesa të momentit”,- thotë Gjergji Gjika.

Edhe për Donika Micin, shpresat për një paketë stimuluese për këtë sektor janë të pakta. “Ne kemi bërë një listë me kërkesa për lehtësi fiskale, por nuk mendoj se do të ketë një hap pozitiv në këtë drejtim këtë vit. Nuk besoj do të bëjnë diferencime në sektorë të ndryshëm të ekonomisë sa i takon nivelit të taksave”,- sqaron ajo. Flamur Hoxha thotë se me fasonët gjithnjë është abuzuar kur vjen fjala për lehtësitë fiskale që janë bërë. Ai thotë se ata janë një degë e ekonomisë që kanë derdhur pjesën më të madhe të buxhetit të tyre për taksa. “Mua më vjen keq që zakonisht ky sektor konsiderohet i përkrahur në vite për lehtësim taksash. Nuk ka asnjë lloj lehtësie për këtë sektor. Ne jemi të barabartë me çdo degë tjetër të ekonomisë shqiptare. Çdo punë e re që merret si në një sektor tjetër të ekonomisë paguhet njësoj si te ne, tatimfitimi është i njëjtë, tatimi i dividentit është i njëjtë, janë shumë taksa që na kanë penalizuar, nuk na kanë favorizuar dhe nuk jemi të diferencuar nga të tjerët. Dëgjojmë që thonë shpëtuat nga pagesat e skanimit, shpëtuat nga taksat doganore dhe jepet përshtypja sikur ne nuk paguajmë taksa dhe paguajmë punëtorët pak. Dukemi si shfrytëzuesit e kohëve të vjetra”,- shpjegon ai.

Por çfarë quajnë këta investitorë politika të mira që ndihmojnë të bërin biznes që sjellin rritje? “Sektori i prodhimit të veshjeve dhe këpucëve asnjëherë nuk ka pasur lehtësi fiskale. Unë lehtësi fiskale quaj: ke 100 punëtorë, kërkon të marrësh 100 të tjerë? Atëherë për 1 vit mos i paguaj sigurime shoqërore. Ose tatimfitimin e ke 15%? Paguaje përgjysmë, ose më hiq fare dividentin. Sepse çdo ndërmarrje që tërheq dividentin e një ortaku duhet të paguajë 15%. Nëse më thua që mos e tërhiq, sepse nuk të vendos tatimin e dividentit, unë nuk e tërheq dhe e investoj. Këto janë politika fiskale. Në këtë mënyrë, edhe sipërmarrësi rrit investimin dhe nuk i çon paratë në bankë. Nëse sot 1 vit nuk paguan dividentin, mund të hapësh 50 vende të reja pune”, – shprehet Hoxha.

Gjika akuzon qeveritë se dhe ndryshimet në nivelin e tatimeve janë bërë jo mirë të menduara. “Dy vite më parë u rritën me 50% tatimet, energjia elektrike, dividenti etj. Dhe të gjitha këto ishin rritje artificiale. Kush tha se përse u rrit me 50% tatimfitimi dhe jo 49.7% për shembull? Kush tha se përse u rrit energjia elektrike me 50% dhe jo 37.9%? askush. Pra, këtu rritet në mënyrë abuzive. Kjo është rritje që tha dikush që do të rritet kaq dhe pikë. Vendet e tjera i bëjnë llogaritë mirë sepse çdo lëvizje ka pasoja në ekonomi. Pasojat në ekonomi nuk janë vetëm ato pozitivet që arkëton shteti, janë dhe ato negativet që arkëton populli. Efektet negative nuk janë vetëm ato që duken sot, por janë edhe ato që vijnë pas disa kohësh”,- thotë ai. Hoxha thotë se politikat fiskale në vite kanë pasur synim elektoral. Për këtë vit zgjedhor atij i duket interesante platforma me taksën e sheshtë 9% e Partisë Demokratike. “Tani do të përsëritet fushata, do të na vijnë partitë politike nëpër ndërmarrje dhe do të dëgjojmë premtimet që përsëritin çdo katër vjet. Mua më pëlqen paketa që ka paraqitur një vit më parë Partia Demokratike ku është 9% taksa e sheshtë e tatimfitimit, heqje e dividentit dhe 15% TVSH-në, që është lehtësi për konsumatorin. Shpresojmë që këto premtime të jenë reale.” shton ai.

 

Një vit i errët për vende të reja pune te fasonët

Sektori i fasonëve nuk parashikon shtim të vendeve të reja të punës. Gjergji Gjika, shkakun kryesor për këtë, ua vë politikave të pavendosura fiskale, të cilat kanë sjellë pasiguri për këtë sektor. Ai thotë se nëse bëhet rritja e pagës minimale, ritmi i shtimit të vendeve të reja të punës do të ngadalësohet ndjeshëm. “Këto ndryshime (në taksa) bëjnë goditjen më të madhe të investimeve shqiptare dhe të huaja, strategjike, afatgjata, të cilat duke i prerë që në fillim hovin e investimit, redukton dhe vendet e punës të ekonomisë. Duke na ndërprerë që në burim të ardhurat, fitimin neto, me të cilat ne bëjmë investimin, bëhet edhe shtyrja në kohë e vendeve të reja të punës. Nuk do të hapen më 5 vende pune në një kompani në 2017-n, por do të hapen 3; në 2018-n do të hapen 2 dhe ajo e 20 vendeve do të bëhet në 2042-shin”, thotë Gjika.

Kompania e Flamur Hoxhës ka një tjetër strategji. Për vitin 2017, ajo do të përqendrohet në përmirësimin e teknologjisë dhe rritjen e cilësisë. Hoxha thotë se nuk ka në plan të shtojë vendet e punës, por të sofistikojë prodhimin me makineri më të mira. Një produkt që shitet më shtrenjtë, për shkak të cilësisë, mbulon dhe volumin e sasisë që i është dashur të bëjë, duke shtuar stafin në vitet e shkuara. “Unë nuk kam në plan të rris numrin e punonjësve, dua që të sofistikoj tregun e shitjes direkte të produktit. Këtë po arrij të bëj. Nuk preferoj të shtoj punën e hamallit, që ka një fitim shumë të ulët, por dua të kaloj në ciklin e mbyllur. Kjo do të më japë më shumë fitim dhe më pak impenjim në aspektin e numrit të fuqisë punëtore. Këtë praktikë dua të ndjek për këtë vit”, – sqaron ai.

Donika Mici nuk e di ende nëse ky vit do të sjellë kontrata të reja më të mira. Ajo thotë se është duke eksploruar tregje në Turqi dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por shtimi i numrit të punëtorëve mund të vijë në varësi të sezonit. Ajo parashikon një goditje të portofolit të investimeve si pasojë e rënies së monedhës euro në tregun valutor. “Vendet e reja të punës janë në bazë të kërkesave të tregut, nëse kërkohet më shumë prodhim dhe kjo varet edhe nga sezoni. Unë personalisht çdo vit kam pasur rritje. Por pres një rënie të fitimit nga kursi i këmbimit dhe dobësimi i euros. Përqindja lëviz në muaj të ndryshëm. Por do të kemi reduktim të fitimit dhe rënie të investimeve sigurisht. Ne jemi gjithmonë në kërkim të vendeve të reja se ku mund të shesim. Po shohim dhe tregje të reja në Turqi apo edhe SHBA”, – përfundon Mici.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button