Kronika

FMN “paralajmëroi” bankën, masat u morën katër ditë pas zbulimit të vjedhjes

“Auditimi i brendshëm të bëhet me persona jashtë ekzekutivit të bankës”

polFondi Monetar Ndërkombëtar kishte “paralajmëruar” Bankën e Shqipërisë për bazën rregullatore dhe procedurat e auditimit vetëm një muaj para se të zbulohej vjedhja e 7 milionë dollarëve, duke deklaruar se nuk janë sipas standardeve ndërkombëtare. Por, një ditë më parë, pas mbledhjes së posaçme për vjedhjen e Thesarit, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë deklaroi se procedurat, udhëzimet dhe rregulloret e brendshme të bankës janë në përputhje me ligjin dhe garantojnë sigurinë e saj. Në deklaratën zyrtare pas mbledhjes, Këshilli ia faturoi shkakun e vjedhjes së 7.1 milionë dollarëve nga Arka e bankës, moszbatimit të këtyre rregullave dhe shkeljeve nga punonjës të veçantë të saj, megjithëse ndryshe ka menduar FMN-ja.

Vërejtjet e FMN-së

Sipas një dokumenti zyrtar të FMN-së, i publikuar vetëm një muaj më parë, vërehet se baza rregullatore dhe procedurat e auditimit, që përdor Banka e Shqipërisë nuk janë plotësisht sipas standardeve më të mira ndërkombëtare. Në pjesën e parë të raportit, Fondi njeh përmirësimet, duke vërejtur se Banka e Shqipërisë e ka fuqizuar kuadrin e vet të garancive në disa fusha, përfshirë auditimin e vet të jashtëm dhe të brendshëm, si dhe në funksionet raportuese financiare.

Por, siç vërehet në vijim të dokumentit, strukturës qeverisëse të bankës i mungon mbikëqyrja efektive e auditimit të brendshëm, raportimit financiar, si dhe çështjeve të kontrollit. Madje, siç nënvizon FMN, të paqarta dhe të panormuara në rregullore janë edhe politikat e procedurave për përzgjedhjen e audituesit të jashtëm. Përballë këtyre problemeve, FMN i rekomandoi Bankës së Shqipërisë ngritjen e një këshilli të posaçëm, i cili duhet të mbikëqyrë auditimin e brendshëm dhe që të përbëhet nga persona jashtë rrethit ekzekutiv të bankës. Pra, të mos jetë në varësinë e drejtuesve të saj, një rekomandim që ka pasur për qëllim shkëputjen e këtij procesi nga influenca dhe kontrolli i drejtuesve më të lartë të bankës.

Paralelisht, FMN i ka kërkuar bankës të miratojë një politikë formale për përzgjedhjen e audituesit të jashtëm dhe rotacionit të tij. Pra, një rregull të qartë, ku të përcaktohej se si përzgjidhet audituesi i jashtëm dhe se sa mund të jetë afati maksimal, që një kompani mund të shërbejë si auditues i jashtëm. Po kështu, në dokument, Fondi i rekomandon bankës që të ndërmarrë një vlerësim të posaçëm mbi cilësinë e funksionimit të auditit të brendshëm, i cili, siç do të zbulohej një muaj më vonë, kur u bë publike vjedhja, ka dështuar për katër vjet me radhë të diktonte apo parandalonte grabitjen e parave nga Thesari.

Banka e Shqipërisë

Megjithëse Këshilli Mbikëqyrës tha dy ditë më parë se udhëzimet dhe rregulloret janë në përputhje me ligjin, mësohet se një vendim i BSH-së, i bazuar në rekomandimet e FMN-së, është marrë vetëm në datën 29 korrik, 4 ditë pasi vjedhja e bankës ishte bërë publike. Po ashtu, vetë Banka e Shqipërisë ka qenë zyrtarisht në dijeni, se auditi dhe kontrollet e brendshme financiare, si dhe procedurat e tjera, nuk kanë qenë në përputhje me standardet financiare. Kjo provohet nga i njëjti dokument, ku vetë banka deklaron se “ne do të përforcojmë auditimin dhe kontrollin e brendshëm financiar, në përputhje me rekomandimet e misionit të fundit të FMN-së, për masat mbrojtëse dhe parandaluese”. Po kështu, banka zotohet se do të ndërmarrë hapa për harmonizimin e procedurave të auditimit të brendshëm të bankës me praktikat dhe standardet ndërkombëtare. Auditi i brendshëm dhe ai i jashtëm ishin hallkat kyçe, që dështuan në parandalimin e vjedhjes së 7.1 milionë dollarëve për më shumë se katër vjet me radhë. Dhe, këto hallka duket se kanë qenë problematike prej vitesh, pasi në një tjetër dokument të vitit 2007, para se të largohej nga Shqipëria, FMN shpreh shqetësime thuajse të njëjta për cilësinë e auditit të jashtëm dhe atë të brendshëm në Bankën e Shqipërisë.

