Finlanda azilkërkuesve shqiptarë u ka dhënë përgjigje negative
Zyra e Migracionit në Finlandë ka theksuar me anë të një njoftimi për shtyp se, të gjithë azilkërkuesit shqiptarë të këtij viti kanë marrë përgjigje negative.
Duke evidentuar se “numri i azilkërkuesve shqiptarë në Finlandë është rritur ndjeshëm gjatë verës 2015, kjo zyrë thekson se, “të gjithë azilkërkuesit shqiptarë të këtij viti kanë marrë përgjigje negative”.
Zyra e migracionit e konsideron Shqipërinë një vend të qetë lidhur me situatën e përgjithshme të sigurisë. Sipas kësaj zyre Vendimet ndaj kërkesave për azil të shqiptarëve janë marrë kryesisht më procedurë të përshpejtuar dhe janë konsideruar si të pabazuara. Ndërsa theksohet se, kërkesat do të shqyrtohen dhe do të zgjidhen pa vonesë.
“Shumë prej azilkërkuesve kanë kërkuar edhe ndihmë për kthim vullnetar në atdhe. Finlanda nuk e miraton automatikisht këtë ndihmë për të gjithë. Nëse ka arsye për të dyshuar se sistemi i ndihmës për kthim vullnetar keqpërdoret, atëherë nuk miratohet ndihma”, thuhet në njoftim, transmeton gazetatema.
Madje Zyra e Migracionit në Finlandë shton se, bashkë me përgjigjen negative mund të merret edhe ndalim hyrje në zonën e Schengenit.
“Mund të kërkoni azil në Finlandë nëse keni arsye të frikësoheni se do të përndiqeni në vendin tuaj. Nëse kërkesa për azil ju refuzohet dhe ajo konsiderohet e pabazuar, atëherë kjo mund të nënkuptojë edhe ndalimin e hyrjes në të gjithë zonën e Schengenit. Kohët e fundit të gjithë shqiptarët që kanë marrë përgjigje negative, kanë marrë edhe ndalim hyrje”, thuhet në njoftim.
Sipas kësaj zyre ndihma e sistemit të kthimit vullnetar mund të merret vetëm një here. Për ndihmën ose mbështetjen financiare për kthim vullnetar mund të aplikohet vetëm në 3 raste. 1- Nëse azilkërkuesi ka marrë përgjigje negative për kërkesën për azil. 2- Nëse azilkërkuesi e ka anuluar kërkesën për azil. 3- Nëse azilkërkuesi ka lejeqëndrim të përkohshëm në Finlandë që e pengon largimin nga vendi.
Sipas kësaj zyre, ndihma mund t’i miratohet vetëm personave të cilët kanë nevojë për ri-integrim.
Ndihma miratohet jo e plotë ose nuk miratohet nëse ka arsye të dyshohet se aplikanti ka për qëllim
vetëm ta keqpërdorë sistemin e ndihmës, ose nëse konsiderohet se personi që do të kthehet në atdhe nuk ka nevojë për të gjithë ndihmën, thuhet në njoftim, ku gjithashtu theksohet se, miratimi i ndihmës vendoset nga qendra e pranimit të refugjatëve ku është regjistruar personi që do të kthehet.