Fillojnë hetimet për Pallatin e Drejtësisë
Investitori kryesor i ndërtesës, Bashkimi Evropian ka kërkuar hetime për projektin 30 milionësh të ndërtimit të Pallatit të Drejtësisë për shkak të aksidenteve që nuk po kanë të ndalur në këtë objekt. Prokuroria ka konfirmuar se ka nisur hetime për Pallatin e Drejtësisë.
Një nga projektet më të mëdha të Bashkimit Evropian në Kosovë, ndërtimi i pallatit të drejtësisë ka dalë të jetë jo vetëm zhgënjyese për investitorin. Ky objekt, që mori jetën e një njeriu gjatë ndërtimit dhe po rrezikon edhe shëndetin dhe jetët e stafit prokurorial e gjyqësor, për shkak të defekteve të lëna, është bërë objekt hetimi në prokurori.
Nga prokuroria është konfirmuar se tashmë do hetohet edhe çështja e parregullsive rreth ndërtesës.
Për investitorin që dha rreth 30 milionë euro aksidentet në këtë objekt nuk janë më vetëm për keqardhje, por po shihen si të patolerueshme për faktin se shëndeti dhe jeta e njerëzve po vihen në rrezik.
Nga Zyra e Bashkimit Evropian dhe e Përfaqësuesit Special i BE-së i kanë thënë Radio Kosovës se po mbledhin të dhënat rreth situatës me projektin e kësaj ndërtese. “ Si investitori kryesor Zyra e BE-së është duke e vëzhguar nga afër situatën për të kërkuar përgjegjësi dhe veprime të nevojshme nga të gjitha palët e përfshira”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së BE-së.
Kryetari i Sindikatës së punëtorëve, Asllan Rusinovci, i ka thënë Radio Kosovës se pavarësisht hetimeve që kanë nisur shëndeti i njerëzve po rrezikohet dhe politika po ndikon për t’u heshtur rastet. Ngjashëm kishte ndodhur ditën kur për ta promovuar kishte ardhur Komisionari evropian për Politika të Fqinjësisë dhe Zgjerimit, Johanes Han.
Aty, sipas tij, policia me kërkesë të Ministrisë së Drejtësisë pengoi punëtorët për të protestuar.
Me 19 janar kompania ndërtuese franceze “Louis Berger” i kishte dorëzuar projektin e kompleksit Ministrisë së Administratës Publike. Sipas kërkesës Komuna e Prishtinës kishte lëshuar lejen e përdorimit me 11 shkurt 2015.
Por, pranimi teknik i bërë nga komuna e Prishtinës nuk kishte përcaktuar nivel rreziku në ndërtesë. Për një javë rresht në Komunën e Prishtinës nuk janë përgjigjur se si u dha leje përdorimi për një objekt me kaq shumë defekte .
Ministria e Administratës Publike nuk ka treguar nëse i ka marrë seriozisht shqetësimet dhe kërkesën për raport hetues të Bashkimit Evropian. Krejt çka ka konfirmuar zëdhënësi i kësaj ministrie Zeqir Bekolli është se objekti ndodhet në periudhën e garancionit.
“Eliminimin e defekteve e ka për detyrë ta bëjë kryesi i punimeve . Ata janë të pranishëm në ndërtesën e Pallatit të Drejtësisë”, ka thënë Bekolli.
Ministria e Administratës Publike mësohet se ka nënshkruar edhe një kontratë tjetër 3 mujore me kompaninë “Hidroterm” pronë e ish kryetarit të Komunës së Suharekës, Blerim Kuqi. Kjo kompani më herët për këtë ndërtesë kishte fituar një tender 6 milionë eurosh.
Por, Kuqi nuk është përgjigjur rreth punëve që ka kryer kompania e tij dhe as për defektet që i përkasin hises së tij në këtë pallat.
Radio Kosova ka kontaktuar edhe kompaninë “ Louis Berger”, e cila kishte fituar tenderin kryesor për ndërtimin e këtij pallati. Por, zyrtarët e kësaj kompanie nuk janë përgjigjur rreth pohimeve për korrupsion.