FMN: Rritja ekonomike e Kosovës ngadalësohet në 3,5 për qind, inflacioni ngjitet në 6,8 për qind
Raporti i tetorit i Fondit Monetar Ndërkombëtar parashikon që Kosova të mbetet ndër ekonomitë me rritjen më të lartë në Ballkanin Perëndimor, por me inflacionin më të lartë në rajon gjatë vitit 2026.
Ekonomia e Kosovës pritet të rritet me 3,5 për qind gjatë vitit 2026, ndërsa inflacioni parashikohet të ngjitet në 6,8 për qind, sipas parashikimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) të publikuara në raportin e tetorit “World Economic Outlook”, siç njofton Reporteri.net.
Sipas raportit, rritja shënon një ngadalësim të lehtë krahasuar me 3,6 për qind të vlerësuar për vitin 2025, ndërsa inflacioni përshpejtohet ndjeshëm nga 3,9 për qind sa ishte vitin e kaluar. Për vitin 2027, FMN-ja parashikon rritje prej 3,6 për qind dhe ngadalësim të inflacionit në 4,5 për qind.
Raporti parashikon edhe zgjerim të deficitit të llogarisë rrjedhëse, nga 8,3 për qind e bruto produktit vendor më 2025 në 9,3 për qind më 2026, për t’u ngushtuar lehtë në 8,9 për qind një vit më pas.
Në nivel rajonal, Kosova pritet të ketë të njëjtën normë rritjeje me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, nga 3,5 për qind, përpara Serbisë me 3,3 për qind, Malit të Zi me 3 për qind dhe Bosnjës e Hercegovinës me 2,3 për qind. Megjithatë, inflacioni i parashikuar për Kosovën mbetet dukshëm më i lartë se ai i vendeve fqinje.
Të dhënat e FMN-së tregojnë se sfida kryesore për ekonominë e vendit gjatë vitit 2026 do të jetë përshpejtimi i çmimeve, në një kohë kur rritja ekonomike parashikohet të mbetet relativisht e qëndrueshme.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.