Faturat e hoteleve të Ahmetajt/ Manjani: Hetim i pjesshëm për inceneratorët, duhen prokurorë të tjerë
Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani akuzon Prokurorinë e Posaçme Anti Korrupsion për hetim të pjesshëm në çështjen e inceneratorëve.
Një ditë pasi gazetari Adriatik Doçi depozitoi në SPAK një kallëzim penal ndaj dy prokurorëve Klodian Braho dhe Ened Nakuçi si dhe ndaj ish zv.Kryeministrit Arben Ahmetaj, Manjani ka bërë një ragim ku thotë se Prokuroria e Posaçme është ndarë në dy klane dhe nuk bën hetime të plota.
Sipas Manjanit, provat që ka gjetur gazetari Doçi që tregojnë se Klodian Zoto ka paguar faturat e hoteleve ku ka bërë pushime Arben Ahmetaj, janë rrjedhje e qëllimshme e informacionit nga brenda.
Ai pretendon se skema ka qenë që të arrestohen e dënohen ca njerëz dhe kështu humbet vëmendja dhe shpëtojnë kokat e vërteta:
“Jo me klane, po me veprime.
Jam 100% i bindur se kallëzimi që gazetari bën ndaj dy prokurorëve të SPAK, është rrjedhje e qëllimshme e informacionit nga brenda.
Dyshimi im është që “klani i Yurit” brenda SPAK, denoncon “klanin e Ramës” po aty.
Se SPAK- aktualisht kështu është ndarë…
Sidoqoftë është në interes të drejtësisë kjo përplasje aty brenda.
Po dalin prova evidente që vërtetojnë katërcipërisht ato që kemi thënë për inceneratorët, se SPAK nuk ka kryer hetime të plota, por ka nxituar të bëjë arrestime show dhe ka ngritur akuza të papjekura, pa provuara dhe pa logjikë ligjore.
Dukshëm, skema ka qenë që të arrestohen e dënohen ca njerëz dhe kështu humbet vëmendja dhe shpëtojnë kokat e vërteta.
Përplasja e brendshme e tregon qartë se ka ende nevojë për hetime më lart sesa Lefter Koka dhe, duhet analizuar mirë e gjithë lëvizja e parave.
Emailet e K.Z., lëvizjet e parave të koncensionarit, deklarimet e drejtoreshës së Damianit, skema e evazionit me faturime fiktive dhe, lidhjet e biznesmenëve me vendimmarrësit janë totalisht të pahetuara.
Tashmë është e qartë që ky hetim është i paplotë dhe me kosto të lartë sepse janë arrestuar e akuzuar njerëz, krejt kot. Të paktën deri më sot, kështu duket.
Zgjidhja e drejtë në këto kushte është:
- Ngritja e një grupi të ri hetimor.
- Bashkimi i të gjitha hetimeve për inceneratorët në një të vetme.
- Gjykata duhet të kthejë për hetim të gjitha akuzat e papjekura që janë ngritur deri tani.
- Lehtësim të masave të sigurisë për të arrestuarit e derisotëm.
- Kryerje e hetimeve të gjithanshme të thella e të plota mbi çdo aspekt.
- Pezullim i veprimtarisë tregtare dhe të pagesave për incenerim, deri në përfundim të hetimeve.
Nëse duan ta zbardhin këtë çështje, duhet të marrin këto masa dhe t’i lënë spiunllëqet kundër njëri-tjetrit nëpër gazetarë.
Ta lënë edhe Yurin edhe Ramën në punë të vet. SPAK është krijuar për të hetuar këtë të fundit, mos e harroni!
Ky duhet të jetë objektiv kyç i drejtuesit të ri të SPAK”.