Ekonomia

FMN: Perspektivat e reja të rritjes pas mbarimit të TAP

Edhe nëse qeveria e Shqipërisë nuk angazhohet me reforma për të rritur ekonominë e saj, rikthimi i ciklit të rritjes në tregjet globale, efektet pozitive që do të ketë gazsjellësi TAP në çmimet energjisë bashkë me procesin e integrimit në BE shihen si premisa të mjaftueshme nga Fondi Monetar Ndërkombëtar për rritjen ekonomisë së Shqipërisë gjatë dekadës në vijim.

Ritmet e rritjes ekonomike të vendit gjatë periudhës 2018-2022 do të dobësohen si pasojë e përfundimit të dy projekteve të mëdha të investimeve, gazsjellësi TAP dhe HEC-et mbi lumin Devoll. Por Fondi Monetar Ndërkombëtar është optimist se vendi ynë ka hyrë në një fazë të re të potencialit të rritjes.

Rikthimi i rritjes në ekonominë globale, efektet pozitive që do të japë gazi natyror nga projekti TAP dhe efektet pozitive të procesit të integrimit te vendit ne BE janë tre premisat që rrisnin pritshmëritë se ekonomia e vendit do të vijojë rritjen gjatë dekadës në vijim. FMN, në përfundim të artikullit IV për Shqipërinë, ka analizuar me hollësi potencialin e rritjes ekonomike të vendit dhe mundësitë për dekadën në vijim.

Në kushtet e tanishme, Shqipëria i ka kursimet e ulëta dhe tendencat demografike, me plakjen e fuqisë punëtore nuk i bëjnë atraktive investimet e huaja. Por, megjithatë, përvoja e pranimit në BE sugjeron që reformat institucionale, si një vend kandidat, mund të nxisin përmirësimin e produktivitetit dhe rritjen potenciale në Shqipëri. Fondi arrin në përfundimin se PBB-ja pritet të vazhdojë të rritet në periudhën afatmesme, ndonëse nën ritmin e para krizës.
Ekonomia e Shqipërisë do të rritet me 4% në vitin 2019, krahasuar me 3.4% në vitin 2016. Megjithatë, norma është më e ulët se mesatarja prej 6% gjatë viteve të parakrizës 2000-‘08.

Sa e kemi potencialin

Për të vlerësuar rritjen ekonomike afatmesme, FMN ka vlerësuar rritjen potenciale të Shqipërisë, tregues, që analizon të gjitha mundësitë që vendi ka për të vijuar zgjerimin e ekonomisë së tij. Rezultatet kanë treguar se rritja potenciale po përshpejton. Rritja mesatare potenciale u përmirësua mes 2013 dhe 2016 nga 2.3 shkoi në 3.2%. Ndërsa kërkohet kujdes për të interpretuar rezultatet për periudhën 2018-2022 për shkak të dobësive në parashikim, rritja potenciale ka tendencë të jetë në rritje në 5 vitet në vijim, – analizon Fondi.

Viti 2016, tregoi se kontributi i kapitalit në rritjen ekonomike po përmirësohet, teksa u zgjerua edhe kontributi nga puna. Kontributi i kapitalit lidhet me zbatimin e projekteve të mëdha të IHD-ve dhe ringjalljen e sektorit të ndërtimit. Ndërsa rritja e punësimit erdhi nga përmirësimi në sektorët intensivë të fuqisë punëtore siç janë tekstilet, ndërtimi dhe turizmi.

Gjatë viteve 2000, lehtësimi i kreditimit ushqeu bumin në sektorin e ndërtimit, i cili përshpejtoi akumulimin e kapitalit. Por ky bum ndaloi gjatë viteve 2009-2010, si pasojë e krizës financiare globale dhe mungesës së financimeve nga kreditë bankare. Por vitet fundit, projektet e mëdha të energjisë dhe heqja e moratoriumeve për lejet e ndërtimit kanë rikthyer zhvillimet në sektorin e ndërtimit.
Ndërsa faza e ndërtimit të projekteve të mëdha të IHD përfundon në 2018-2020, kontributi i tyre në rritje pritet të kthehet në negativ, duke kufizuar potencialin për një rritje më të shpejtë të investimeve në periudhë afatmesme.

Kursimet drejt shterimit

Një pjesë e madhe e investimeve në Shqipëri është financuar nga kursimet. Kursimet private janë në nivele më të larta se vendet e Ballkanit Perëndimor, por në fakt janë në trend në rënie që nga viti 2007, duke kontribuar në zvogëlimin e totalit të kursimeve kombëtare.

