Kronika

Festat e fundvitit, qeveria jep dy paga shpërblim për policët

Cilët përfitojnë nga vendimi i djeshëm, përllogaritja për më të dalluarit sipas rrezikshmërisë në punë

Nga Mariglen Mullai

Efektivët e Policisë së Shtetit do të marrin shpërblim deri në dy paga, pasi qeveria zhbllokoi fondin prej 100 milionë lekësh të reja. Ky vendim, i marrë dje nga Këshilli i Ministrave dhe i firmosur nga Kryeministri Edi Rama, pason atë të pak ditëve më parë, kur u vendos rritja e pagës me 8 mijë e 500 lekë të vjetra në muaj për rreth 1400 efektivë të Gardës së Republikës. Kësisoj, me vendimin e djeshëm, çdo polic që ka marrë pjesë në aksione të rrezikshme dhe është shquar për veprime kurajoze, apo ata që kanë arritur rezultate të larta në detyrë, do të shpërblehen me një shumë që maksimumin e saj ka dy paga mujore. Në total pritet të përfitojnë rreth 1000 efektivë policie, por gjithsesi burimet policore i thanë gazetës “Shqip” se nisur nga praktikat e mëparshme, shuma e përfituar nga efektivët nuk është e njëjtë për të gjithë, pasi përllogaritja do të bëhet në bazë të rrethanave dhe rrezikshmërisë që kanë hasur policët në aksione.

Përllogaritja

Një shembull që merret është aksioni i 2 dhe 3 tetorit të këtij viti, kur policia rrethoi në Shkodër Rruzhdi Ashtën, të sëmurin mendor që kishte plagosur fqinjin dhe më pas vrau Simon Gjetën, komandantin e FNSH-së së këtij rrethi. Përllogaritja e shpërblimit për efektivët që morën pjesë në operacionin 12-orësh, do të kryhet në bazë të vendndodhjes dhe rrezikut të policëve, pra nuk do të marrin të gjithë të njëjtën shumë monetare. Nëse një efektiv i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, që paguhet mesatarisht 50 mijë lekë të reja në muaj dhe që ishte prezent atë natë në Shkodër, në bazë të planit operacional, i ishte afruar banesës në rrezen që rrezikonte jetën nga plumbat, mund të marrë deri në dy paga të plota shpërblim. Një tjetër koleg që ka mbajtur zonën të rrethuar, pra ishte larg zonës së rrezikshmërisë, do të përfitojë më pak se rasti i mëparshëm.

Cilët përfitojnë

Ndërkaq, në sitën e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, kanë kaluar të gjithë policët që kanë marrë pjesë në aksione të tjera për arrestimin e personave të shumëkërkuar për krime të rënda. Operacionet antidrogë, me rrezikshmëri të lartë, ku ka pasur edhe infiltrime policësh, si dhe ndërhyrja në kohë për parandalimin e vrasjeve, janë gjithashtu në listën e rasteve, për të cilat efektivët do të dëmshpërblehen. Në njësitë përfituese të shpërblimit përfshihen komisariatet, drejtoritë vendore të Forcave Speciale, si dhe struktura të hetimit të krimeve në Policinë e Shtetit. Nga burimet policore mësohet se shpërblimet janë përfituar në operacione relativisht të vështira, si ngjarja e Lazaratit ku mbeti i vrarë efektivi i policisë, Ibrahim Basha, apo operacioni antidrogë i koduar “Xibraka” i zhvilluar në Elbasan. Po kështu, efektivët e policisë pjesëmarrës në operacione si ato antikanabis të kryera në Dukagjin, ai i kapjes së vrasësit të turistëve çekë ose edhe të tjera me rrezikshmëri të lartë, nuk kanë mundur të marrin shpërblimet e akorduara. Fondi i veçantë i Policisë së Shtetit, që përdoret për shpërblimet, u miratua me Vendim të Këshillit të Ministrave, pas propozimit të ministrit të Financave dhe atij të Brendshëm. Në vendimin e djeshëm thuhej se qeveria vendosi lejimin e Policisë së Shtetit për përdorimin e fondit prej 98.400.000 lekësh, nga fondi i pagave, të planifikuar për vitin 2015, në programin buxhetor “Policia e Shtetit”, për shpërblimin e punonjësve të Policisë së Shtetit, që kanë arritur rezultate të larta në kryerjen e detyrës. “Masa e shpërblimit të jetë deri në 2 paga mujore. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi”, thuhej në njoftimin zyrtar të qeverisë. Ministria e Brendshme ka fondin e posaçëm të saj ndërsa i duhet të bëjë edhe propozimet përkatëse. Një situatë e tillë duket se ka ndodhur për shkak se fondet nuk menaxhohen në mënyrë të drejtpërdrejtë nga kreu i Policisë së Shtetit, por duhej miratuar më parë me një vendim qeverie pas propozimeve përkatëse. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit i ka dërguar kërkesë Ministrisë së Financave dhe posaçërisht Thesarit të Shtetit, për të zhbllokuar fondin e posaçëm që policia e disponon dhe e përdor për shpërblimet.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button