FMN i vë notë negative përmirësimit të klimës së biznesit në Shqipëri
FMN: Procedurat komplekse tatimore rrisin barrën për bizneset. Institucionet e dobëta dhe qeverisja e dobët janë kufizime të rëndësishme për përmirësimin e klimës së investimeve. Vlerësohen reformat e pensioneve dhe të energjisë…
Përmirësimi i klimës së biznesit dhe marrja e masave domethënëse për të reduktuar nivelin e lartë të NPL-ve janë dy reformat që nuk kanë marrë notë kaluese në raportin e fundit të FMN-së që vlerëson zbatimin e rekomandimeve nga Konsultimet e Artikullit IV të vitit 2014.
FMN ka publikuar sot raportin e vendit për vitin 2016 për konsultimin e artikullit IV.
Në tabelën për zbatimin e rekomandimeve, përmirësimi i klimës së biznesit dhe mosreduktimi i NPL-ve janë dy reformat që janë vlerësuar të pamjaftueshme. Pozitivisht janë vlerësuar reforma e pensioneve, shlyerja e detyrimeve të prapambetura dhe moskrijimi i detyrimeve të reja, përmirësimi i menaxhimit të borxhit, lehtësimi i politikës monetare dhe reforma e energjisë. Në nivel të moderuar kanë qenë zbatimi i reformës së administratës publike, marrja e masave për mbikëqyrjen e jo bankave, përmirësimi i cilësisë së statistikave dhe forcimi i pavarësisë së INSTAT.
Në përgjithësi, FMN vlerëson që zbatimi i programit ka qenë i fortë, me autoritetet që kanë zbatuar disa reforma ambicioze dhe të vështira. Objektivat e programit janë përmbushur në përgjithësi. Konsolidimi fiskal po ndodh dhe borxhi publik vlerësohet se ka arritur kulmin në vitin 2015. Reformat në pensione dhe energji dhe shlyerja e detyrimeve të prapambetura janë piketa të rëndësishme. Megjithatë, reformat e tjera kritike për përmirësimin e mjedisit të biznesit-duke përfshirë ato që lidhen me të drejtat e pronësisë, uljen e NPL, reformat gjyqësore dhe të qeverisjes kanë ngecur.
FMN vlerëson se reformat strukturore për përmirësimin e mjedisit të biznesit janë kritike për të forcuar konkurrueshmërinë e Shqipërisë.
Renditja e Shqipërisë në anketën e të Bërit Biznes ka mbetur prapa kolegëve të rajonit. Si sfidat kryesore për konkurrencën, sondazhet në vend vlerësojnë se janë: (i) boshllëqe kritike të infrastrukturës që kufizojnë tregtinë dhe rrisin koston e biznesit, (ii) informaliteti i gjerë që çon në investime dhe produktivitet të ulët, (iii) procedurat komplekse tatimore që rrisin barrën për bizneset, (iv) zhvillimi i dobët financiar me qasje shumë të kufizuar në financimin e kapitalit, dhe (v) një sistem joefikas gjyqësor që nuk mbron të drejtat pronësore në mënyrë adekuate dhe pengon zbatimin e ligjit. Më gjerësisht, institucionet e dobëta dhe qeverisja e dobët janë kufizime të rëndësishme për përmirësimin e klimës së investimeve.
Sipas FMN-së, reforma të mëtejshme strukturore për përmirësimin e mjedisit të biznesit do të jenë të rëndësishme për forcimin e aftësisë konkurruese të Shqipërisë dhe për të përshpejtuar rritjen. Fokusi duhet të jetë mbi reformat vendimtare për përmirësimin e klimës së biznesit, duke përfshirë të drejtat pronësore dhe gjyqësorit. Duhen përshpejtuar përpjekjet për të vendosur kadastrën ligjore për regjistrimin e pronës, për të forcuar të drejtat e pronës, një pengesë kryesore për investimet. Progresi në reformën gjyqësore duhet të udhëhiqet nga rekomandimet e Komisionit të Venecias. Shqipëria gjithashtu ka nevojë për të mbështetur luftën kundër informalitetit, të thjeshtojë procedurat e mbledhjes së taksave dhe përmirësimin e qeverisjes. Së fundi, diversifikimi i eksporteve përtej mallrave dhe tekstile me vlerë të shtuar të ulët do të jetë e rëndësishme për rritje të qëndrueshme, dhe do të kërkonte investime shtesë në arsim dhe infrastrukturë.
Vlerësohen reformat në pensione dhe energji
Që prej nënshkrimit të marrëveshjes së zgjeruar me fondin në fillim të 2014-s, FMN vlerëson se autoritetet kanë zbatuar reforma ambicioze dhe të vështira strukturore, duke përfshirë pensionet dhe sektorin e energjisë elektrike. U paguan detyrimet e prapambetura. Një proces konsolidimi fiskal ambicioz është duke u zhvilluar. Këto arritje kanë lejuar përmirësimin e vlerësimit të renditjes së kredisë. Megjithatë, reformat e tjera kritike për përmirësimin e mjedisit të biznesit, duke përfshirë ato që lidhen me të drejtat e pronësisë, zgjidhjen e NPL-ve, gjyqësorit, dhe qeverisja, kanë ngecur.
Rritja ekonomike është duke u forcuar gradualisht ndërkohë që presionet inflacioniste janë të ulëta. Rritja e GDP-së u përshpejtua në 2.6 për qind në vitin 2015, nga 2.0 për qind në vitin 2014, i nxitur nga prodhimi më i lartë i energjisë elektrike për shkak të reshjeve të jashtëzakonshme, një përmirësim në turizëm, dhe një gjallërim në ndërtim. Megjithatë, rritja mbetet nën potencial. Inflacioni total është shumë i ulët (0.3 për qind në mars 2016), duke reflektuar çmime të ulëta të ushqimeve dhe karburantit, si dhe venitjen e efekteve bazë nga ndikimi i përmbytjeve të vitit të kaluar, ndërkohë që inflacioni bazë mbetet negativ duke reflektuar dizinflacionin e importuar dhe frenimin e brendshëm.
Prioriteti kryesor i Politikave është që të vazhdojë uljen e dobësive fiskale, ndërkohë që përparon me reformat strukturore për të arritur rritje të qëndrueshme.
Duke pasur parasysh perspektivën e e çmimeve më të ulëta të mallrave për të ardhmen e parashikueshme dhe një shërim të ngadaltë në Evropë, Shqipëria do të duhet të riorientohet drejt një modeli të rritjes më të larmishëm dhe të hapur. Implementimi i shpejtë i reformave strukturore do të jetë kritik për të forcuar konkurrencën, për të përmirësuar klimën e investimeve dhe të nxisë rritjen më të fortë. Negociatat për anëtarësim në BE do të sigurojë një shtytje të fortë për të çuar përpara këto reforma, vlerëson FMN.