Ekonomia

Tabaku: Çmimi i naftës që përcaktohet nga Bordi, në luftë me tregun e lirë

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku deklaroi sot se “kjo çmenduri me çmimet e larta të naftës që përcaktohen nga klubi i oligarkëve të shndërruar në bord është një luftë e hapur që i bëhet tregut të lirë dhe logjikës së lirisë”.

Në një postim në rrjetet sociale, Tabaku shprehet se “alibitë që kemi dëgjuar se gjoja klubi i oligarkëve të naftës bashkë me qeverinë po mbrojnë konsumatorët nga çmimet e larta ngjajnë si një eksperiment ku Klubi po përgatitet të mbajë tanimë çmimet mbi 200 lekë për litër. Ironikisht klubi i oligarkëve që do mbronte shqiptarët nga abuzimi nuk e ka zbritur thuajse asnjëherë çmimin poshtë 200 lekë/litër, ndërkohë që fitimet i ka rritur. Një koordinim perfekt me qeverinë, që ka pjesën e saj në çmimet e kripura dhe të hidhura të naftës”.

Sipas saj qeveria nuk ka negociuar asnjëherë Bordin për çmimin e naftës në pompën e benzinës kur çmimi ka rënë në çmime poshtë 100 $/barrelë.

Përkundrazi, thekson deputetja e PD-së, ministra dhe zv kryeministra janë angazhuar në mbrojtjen publike të Klubit ndërsa shqiptarët e paguajnë sa “frëngu pulën” një litër naftë.

Tabaku shton se rritja e çmimit të naftës ka efekte të jashtëzakonshme në rritjen e produkteve të shportës.

“Efektet në ekonomi gjithnjë e më të dukshme. Produktet e qumështit, mishit, vajrat, orizi të gjitha në rritje si pasojë e kësaj sjellje të pandershme dhe antikapitaliste. Në Gjermani mund të udhëtoje për 3 muaj të verës me një çmim prej 9 euro kryq e tërthor me transport publik. Në Shqipërinë e socializmit dhe klubit të oligarkisë paguan 220 lekë për litër çmimin e naftës, më i shtrenjti në rajon”, tha ajo.

Sipas saj, për të zgjidhur situatën duhet të hiqet Bordi, të ulet taksa e qarkullimit dhe taksat e tjera.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button