Politika

Fatos Lubonja: Vetëm kjo nuk mjafton se drejtësia po vepron

Intervistë me studiuesin dhe analistin e njohur shqiptar, Fatos Lubonja dhënë për “Zëri i Amerikës”.

lubonja

Arrestimi i guvernatorit të Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani dhe hetimi për vjedhjen e 7.2 milionë dollarë në Bankë është ndjekur me mjaft interesim nga analistët e politikës dhe shoqërisë shqiptare. Studiuesi dhe publicisti i njohur Fatos Lubonja thotë se arrestimi i zotit Fullani nuk mjafton që të provojë se drejtësia po vepron. Ai shprehu dyshimet se në këto ngjarje rreth bankës, qarqet politike po ndikojnë mjaft. Zoti Lubonja, si e pritët lajmin për arrestimin e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, çfarë menduat çastin e parë?

E papritur u duk. Vërtet e papritur. E papritur sepse jemi mësuar tashmë që drejtësia nuk vepron në këto raste. Me shumë pikëpyetje në kokë, me shumë pikëpyetje të pazgjidhura; ja kjo ishte mbresa ime e parë. Ç’do të thoshte ky arrestim? Cila ishte intriga prapa? A punon drejtësia këtu apo është politika që e shtyn.

Arrestimi i zotit Fullani ishte kulmimi i një lajmi mëse njëmujor i kronikës së zezë. Si e keni përcjellë, si e keni menduar vjedhjen e Bankës së Shqipërisë?

Kjo nuk është shifra më e madhe që i është grabitur publikut shqiptar. Grabitja e pronës publike dhe e parasë publike është sporti kryesor i politikës në përgjithësi. Por kjo ishte, si të thuash, mbushja e kupës, pika që derdh kupën, sepse është institucioni që, në fund fare, duhet të jetë simbol i shtetit. Në njëfarë mënyre, mundet të kesh lëshime këtej andej, por aty nuk duhet të ndodhin. Kur ndodh edhe atje, shteti nuk ekziston, ka rënë shteti. Çështja e dytë, që vlen shumë të analizohet, është e gjithë kjo shoqëri që kemi ndërtuar, ku paraja e fituar lehtë, me çdo kusht, sa më shpejt, sa më shumë, për të krijuar një status social. Kjo kulturë konsumiste groteske në Shqipëri ka arritur pika kulmore.

Cili është mendimi juaj mbi ndikimin që qarqet politike mund të kenë patur në arrestimin e zotit Fullani dhe në tërësi për zbardhjen e vjedhjes së Bankës?

Është e vështirë të besosh se ky është një rast që flet për një rimëkëmbje të drejtësisë. Ose as mëkëmbje, se nuk di a ka qenë ndonjëherë drejtësia në Shqipëri e pavarur. Ne nuk kemi historikisht një drejtësi të pavarur, që vepron jashtë pushtetit politik dhe jashtë pushteteve financiare korruptive më vonë, siç ka ndodhur këto 20 vjet. Pra, është e vështirë të besosh që është një akt i drejtësisë i pavarur nga atmosfera politike, nga presionet politike, nga loja politike. Arrestimi i Fullanit dhe mosprekja e politikanëve, dhe veçanërisht mosprekja e askujt që është në pushtet, sepse kanë dalë akuza të tmerrshme ndaj maxhorancës për vrasës në parlament etj., të bën të mendosh që ndoshta Fullani ishte një pikë e dobët, që mundet të sakrifikohej “si një kokë turku” për të krijuar diçka. Plus kësaj, rasti konkret mund të ketë prova; duhet të presim drejtësinë.

A keni diçka për të komentuar lidhur me atë që quhet shpesh në Shqipëri kultura e mos-ndëshkimit të krimit dhe të korrupsionit?

Prova ka patur dhe ka edhe me film me kamera siç i kemi parë dhe i kemi më të fuqishëm ata që janë kapur me këto prova. Vështirë të thuash që politika po punon për të çliruar, për ta lënë drejtësinë të veprojë vetë dhe drejtësia po merr frenat vetë në dorë. Më shumë e mendoj si një lojë politike që duhet parë me skepticizëm, por më mirë që ndodhi në këtë mënyrë çështja e Bankës, sepse ndoshta diçka lëviz dhe opinioni sensibilizohet.

A mendoni që arrestimi i zotit Fullani do të ndikojë ndjeshëm në veprimtarinë e sistemit bankar apo të tregjeve shqiptare në tërësi?

Jo, nuk e mendoj, sepse siç e patë, u vra edhe një drejtor banke para disa kohëve dhe u tha shumëçka e tillë, por nuk ndodhi ndonjë trazim. Ekonomia shqiptare është shumë informale, shumë e dyshimtë, është jashtë sistemit, bursa nuk ka dhe jemi gjithmonë në krizë. Shqiptarët mbijetojnë më shumë në një mënyrë informale, më së shumti, pa transparencë. Kështu, nuk besoj se kjo që ndodhi me Fullanin do të thellojë ndonjë gjë. Kryesorja është se ajo që ne nuk dimë sot, dhe që lidhet edhe Fullanin, është pikërisht gjendja e vërtetë e ekonomisë tonë. Flitet shumë për borxhe dhe kredi të marra dhe të pashlyera, flitet për biznesmenë pasanikë të mëdhenj, që në fakt janë borxhlinj të mëdhenj. Flitet për para droge që pastrohen nëpër banka dhe që mbushin ekonominë. E gjitha kjo është një thashethemnajë e përgjithshme. E gjitha kjo tek ne vazhdon të mbetet e pazbuluar, e paqartë dhe jotransparente. Ikja e Fullanit nuk besoj se do të hedhë ndonjë dritë për këtë; duhet një aksion shumë më radikal.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button