Opinion

Feja në shkolla , a jemi gati ?

NGA ARIAN GALDINI

Ngasja për t’u përfshirë në këtë debat vjen ngase për shumë vite e kam pasur etikën si një nga elementët bazë të aktivizmave të mia civile dhe politike. Nuk i jam ndarë etikës si shtyllë kurrizore as kur të tjerë e interpretonin si klishe fetare, as kur kishte ndër ata që e konsideronin si të dalë kohe e mode. Në kërkim ndaj një kuptimi më të saktë e për rrjedhojë edhe me gjasa më përbashkues, e për t’u dhënë një përgjigje këtyre ngërthimeve mendimore rreth etikës, e ndiej se ndoshta sot kemi hyrë në një nga debatet bazike që vlen ta shqetësojnë një shoqëri. Le të themi si nisje, se unë nuk e besoj fare se Kryeministri Rama ka pasur qëllime kaq përmbajtësore kur shpalli idenë e tij më të re për edukimin fetar në shkolla. Ai është njeriu i rastësishëm, që për arsyet e fëlligështa të përllogaritjeve të tij elektorale e ndoshta edhe me sfond miqësish e qokash rajonale, ka nxjerrë nga goja e tij një ide që ka nevojë për një debat të rëndësishëm.

Mendimi me të cilin unë dakordësohem plotësisht është ai që ka shprehur antropologu Nebi Bardhoshi në një shkrim të tij, ku shkruan: “Le ta lëmë shkollën dhe fenë të ndarë, sepse kjo është ndër të vetmet fitore që ka arritur kjo shoqëri drejt një mendimi kritik. Të mos kërkojmë që as kisha e as xhamia t’u mësojnë ndjekësve të tyre mendimin laik. Por ndërkohë, as kisha e as xhamia të mos na kërkojë hapësira shkollore për mendimin fetar. Ndërkohë, askujt s’i mohohet mundësia që fëmija e tyre të edukohet prej fëmijëve apo në moshë madhore kushdo prej nesh mund të zgjedhë të artikulojë si të dojë botën e vet shpirtërore”.

Nisur nga kjo substancë, nuk mund të mos them se është pothuajse një rregull i përgjithshëm i gjithëpranuar që përcakton kthjelltazi se shkollat publike nuk mund t’u mësojnë fe nxënësve të tyre. T’u mësosh nxënësve për fenë nën një kontekst laik, po që është e mundshme. Që do të thotë se librat fetarë mund të studiohen në shkollat publike, vetëm për vlerat e tyre të mundshme historike, letrare dhe kulturore, por kurrë si predikim apo si inkurajim për pranimin e tyre si doktrina a dokumente të besimit.

Nëse flasim për përfshirjen e ‘mësimit për fenë’, e theksoj, jo ‘mësim të fesë’, por ‘mësim për fenë’, duhet të bëjmë kujdes edhe me emërtimet dhe përmbajtjen e këtyre lëndëve që të jenë më të qarta e bazuar në përvoja afatgjata të vendeve të zhvilluara. Këto lëndë mund të flasin për ndikimet e fesë në zhvillimet kulturore, historike, sociale, letrare, e detyrimisht fija ndërlidhëse është e domosdoshme të jetë përforcimi i koncepteve, si kuptueshmëria, toleranca, respekti për një shoqëri plurale. Programe të tilla kanë detyrimin që të edukojnë nxënësit edhe me parimet e lirisë fetare, si një nga kolonat themelore të lirisë dhe demokracisë në vend.

“Mësimi i fesë” çon drejtpërdrejt në indoktrinimin dhe praktikimin fetar, e nuk ka asnjë mëdyshje që duhet ndaluar qartësisht dhe vendosmërisht në shkollat publike. Kurrikula e një shkolle publike nuk mund të jetë kurrë përkushtimore apo doktrinore fetare, sikurse nuk mund të promovojë e as ndalojë fenë.

Të thëna sa më sipër, pyetjet legjitime që lindin janë krejt të natyrshme në kësi rastesh e debatesh. A jemi ne gati? A kemi ne mësues të përgatitur dhe të aftë për të kaluar nëpër fillin e hollë ku nuk duhet as të promovojë e as të denigrojë ndonjë fe të caktuar, fenë në përgjithësi apo mungesën e fesë a të besimit. Mësues të tillë duhet të jenë ekstremisht të ndjeshëm dhe të përgjegjshëm për të respektuar e për të mos ndërhyrë në besimin dhe praktikat fetare të nxënësve. E po ashtu nxënësit nuk duhet të inkurajohen nga shkolla, kurrikulat apo mësuesit për të pranuar a për t’u konformuar me një besim e praktikë të caktuar fetare, apo me besimin dhe praktikat fetare në përgjithësi, apo edhe me mosbesimin e mospraktikimin fetar.