Këshilli Mbikëqyrës

Në këto kushte, në mbledhjen e dy ditëve më parë, Këshilli vendosi të merren disa masa për një strategji afatgjatë për sigurinë e bankës. Një prej këtyre masave ka të bëjë me forcimin e bashkëpunimit dhe të marrëdhënieve me organet e zbatimit të ligjit për monitorimin e pastërtisë dhe figurës morale të punonjësve që mbajnë pozicione kyçe si dhe të të ngarkuarve me vlera monetare. Gjithashtu u kërkua intensifikimi i procesit të nisur për ngritjen e strukturave për vlerësimin e rrezikut operacional në çdo sektor dhe në tërësi për institucionin. Duke marrë shkas nga mosveprimet e punonjësve për shkak të paditurisë gjatë vjedhjes së thesarit, një pikë tjetër që u vendos nga Këshilli ishte trajnimi dhe testimi i vazhdueshëm me qëllim informimin në kohë të të gjithë punonjësve të lidhur me rregulloret ekzistuese, me procedurat në fuqi dhe me rishikimet eventuale që mund të pësojnë ato. Po ashtu u kërkua automatizimi i mëtejshëm i administrimit të lëvizjes dhe magazinimit të parasë cash.

FMN

“Baza rregullatore dhe procedurat e auditimit, që përdor Banka e Shqipërisë, nuk janë plotësisht sipas standardeve më të mira ndërkombëtare”

Dokumenti

Në një dokument zyrtar të FMN-së, i publikuar vetëm një muaj më parë, thuhet se strukturës qeverisëse të bankës i mungon mbikëqyrja efektive e auditimit të brendshëm, raportimit financiar, si dhe çështjeve të kontrollit

Propozimi

Këshilli Mbikëqyrës mbrojti Guvernatorin nga shkarkimi

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, dy ditë më parë, doli në mbrojtje të guvernatorit Fullani, duke hedhur poshtë propozimin e bërë në mbledhje për nxjerrjen e përgjegjësive dhe marrjen e masave përkatëse për të gjithë zinxhirin komandues. Ky propozim mësohet se është bërë nga ish-deputetja socialiste Ermelinda Meksi, por i gjithë Këshilli Mbikëqyrës ka votuar kundër, duke pranuar vetëm disa sugjerime të tjera për rritjen e sigurisë në Bankën e Shqipërisë. Fillimisht, në mediat vizive u publikua informacioni se Meksi kishte kërkuar direkt shkarkimin e guvernatorit, por kjo u përgënjeshtrua më vonë nga Këshilli Mbikëqyrës, ndërkohë që vetë ish-deputetja nuk ka dhënë një përgjigje konkrete mbi këtë çështje, duke shpjeguar se në respekt të ligjit, ajo mund të flasë vetëm në Kuvendin e Shqipërisë. Sipas raportimeve, në mbledhjen e jashtëzakonshme të zhvilluar ditën e mërkurë, shtatë anëtarë të këshillit votuan për propozimin, i cili u hodh poshtë me gjashtë vota kundër dhe vetëm një pro. Guvernatori Fullani mban postin e kryetarit të këtij Këshilli, ndërkohë që anëtarë të tjerë të tij janë Petraq Milo, Ela Golemi, Elisabeta Gjoni, Dhori Kule, Ermelinda Meksi dhe Adrian Civici. Por, edhe nëse do të miratohej nga ky Këshill që Guvernatori Ardian Fullani të shkarkohej, propozimi duhet të merrte edhe votën në Kuvendin e Shqipërisë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button