Ekonomia

Fieri me ritme të larta, Dibra rrëshqet poshtë

Rajoni Qendror ka 46% të PBB-së totale. Jugu, me rritje më të lartë se Veriu

Nga Zamir Alushi

Press release (Professional design)Struktura e ekonomisë shqiptare po dendësohet në Rajonin Qendror, në mungesë të plotë ekuilibri me Veriun dhe Jugun e vendit. Kjo del nga rezultatet e publikuara prej INSTAT-it, për Produktin e Brendshëm Bruto (PBB) për vitin 2012, sipas rajoneve statistikore në nivelet 1, 2 dhe 3 të përcaktuara në bazë të Nomenklaturës së Njësive Territoriale për Statistika të BE-së. Kështu, INSTAT-i është një hap para politikës me ndarjen territoriale, duke aplikuar standardet europiane për rajonet (harta e miratuar në Kuvend nuk ka ndarje në rajone, sepse do të duhej të ndryshohej Kushtetuta). Në vitin 2012, sipas rajoneve statistikore, niveli 1 (Republika e Shqipërisë), PBB-ja me çmime korrente ishte 1 335,5 miliardë lekë, duke shënuar një rrije prej rreth 1,6% krahasuar me vitin 2011. Kjo është shifra që del pas rishikimit të PBB-së vjetore, e cila është më e lartë se ajo që është deklaruar në atë kohë, që ishte 1.3%.

Rajonet

Sipas rajoneve statistikore, niveli 2, në Qendër (Tiranë, Elbasan), PBB me çmime korrente ishte 615,3 miliardë lekë ose 46,1% ndaj totalit të PBB-së së vendit. Krahasuar me vitin 2011, rritja ekonomike shënoi një rritje prej 1,6%. PBB-ja në Rajonin Jug (Berati, Fieri Vlora, Korça, Gjirokastra), ishte 399,7 miliardë lekë ose 29,9% ndaj totalit të vendit. Në raport me vitin 2011, ekonomia u rrit me 1,0%. Ndërsa në Rajonin Veri (Dibra, Durrësi, Kukësi, Lezha, Shkodra), PBB-ja ishte 320,5 miliardë lekë ose 24,0% ndaj totalit të PBB-së. Përkundër vitit 2011, PBB-ja shënoi një rritje prej 2,3%. Sipas rajoneve statistikore, niveli 3 (qarqet) vlera më e ulët në PBB paraqitet në Qarkun e Kukësit me 27,9 miliardë lekë ose 2,1% ndaj totalit të PBB-së. Krahasuar me një vit më parë, PBB-ja e Qarkut Kukës u përkeqësua me 4,3%. Vlera më e lartë në PBB paraqitet në Qarkun e Tiranës me rreth 510 miliardë lekë ose 38,2% e totalit. Në raport me një vit më parë, ekonomia u rrit 2,1%.

PBB për frymë

Në vitin 2012, niveli i PBB-së për frymë në shkallë vendi ishte rreth 460 mijë lekë. Krahasuar me vitin 2011, PBB-ja për frymë u rrit me 2,7%. Në Rajonin Qendër, PBB-ja për frymë në vitin 2012 ishte rreth 565 mijë lekë ose 22,7% mbi mesataren e vendit. PBB-ja për frymë në Rajonin Qendër, në raport me 2011-n, pati vetëm 0,9% rritje. Në Rajonin Veri, PBB-ja për frymë ishte 372 mijë lekë ose 19,3% nën mesataren e vendit. Krahasuar me një vit më parë, PBB-ja për frymë në Veri shënoi një rritje 3,1%. Në Rajonin Jug, PBB-ja për frymë në vitin 2012 ishte rreth 421 mijë lekë ose 8,5% nën mesataren e vendit. Ajo që vlen të theksohet për Jugun, është se në raport me një vit më parë, PBB-ja për frymë u rrit 5,0%, megjithëse ky vit ishte kulmi i krizës, kur efektet e rënies së ekonomisë europiane u ndien fort në Shqipëri. Në nivel qarqesh, Tirana dhe Fieri janë në krye të listës së PBB-së për frymë, me 41% dhe 13% mbi mesataren e vendit, të ndjekura nga Durrësi, ndërsa qarqet e tjera janë më poshtë mesatares. Fieri në këtë vit krize është rritur me 16% në raport me 2011-n, ndërsa Tirana është rritur vetëm 0.8%. PBB-ja për frymë për qarqet e tjera ishte nën mesataren, ku më e ulëta ishte ajo e Qarkut të Dibrës me rreth 310 mijë lekë ose 32,7% nën mesataren e vendit. Më tej, me PBB-në për frymë më të ulët vijon Qarku i Kukësit, me rreth 320 mijë lekë ose 30,5% nën “vijën e kuqe”.

Fuqia blerëse

PBB-ja e shprehur në Standardin e Fuqisë Blerëse (Purchasing Power Parities – PPS) në vitin 2012, është 21.790 PPS ose 29,5% e mesatares së Bashkimit Europian BE28 = 100. Në Rajonin Qendër, PBB-ja për frymë në PPS për vitin 2012 ishte 36,1%, ndërsa në Veri dhe Jug ishte përkatësisht 23,8% dhe 27,1%.

Struktura ekonomike

Veriu ka më të zhvilluar sektorin e transportit, bujqësinë dhe industrinë përpunuese. Por, ndërsa transporti zë 47% të strukturës ekonomike, sjell vlerë të shtuar bruto vetëm 7.5% të totalit. Të ardhurat më të larta sigurohen nga bujqësia dhe shërbimet me 28% dhe 27%. Jugu ka shumë të zhvilluar bujqësinë me 48% dhe industrinë që zë 41%. Ndërsa të ardhurat më të larta i ka nga shërbimet me 36% dhe bujqësia me 35%. Kryeqyteti ka më të zhvilluara shërbimet, tregtinë, ndërtimin, nga ku siguron vlerën e shtuar bruto. Nga një vështrim i të dhënave, del se Jugu dhe Veriu, megjithëse kanë të zhvilluara industrinë nxjerrëse dhe industritë e tjera, kontributi në PBB nga këta sektorë është i ulët. Kjo dëshmon korrupsionin ekonomik dhe politik në administrimin e pasurive natyrore dhe të objekteve industriale.

Fjalor

Standardi i Fuqisë Blerëse (PPS) është një njësi monedhe artificiale që merr parasysh ndryshimet në nivelet kombëtare të çmimeve.

Indeksi

Indeksi i volumit i PBB-së për frymë i shprehur në Standardin e Fuqisë Blerëse (PPS) jepet në raport me mesataren e BE-së (BE28=100).

Qendra

Në Rajonin Qendër (Tiranë, Elbasan), PBB-ja me çmime korrente ishte 615,3 miliardë lekë ose 46,1% ndaj totalit të PBB-së së vendit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button