A kemi ne njerëz të përgatitur, të aftësuar dhe të edukuar specifikisht për të krijuar programe të tilla në shkolla që është mirë që të dallojnë edhe koincidenca vlerash laike me ato fetare? P.sh., na vlen t’u mësojmë nxënësve në shkollat tona vlera të tilla si integriteti, ndershmëria, respekti për të tjerët, kuraja, mirësia dhe qytetaria e denjë. Por ndonëse përputhen si vlera laike me ato fetaret, këto nuk mund të mësohen kurrsesi në shkolla si vlera fetare. Gjithashtu në shkolla është mirë të mësohen edhe vlera të tilla si “mendimi i pavarur e kritik”, vetërespekti, urtësia, vetëbesimi dhe vendimmarrja logjike.

Sidoqoftë, edhe nëse biem dakord për programe që na “mësojnë për fenë” sido që të vendoset emërtimi i këtyre programeve, në shkollat tona publike, edhe këtu lindin disa probleme e shqetësime serioze.

A jemi ne gati që përtej vendimmarrjes politike e administrative për të lejuar të tilla programe, të gjejmë mësues në gjendje për të ruajtur neutralitetin dhe laicitetin në mësimdhënie? A jemi ne gati për një koordinim mes drejtuesve të shkollave, mësuesve të të tilla programeve dhe prindërve të nxënësve, si masë e detyrueshme, për shkak të një rreziku të lartë që ekziston pas çdo mënyre a forme të sjelljes së feve në klasat tona?

A jemi ne gati për t’u përballur nëpërmjet programeve, mësuesve dhe të gjithë linjës drejtuese e administrative të shkollave tona, me faktorë të tillë që janë aty e nuk shmangen dot, si p.sh.: Nxënësit janë shumë të ekspozuar ndaj rrezikut që i vendos përballë trysnisë së shokëve të tyre, syve publikë dhe shumicave mbizotëruese. Sidomos në shkollat fillore, ky rrezik është tepër i lartë. A jemi ne gati me kapacitete mësimdhënëse e programe të tilla që të mos bëjmë asnjë nxënës që të ndihet se besimi i tij/saj personal dhe familjar, vihen në diskutim, pyetje, krahasim, tejkalim apo më keq akoma në dyshim e komprometim? Asnjë nxënës nuk duhet të ndihet i/e cenuar apo veçuar për shkak të besimit dhe praktikave personale a familjare fetare ose jo.

A jemi ne gati për të diskutuar me një kujdes tejet të madh mbi shumicat dhe pakicat fetare? Përfshirja vetëm e feve të mëdha e tradicionale në klasa, mund të mos reflektojë diversitetin fetar e as lirinë fetare që ka sot vendi ynë dhe më gjerë. Ndaj nëse nuk dëshmojmë kujdes të madh, ne mund të mbjellim pa dashje shpërfillje dhe lënie pas dore të atyre që u përkasin pakicave fetare ose jo. E nëse nxënës që u përkasin këtyre pakicave qëllon që të jenë në klasa, atëherë ata mund të ndihen të përjashtuar ose të trysnuar.

A jemi ne gati me mësues, të cilët janë të aftësuar dhe ndërgjegjësuar për të mos e vendosur asnjë nxënës në rolin për të shpjeguar traditat e tyre fetare a kulturore? Kur fusim forma a mënyra të fesë në klasa, bëjmë mirë ta kuptojmë se nxënësit mund të mos jenë të përgatitur a informuar sa duhet, për të qenë të kujdesshëm në shpjegimin e besimit a kulturës së tyre tradicionale. E nëse ne e vendosim një nxënës në rolin e “zëdhënësit” apo shpjeguesit të fesë, besimit a kulturës së tij në klasë, është pothuajse si të japësh mesazhin se feja, besimi a kultura e tij janë shumë ekzotike për mësuesin dhe klasën. Përveçse ky rol për nxënësin mund të bëhet edhe shkas bulizmi, veçimi, përjashtimi etj., etj., nga shokët e tjerë të klasës.

A jemi ne gati me mësues që kanë formim, edukim dhe informacion të mjaftueshëm për fe të ndryshme?

A jemi ne gati që me futjen e në cilëndo formë a mënyrë të mësimit mbi fenë, të mos rrezikojmë të bëjmë të ndihen të cenuar ata që janë rritur dhe edukuar në familje jofetare?

E po barasvlefshmërisht, a jemi ne gati që me futjen e cilësdo formë a mënyrë të mësimit mbi fenë, të mos rrezikojmë të bëjmë të ndihen të cenuar ata që janë rritur dhe edukuar në familje thellësisht fetare?

Ka edhe një mal me çështje e pyetje që mund të bëhen e ngrihen, por unë uroj shumë sinqerisht që deklarata e Kryeministrit Rama të mos merret seriozisht, si çdo deklaratë që ai bën për arsye elektorale apo politike.

Por shoqëria jonë fiton shëndet, nëse e zhvillon këtë debat.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button