Politika

“Financial Times”: “Italia e vogël”, turistët vërshojnë në resortet me kosto të ulët të Shqipërisë

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni zhvilloi një vizitë të papritur në Shqipëri këtë javë, duke iu bashkuar mijëra pushuesve verorë që kanë zgjedhur vendin ballkanik për shkak të çmimeve në rritje të Italisë dhe motit ekstrem, sipas “The Financial Times”.

Meloni zgjodhi një rrugë me kosto të ulët, duke marrë një traget nga rajoni jugor italian i Puljas, ku ishte me pushime me familjen e saj drejt portit shqiptar të Vlorës.

Një nga vendet më të varfra të Evropës, Shqipëria ka luftuar për dekada për të hequr reputacionin e korrupsionit dhe krimit të organizuar që ka nxitur qindra-mijëra shqiptarë të emigrojnë. Por, tani vendi po gëzon një rimëkëmbje ekonomike, pjesërisht për shkak të një bumi turistik.

“Të tërhequr nga plazhet e tij mesdhetare me çmime konkurruese, pasagjerët e linjave ajrore në Shqipëri u dyfishuan në qershor krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë”, sipas ACI Europe, një shoqatë e operatorëve të aeroporteve.

“Hapja e linjave me kosto të ulët për në aeroportet shqiptare kontribuoi në këtë rritje”, tha ACI.

Gjithashtu, u rritën edhe qëndrimet gjatë natës, pasi shifrat e fundit të Eurostat raportuan 261 000 netë të kaluara nga turistë të huaj në Shqipëri në tremujorin e parë, ose 152 për qind më shumë nga e njëjta periudhë e 2019-ës.

Turizmi i huaj në Shqipëri ka lulëzuar që nga viti 2019, ndërsa udhëtimet në disa destinacione tradicionale evropiane si, Italia, nuk janë kthyer në nivelet e para pandemisë.

Shumë pushues në Shqipëri janë italianë dhe i kanë shmangur udhëtimet brenda vendit.

“Ndërsa turistët e huaj vazhdojnë të dynden në Itali, me 43 për qind në katër muajt e parë. Krahasuar me të njëjtën periudhë në 2022, udhëtimet brenda vendit ranë 20-30 për qind në krahasim me vitin e kaluar në rajone të caktuara”, sipas organit të tregtisë së turizmit “Federturismo”.

Marina Lalli, kryetare e Federturismo, tha se rënia e numrit të turistëve vendas shërben si një kambanë alarmi.

Ministria italiane e Financave tha se ishte duke u mbështetur tek turistët për të rritur produktin e brendshëm bruto (PBB) të vendit në tremujorin e tretë pas të dhënave zhgënjyese të tremujorit të dytë, kur prodhimi u tkurr 0,3 për qind krahasuar me tre muajt e mëparshëm.

Përveç çmimeve të larta, valët e të nxehtit, zjarret në jug dhe stuhitë veriore kanë çuar në anulime udhëtimeve në minutën e fundit këtë verë. Në Sicili, një zjarr dhe një shpërthim vullkanik mbylli aeroportin e Katanias, duke çuar në mijëra anulime dhe akuza për përgjigjen e ngadaltë të autoriteteve.

Mediet tradicionale në Itali e kanë cilësuar gjithashtu Shqipërinë si destinacionin “trend”, duke i cilësuar plazhet e saj me rërë fildishi si “Karaibet e Evropës”.

Meloni u shoqërua në udhëtimin e saj të profilit të ulët nga partneri i saj dhe vajza e tyre gjashtëvjeçare.

“Ata u takuan me homologun e saj, Edi Rama, dhe familjen e tij të hënën dhe të martën”, sipas një burimi.

Një zyrtar italian tha se Meloni mori pjesë në një darkë të organizuar nga Edi Rama të martën.

Megjithatë, disa medie vendase dhe një tjetër zyrtar italian thanë se ajo u kthye në Itali të martën për të festuar “Ferragosto”, një festë kombëtare.

Zëdhënësit e kryeministres nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.

Rama në fillim të kësaj jave e përshkroi Melonin si një “tigër”.

I njohur për stilin e tij konfrontues, kryeministri shqiptar u mburr në rrjetet sociale me foto që tregonin tragete plot me turistë italianë, duke i etiketuar me ironi si një “pushtim”, një term pasi lideri fashist Benito Musolini pushtoi Shqipërinë në 1939 deri në 1943, kur nazistët pushtuan vendin.

