Festivali i Gastronomisë vjen me super program muzikor dhe shumëllojshmëri të ushqimeve
Stinës së verës në qytetin e Prishtinës do t’i shtohet edhe një atmosferë e ngrohtë me rikthimin e Festivalit të Gastronomisë.
Në po të njëjtin vend si vitin e kaluar, në sheshin “Adem Jashari”, Prishtina Gastronomy Festival do të ofrojë për gjithë adhuruesit e muzikës program special muzikor, për gjithë dashamirët e kuzhinës shumëllojshmëri të ushqimeve, si dhe aktivitete të ndryshme për gjithë gjeneratat nga data 20 korrik deri me 27 korrik.
Nata e parë e festivalit me 20 korrik, do të hapet me një koncert madhështor nga legjenda e muzikës shqiptare Armend Rexhepagiqi. Me hitet e tij të pavdekshme Rexhepagiqi do të pushtojë skenën e Festivalit të Gastronomisë, duke u rikthyer me këtë koncert para publikut pas më shumë se një dekade.
Muzikën e atmosferën e kësaj performance të shumëpritur do të mund ta shijoni me pije dhe ushqime të shumëllojshme, duke filluar nga ato tradicionale e deri tek ushqimet moderne të kuzhinave ndërkombëtare.
E nata e dytë e festivalit do të vijë me një performancë unike të artistit të mirënjohur e të dashur për publikun, Sinan Vllasaliu i cili do të vijë me një super orkestër, e do të këndon këngët e viteve të 90-ta nga albumi “Plagët e lirisë”.
Nata e tretë, e 22 korrikut, do të sjellë në skenën e Festivalit të Gastronomisë këngëtaren e njohur nga Shqipëria, finalisten e The Voice of Albania 1, Marsela Çibukaj, e cila do të përformojë për publikun gjithë hitet e saj.
Me një muzikë më të lehtë do të filloi nata e katër, ajo e 23 korrikut, me këngëtaren Nezafete Shala e cila identifikohet më shumë me muzikën popullore të Shqipërisë së mesme, popullore qytetare dhe klasike. E pjesa e dytë e natës së katër të Festivalit të Gastronomisë, do të vazhdojë nën tingujt e grupit të mirënjohur pop-rock Fisnikët.
Me muzikë klasike dhe të lehtë do të nis edhe nata e pestë me 24 korrik në skenën muzikore të vendosur në sheshin “Adem Jashari”, aty do të performojë këngëtari i njohur Denik Prizreni, i cili është bariton i Filarmonisë së Kosovës, dhe ka prezantuar Kosovën në shumë koncerte botërore.
Por as kjo natë nuk përfundon me kaq, meqë pas performancës së Denik Prizrenit, skenën do ta pushtoj grupi i njohur i artistëve të rock muzikës Jericho.
E me 25 korrik, në natën e gjashtë të Prishtina Gastronomy Festival do të mund të argëtoheni nën tingujt e muzikës së grupit të njohur String String, si dhe muzikën pop të artistes së njohur shqiptare Eneda Tarifa.
Muzika e argëtimi vazhdon edhe në natën e 26 korrikut, me këngëtaren e muzikës pop Nita Latifi si dhe këngëtarin e muzikës jazz Dren Abazi.
E nata përmbyllëse e edicionit të tretë të Prishtina Gastronomy Festival, do të ofrojë koncert madhështor me këngëtarin e muzikës popullore qytetare, Edi Furra, i cili do të performojë me orkestër prej rreth 20 profesionistëve.
Gjatë gjithë këtyre tetë netëve brenda hapsirës së rezervuar do të ketë shtëpiza që do të ofrojnë ushqime për shije të ndryshme, pije freskuese, si dhe pije për të vegjlit, për të cilët edhe do të ketë kënd të lojërave e argëtimit.
E derisa fëmija argëtohen në këndin e lojrave, të tjerët do t’i kenë tavolinat ku do të mund të mblidhen me familjen, me shoqërinë, me të kolegët për të festuar e shijuar atmosferën që do të ofrojë programi i spikatur muzikor.
Derisa çdo pagesë që do të bëhet brenda festivalit do të jetë pa para në dorë, pa para kesh, pa para me kartelë bankare, pasi tek hyrja e festivalit do të jenë kartelat të cilat mund t’i merrni dhe të depozitoni para, të cilat pastaj mund t’i shfrytëzoni brenda hapësirës së festivalit. Mos u shqetësoni nëse ju mbesin para që keni depozituar në këto kartela të festivalit ato do të mund t’i tërhiqni prapë.
E ajo çfarë është e pashmangshme për të shijuar gjithë kënaqësitë që ofron festivali është bileta, pa të cilën sigurisht nuk mund të hyni brenda. Prandaj, që nga tani mund të bleni biletën për ditët që dëshironi të merrni pjesë në Prishtina Gastronomy Festival, duke klikuar mbi vegzën www.rave-travel.com.
Biletat ditore mund të blihen edhe tek hyrja e festivalit, megjithatë bazuar edhe nga viti i kaluar nuk ju preferojmë t’i leni për momentin e fundit, meqë edhe mund të mos ketë më bileta të lira.
Prandaj, mos harroni klikoni www.rave-travel.com dhe rezervoni biletën tuaj për Prishtina Gastronomy Festival, që të krijoni momente të paharrueshme nga vera 2023 në Prishtinë.
Edicionin e vitit të kaluar Prishtina Gastronomy Festival pati rreth 18 mijë vizitorë dhe program të jashtëzakonshëm, përshtypjet e vizitorëve të vitit 2022 si duket kanë rritur dëshirat edhe të shumë njerëzve tjerë që të përjetojnë së paku një nate feste në festivalin e tri gjeneratave, në Festivalin e Gastronomisë.