Normat e ulëta të interesit, ulja e remitancave, ritmet e rritjes dhe nivelet më të ulëta të të ardhurave kanë çuar drejt këtij trendi. Hendeku midis investimeve dhe kursimeve kombëtare ngre shqetësime për qëndrueshmërinë e investimeve. Meqenëse vendet që kanë përjetuar rritje të lartë ekonomike kanë provuar një lidhje të fortë ndërmjet kursimeve të korporatave dhe investimeve. Rritja e kursimeve të korporatave do të jetë çelësi për financimin e investimeve në të ardhmen.

Efekti TAP dhe Devoll, kontribuuan në 50% të rritjes së PBB-së

Dy projekte të mëdha të IHD-ve (TAP dhe HEC-et në Devoll) kanë efekte të rëndësishme në aktivitetin ekonomik të vendit. Kostoja totale për ndërtimin e tyre është sa 14% e PBB-së.
Duke pasur parasysh intensitetin e kapitalit të tyre, importet përbëjnë një pjesë të madhe të kostove (rreth 60-70%) dhe pjesa tjetër korrespondon me pagat, kontraktorët lokalë dhe kompensimin për përdorimin e tokës.
Projektet kanë krijuar rreth 3500 vende pune të drejtpërdrejta (6% e totalit të vendeve të reja të punës). Ndërtimi i tyre filloi në fund të vitit 2013 dhe u përshpejtua në vitet 2015-2017. Projektet po përmirësojnë transportin rrugor, pasi rrugët dhe urat e reja janë ndërtuar.
Gazsjellësi Trans-Adriatik (TAP), i cili do të transportojë gaz natyror nga Azerbajxhani në Itali, do të sjellë një kontribut kyç të energjisë për Shqipërinë.

Projekti TAP në Shqipëri përfshin 252 kilometër tubacione me një kosto totale prej 1 miliard eurosh (9% e PBB-së). Gjithashtu do të ndërtohen dhe përmirësohen 175 km rrugë hyrëse. Në vitin 2016, TAP përfundoi përmirësimin e 58 kilometra rrugë dhe punime në ndërtimin e urave.
Hidrocentralet e Devollit do të rrisin kapacitetin e instaluar të prodhimit të energjisë elektrike me 17%. Vlera e dy hidrocentraleve llogaritet 535 milionë euro (5% e PBB-së). HEC-i më i vogël Banja, tashmë i përfunduar, ka nisur prodhimin që në tremujorin e tretë.

Ndërtimi i HEC-it më të madh (Moglicë), që filloi në vitin 2014, pritet të përfundojë në vitin 2018. Projekti në përfundim do të sigurojë prodhim të qëndrueshëm të energjisë një pjesë e madhe e së cilës do të eksportohet.
Ndikimi i drejtpërdrejtë në rritje vlerësohet të ketë qenë 0.4 pikë përqindjeje për 2015-‘16.
Projektet kërkojnë mbështetje me shërbime si në ndërtim dhe transport. Kështu vlera e shtuar nga shërbimet mbështetëse (efekti i nivelit ndaj PBB-së) ishte 0.8-1.2% e PBB-së në vitet 2015-‘16.

Ndikimi në rritje vlerësohet në 0.3-0.5 pikë përqindjeje në vitet 2015-‘16. Është e rëndësishme të konsiderohet se vlera e shtuar nga projektet në fillim të aktivitetit të tyre do të jetë e ulët. Në afat të mesëm, projektet mund të sjellin përfitime shtesë për Shqipërinë. Së pari, infrastruktura e përmirësuar do të zvogëlojë koston e transportit në zonat rreth projekteve. Së dyti, TAP hap derën për diversifikimin e energjisë, duke ndihmuar në reduktimin e varësisë së furnizimit me energji nga hidrocentralet. Rehabilitimi i termocentralit të Vlorës dhe lidhja e tij me TAP është çelësi për diversifikimin e energjisë. TAP do të rrisë produktivitetin e prodhimit, pasi bizneset do të zëvendësojnë energjinë elektrike me gazin natyror dhe kjo do të ulë kostot dhe do të hapë perspektivat e zhvillimit të industrive të reja.

