Kendi i Kikos
“Feja e shqiptarit është ndërkombëtaria”
Pas performancave spektakolare mbi drurët e pemëve, talenti më i madh që ka Kiko është kureshtja. Andaj jo pak herë hyn edhe në mendime, ja si këto të ditëve të fundit kur u njoh me rezultatet e sondazhit se kë besojnë më shumë/më pak shqiptarët. I lexoi disa herë pesë institucionet më të besuara dhe po aq herë pesë institucionet më pak të besuara dhe u përpoq të gjente disa argumente që mund t’i përgjigjeshin habisë së tij të stamposur mbi fytyrë.
Pesë institucionet që shqiptarët besojnë verbërisht:
-Ambasada amerikane
-Delegacioni i BE-së
-OSBE
-Liderët fetarë
-KQZ
“Shqiptarët kanë 32 vjet që brohorasin e ‘E duam Shqipërinë si gjithë Europa’, por për çudi më shumë besokërkan SHBA-në”, belbëzoi Kiko teksa ndiqte shifrat që mbushnin tabelat njëra pas tjetrës.
“Duaje atdheun, si shqiptari Amerikën”, ju kujtua Kikos një moto e shekullit të ri të vendit të shqiponjave.
Shqiptarët jo vetëm që e kanë festë kombëtare ditën e çeljes së lotarisë amerikane, por edhe janë të bindur se SHBA para halleve globale, luftës në Ukrainë, tensioneve me Kinën, ndryshimeve të klimës, fatit të NATO-s, etj, hall mbi hallet ka traun e vendosur në Divjakë, korrupsionin e qeverisë, apo primaret e opozitës.
Kur lexoi se OSBE ishte institucioni i tretë më i besuar Kiko fërkoi sytë dhe me gishtërinjtë që zorshëm komandonte hyri në Google për të kuptuar se çfarë është OSBE.
Megjithatë britma më e madhe e Kikos u dëgjua kur pa se në vendin e katërt për shkallën e besimit renditen “liderët fetarë”. “Unë e dija se feja e shqiptarit është shqiptaria, por këtu feja e shqiptarit qenka ndërkombëtaria”, i foli arsyes Kiko duke ngritur gjysmëkokën e tij drejt qiellit për disa çaste.
Gjithsesi, shpejt vendin e habisë e zuri humori kur Kiko lexoi shkronjat KQZ. E qeshura e një majmuni po që të zgjatka jetën dhe në këtë rast Kiko u mek së qeshuri por që s’mund të kuptohej se çfarë skena votimesh i vinin në mendje.
“Kaq të shenjë ta kenë votën shqiptarët?!”, pyeti veten por që s’mori dot përgjigjen që as ne vetë s’dimë ta japim.
Pasi pushoi disa hope publicitet televiziv, erdhi momenti kur Kiko do të njihej me rezultatet e sondazhit sa i takon institucioneve më pak të besuara.
“Dakord që shqiptarët nuk besojnë te qeveria, prokuroria/SPAK, gjykatat dhe qeveria, por si ka mundësi të mos besojnë partitë?”, tha ai duke vijuar me pikëpyetjet e tij:
“Në këtë vend që nuk gjen shqiptarë, por vetëm socialistë ose demokratë, si është e mundur që partitë nuk besohen?!
Mosbesimin te qeveria, parlamentit, drejtësia dhe media, Kiko e quajti si trend të kohës. Njerëzit nuk besojnë te institucionet dhe pushteti. Është koha që njerëzit besojnë Facebook, Twitter dhe TikTok.
“Tri pushtetet në Shqipëri (ekzekutivi, legjislativi, gjyqësori) pushtete që burojnë nga vota e shqiptarit nuk besohen, por besohet KQZ”, – tha Kiko.
Si shpjegohet që këta njerëz besojnë institucionet që nuk votohen nga askush dhe nuk besojnë institucionet që vetë i votojnë?!