Ai tha se në vendin e tij arritën pothuajse gjysmë milioni turistët italianë, këtë vit. Mediet italiane e vlerësojnë shifrën në më shumë se 300,000, ose 57 për qind më shumë krahasuar me vitin 2022.

Ndërsa çmimet janë rritur në Itali, turistët ndërkombëtarë janë joshur nga kostot më të ulëta shqiptare, nga akomodimi në hotel deri te restorantet dhe shezlongët.

Agjencia Federale e Statistikave të Gjermanisë zbuloi së fundmi çmimet e restoranteve dhe hoteleve në Shqipëri, të cilat ishin 56 për qind më të ulëta se ato të Gjermanisë, duke e bërë atë destinacionin më të lirë të pushimeve në Evropë.

Midis vizitorëve ishte Nicolas Ferrero, një prodhues protezash 28-vjeçar, nga qyteti portual i Riminit, në Italinë veriore.

Ai e përshkroi udhëtimin me traget si “kaos” ku ndodheshin shumë britanikë, italianë dhe shqiptarë në bord.

Kur mbërriti në resortin e Sarandës pranë kufirit grek, plazhi ishte i mbushur plot me italianë.

“Ishte Italia e vogël”, tha ai.

Ferrero tha se prej kohësh donte të vizitonte vendin pasi u rrit në një komunitet që përfshinte disa migrantë shqiptarë. Meqenëse ai “tashmë kishte parë pjesën më të madhe të Italisë”, kjo ishte një kulturë dhe kuzhinë e re për t’u eksploruar.

Një bonus është se shumë shqiptarë flasin italisht.

Disa blogerë italianë udhëtimesh kanë promovuar gjithashtu udhëtimet në Shqipëri.

Një udhëtim vajtje-ardhje nga Bari në Durrës kushton rreth 100 €. Udhëtimet e kthimit nga Roma ose Genova në ishullin italian të Sardenjës mund të kushtojnë dy herë më shumë.

Ferrero pagoi 360 euro për një javë në një apartament me katër dhoma gjumi në Sarandë.

Ministri italian i Bujqësisë Francesco Lollobrigida, kunati i Melonit, i cili iu bashkua kryeministrit në Pulia, kritikoi së fundmi përpjekjet e Shqipërisë për të konkurruar me Italinë në turizëm.

“Është e qartë se ka vende të tjera në bregdetin e Adriatikut që duan të jenë si Pulja, por ajo që mund të gjeni këtu nuk mund të gjendet diku tjetër”, tha ai.

Rama ka kërkuar të forcojë lidhjet me Italinë përtej turizmit.

Një fushatë e propozuar “Made in Italia-Albania” synon të ndihmojë Tiranën të nxjerrë certifikatat e vajit të ullirit dhe verës sipas standardeve të BE-së.

“Është një qëllim përfundimtar”, tha një zëdhënës i Ministrisë së Bujqësisë.

Një zgjerim i shpejtë i resorteve përgjatë bregdetit shqiptar si në fshatin Palasë në Vlorë ka shkaktuar polemika, me shtëpitë tradicionale që i hapin rrugë hoteleve të mëdha, gjithëpërfshirëse, aksionerët më të mëdhenj të të cilëve janë shpesh politikanë.

Ferrero vuri në dukje se apartamenti i tij i pushimeve në Sarandë ishte gjysmë i ndërtuar, si shumë hotele të tjera.

“Dukej se ata nuk ishin gati për bumin e turizmit”, tha ai.

Filippo de Miccolis Angelini, i cili drejton një hotel në Pulja, tha se italianët duhet të përfitojnë nga lidhjet e transportit shqiptar të Barit për të rritur ardhjet në Italinë më të varfër jugore.

“Nga përhapja e turistëve në të gjithë Adriatikun mund të përfitojnë të gjithë”, tha ai.

“Është e gabuar të dërgosh mesazhin se Shqipëria është e lirë. Rrëfimi duhet të jetë rreth kulturës, aventurës, autenticitetit”, tha ai.

Duke iu referuar një rruge të lashtë të ndërtuar nga romakët kur Shqipëria ishte pjesë e perandorisë së përhapur, De Miccolis Angelini tha:

“E jona mund të jetë një ofertë e përbashkët, të krijojmë sërish Via Egnatia-n e madhe’, tha De Miccolis Angelini duke iu referuar një rruge të lashtë të ndërtuar nga romakët kur Shqipëria ishte pjesë e perandorisë së përhapur.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button