Puna dhe produktiviteti në rritje, plakja e popullsisë shihet si rrezik

Rritja e shfrytëzimit të fuqisë punëtore ka mbështetur rritjen ekonomike kohët e fundit. Në vitet 2015-‘16, papunësia dhe pjesëmarrja në forcën e punës u përmirësuan, por papunësia afatgjatë mbeti e lartë (rreth 12%).
Pjesëmarrja e ulët e Shqipërisë në forcën e punës shpjegohet me remitancat e larta dhe pjesëmarrjen e ulët të femrave në tregun e punës. Por ekzistojnë mundësi të mëdha për të rritur ofertën e punës nëse zhvillohen më tej aftësitë që kërkon tregu. Por Shqipëria po përballet me sfida demografike në periudhën afatmesme.

Popullsia ra me mbi 10% që nga fundi i regjimit komunist në fillim të viteve 1990, kryesisht për shkak të emigrimit. Ritmi i emigracionit është ngadalësuar ndjeshëm, por rikthimi i këtij fenomeni, së bashku me plakjen e popullsisë në moshë pune, për shkak të rënies së nivelit të lindjeve dhe rritjes së jetëgjatësisë, do të kontribuojë rënien e popullsisë në moshë pune. Kombet e Bashkuara vlerësojnë se popullsia e Shqipërisë mund të rritet 0.2 pikë përqindje nëse nuk ka emigrim gjatë 2016-‘20.
Produktiviteti në ekonomi ka qenë i ulët si rezultat i pengesave institucionale që kushtëzojnë shpërndarjen dhe përdorimin efikas të teknologjive në dispozicion (p.sh. rreziqe të larta ose klimë negative e biznesit që dekurajojnë IHD-të).
Gjithashtu, karakteristikat strukturore të Shqipërisë, të tilla si kontributi i lartë i bujqësisë dhe industritë intensive nga krahu i punës kanë kontribuar në produktivitetin e ulët. Gjatë viteve 2015-‘16, ngadalësimi i minierave dhe përshpejtimi i sektorëve intensive të fuqisë punëtore siç janë tekstilet, ndërtimi dhe turizmi kanë rezultuar me presione të ulëta të produktivitetit.

Pranimi në BE do të përshpejtojë rritjen

Pavarësisht kufizimeve strukturore, produktiviteti pritet të rritet, ndërsa Shqipëria përparon me procesin e pranimit në BE, kryesisht nëpërmjet nxitjes së përmirësimeve institucionale.
FMN analizon se, hyrja në BE rrit potencialin e reformave institucionale, të cilat kanë lidhje të madhe në produktivitetin e ekonomisë.

Reformat e brendshme, të tilla si ulja e kredive me probleme do të lehtësojë praninë financiare në tregje dhe rrjedhimisht do të çojë burimet financiare në sektorë më produktivë. Së fundmi, diversifikimi i energjisë me gazin natyror të gazsjellësit TAP nënkupton reduktime të konsiderueshme të shpenzimeve në ekonomi.

Episodet e pranimit në BE në vitet 1995, 2004 dhe 2007 kanë qenë të shoqëruara me rritje më të shpejtë në vendet kandidate. Përvoja sugjeron që funksionimi i institucioneve të BE-së mund të forcojë rritjen.
Për më tepër, qasja në tregjet e BE-së rrit ekonominë e shkallës. Perspektivat për përmirësime institucionale dhe rritje të tregut shkaktojnë rritje të flukseve të investimeve të huaja. Institucionet e forta gjithashtu lehtësojnë tregtinë e jashtme dhe rrjedhjen e financave dhe teknologjisë, të cilat ndikojnë në mbylljen e mangësive të produktivitetit.
Të dhënat empirike tregojnë se rritja ishte më e lartë gjatë periudhës së pranimit në BE. Në vitin 2014, të ardhurat për frymë në vendet kandidate u përshpejtuan me 1.5% më shumë se ato që ishin në pritje të zgjerimit. Futja në BE e 11 vendeve në vitet 2004, 2007 dhe 2013 kaloi në tetë vite negociata.

Si mund ta rrisë produktivitetin gazi natyror nga TAP?

Gazi natyror nga TAP do të ketë ndikim pozitiv në Shqipëri gjatë periudhës afatmesme. Ekonomitë familjare dhe bizneset do të ulin shpenzimet duke përdorur në vend të energjisë elektrike, gaz. Reduktimet e shpenzimeve për bizneset dhe familjet nuk do të jenë të ulëta, pasi kostot për ngrohjen reduktohen me një të tretën. Sfida për të rritur përfitimet nga shfrytëzimi i naftës është ndërtimi i rrjetit të transmetimit dhe shpërndarjes të gazit natyror. Për rrjetin e transmetimit nevojiten investime me vlerë 5000 milionë euro, ndërsa në rrjetin e shpërndarjes, 200-300 milionë euro.
Një komponent kyç i këtij rrjeti do të jetë Tubacioni Adriatiko- Jonian (IAP) për të sjellë gaz natyror nga Tubacioni Trans Adriatik (TAP) në qendrat kryesore urbane (përfshirë Tiranën).
Zhvillimi i kësaj infrastrukture do të kërkojë përpjekje të mëdha për të tërhequr investime nga sektori privat.

