FIFA – si reagojnë sponsorët?
Që në vitin 2014 partnerët e marketingut të FIFA-s reaguan me shqetësim ndaj akuzave për korrupsion kundër kësaj organizate dhe kërkuan sqarim. Në aferën aktuale ata kanë rritur presionin – për të mbrojtur edhe veten.
“Ka rëndësi që tani të nisë një kthesë. Ne e kemi informuar FIFA-n, se do ta rishqyrtojmë sponsorizimin, nëse FIFA nuk arrin të ndryshojë”. Më qartë se gjigandi amerikan i kartave të kreditit, VISA, nuk ka reaguar askush publikisht prej pesë sponsorëve më të rëndësishëm të FIFA-s, ndaj arrestimit të funksionarëve drejtues të shoqatës. Edhe partnerët e tjerë të FIFA-s shprehën pakënaqësinë e tyre. Prodhuesi koreanojugor i automobolibëve, Hyundai u tregua “jashtëzakonisht i shqetësuar për hapat e nisur juridikë kundër funksionarëve të caktuar drejtues të FIFA-s. Prodhuesi i artikujve sportivë, Adidas u ankua për titujt e këqij të gazetave, që nuk marrin fund. Ato nuk janë të mira as për futbollin, as për FIFA-n dhe as për sponsorët.
Gazprom i qendron besnik FIFA-s
Koncerni energjetik rus Gazprom megjithë skandalin i përmbahet mbështetjes së tij për FIFA-n. “Gjendja e FIFA-s nuk ka ndikim në marrëvëshjen e sponsorizimit me Gazprom”, i tha zëdhënësi i koncernit Sergej Kuprijanov agjencisë së lajmeve Tass të enjten. Monopolisti shtetëror ka deri në vitin 2018 një marrëveshje si partner zyrtar i shoqatës botërore. Rusia do të organizojë në vitin 2018 turneun.
Nike: jo i akuzuar, por pjesë e aktakuzës së SHBA.
Nike vërtet që nuk përmendet në rastin aktual dhe nuk është ngritur akuzë kundër tij. Megjithatë, në aktakuzën e SHBA shfaqen emrat e menaxherit të marketingut sportiv Jose Hawilla dhe të firmës së tij “Traffic Group”. Këtu me sa duket bëhet fjalë për ryshfete ndaj një funksionari të nivelit të lartë brazilian të FIFA-s, pasi një prodhues amerikan i artikujve sportivë mori në vitin 1996 të drejtat e pajisjes për ekipin kombëtar të Brazilit dhe për Shoqatën e Futbollit. Edhe nëse emri nuk përmendet – të gjithë e dinë se është Nike që e vesh që prej vitit 1996 Seleçaon.
Vetëm rrallë partnerët e sponsorizimit të FIFA-s e ndërmarrin hapin e fundit – ndarjen nga FIFA – siç e bëri këtë koncerni i elektronikës Sony dhe shoqëria arabe e fluturimit Emirates nga Dubai. Largimi i dy koncerneve në vitin 2014 zyrtarisht u justifikua me strategji të reja publicitare. Por për vëzhguesit kjo nuk është e palidhur me skandalet e paanalizuara të korrupsionit te FIFA. Nëse sponsorët më të rëndësishëm do t’i kthejnë vërtet kurrizin FIFA-s, kjo varet para së gjithash nga fakti se çfarë dinamike do të marrë e gjithë puna, thotë ekonomisti i sportit Vöpel për DW. “Kur dëmi në reputacion në medie dhe në publik përhapet shumë shpejt, ajo që për vite të tëra ka funksionuar mirë shkatërrohet shpejt.”