Perspektiva e rritjes në Shqipëri

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka përdorur dy qasje për të kuptuar dinamikën e rritjes afatmesme.

E para bazohet në literaturën e shembujve të rritjes, që argumenton se vendet përballen me shpejtësi të ndryshme të rritjes ekonomike të varura nga kushtet e jashtme dhe reformat strukturore.

E dyta është literatura tradicionale që argumenton se vendet me të ardhura të ulëta rriten më shpejt. FMN arrin në përfundimin se të dyja metodat sugjerojnë se rritja afatmesme e Shqipërisë mund të përshpejtohet. Po pyetja shtrohet nëse Shqipëria është para një episodi për përshpejtimin e rritjes. Por Fondi shpjegon se këto cikle janë të lidhura me kushtet e jashtme, tiparet e brendshme strukturore dhe parametrat e politikës së brendshme. FMN vlerëson se hyrja e kapitaleve të huaja sa 1% e PBB-së ndikon me 0.2% në rritjen ekonomike.

Në Shqipëri, cikli i rritjes tregon ngadalësim në periudhën 2008-204. Kërkesa e jashtme u dobësua shumë në këtë periudhë. Me partnerin kryesor tregtar dhe burimin e remitancave (Italinë), rritja e kërkesës së brendshme u ngadalësua nga 1.5 në -1.7% gjatë viteve 2000-2007 dhe 2008-2014. Për më tepër, kushtet e tregtisë ishin të pafavorshme deri në vitin 2014. Në anën tjetër, flukset e kapitalit u rritën gjatë kësaj periudhe, të nxitur nga IHD-të lidhur me minierat dhe naftën. Por me gjithë këto zhvillime në Italinë fqinjë, ndikimi në rritjen e PBB-së së Shqipërisë ishte i kufizuar.

Që nga viti 2015, vendi hyri në një periudhë përshpejtimi të rritjes e mbështetur nga faktorë të jashtëm. Kërkesa e brendshme e partnerëve tregtarë po rimëkëmbej dhe nënçmimi i çmimeve të naftës stimuloi konsumin vendas. Nga ana tjetër, flukset hyrëse të kapitalit kanë mbetur të qëndrueshme, për shkak të projekteve të mëdha të UHD-ve. Ndonëse IHD pritet të bien gjatë periudhës 2018-2022, ato do të jenë më të larta se nivelet e para krizës dhe më e lartë se në vendet e thera rajonit.

Mirëpo, rënia do të ndikojë negativisht në rritjen ekonomike, por ndikimi do të jetë i kufizuar duke pasur parasysh se një vlerë e konsiderueshme e projekteve të mëdha shkoi në import. Për më tepër, efektet e përfundimit të këtyre projekteve do të kompensohen me efektet pozitive që ato kanë në rishpërndarjen e burimeve energjetike.

Një element kyç për perspektivat e rritjes pozitive për ekonominë e Shqipërisë është fakti se rritja globale do të vazhdojë. Rritja globale është mjaft e rëndësishme për tregtinë dhe flukset e investimeve. Një krizë globale ose recesioni mund të vonojë dhe të zvogëlojë perspektivat e potencialit të rritjes për Shqipërinë. Nga ana tjetër, plotësimi i disa reformave kyçe për të përmirësuar klimën e investimeve mund të ndikojë nxitjen e rritjes.

FMN vlerëson se pengesat kryesore të brendshme për rritjen janë sundimi i ligjit, të drejtat e pronësisë mbi tokën dhe boshllëqet e infrastrukturës. Autoritetet kanë filluar të trajtojnë çështjet e energjisë, duke rehabilituar infrastrukturën ekzistuese të energjisë elektrike dhe duke përmirësuar qeverisjen e korporatave të Kompanive të sektorit. Për të trajtuar çështjet e sundimit të ligjit, autoritetet në Shqipëri po zbatojnë reformën gjyqësore dhe zgjidhin problemet me të drejtat pronësore. Çështjet ligjore mund të zgjidhin çështjet e pronësisë së tokës, që ka qenë pengesë kryesore për investimet.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button