Ekonomia

FMN sot në Tiranë, p/buxheti dhe paketa fiskale në fokus të takimeve

Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar mbërrin sot në Tiranë për të zhvilluar takimin e radhës me autoritetet shqiptare, ku në fokus të bisedimeve këtë radhë janë projektbuxheti 2016 dhe paketa fiskale që pritet të zbatohet vitin që vjen.

Sipas burimeve nga Ministria e Financave, misioni i FMN-së do të zhvillojë nesër në orën 09.00 takimin me Ministrin e Financave, Shkëlqim Cani dhe më pas axhenda parashikon edhe takime me ministrin e Ekonomisë, Arben Ahmetaj dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Genti Sejko.

Misioni, thanë burimet, do të njihet me zhvillimet makroekonomike në vend dhe më pas do të konsultohet me qeverinë për projektbuxhetin 2016 dhe ndryshimet në paketën fiskale. Sipas burimeve, ekspertët e Drejtorisë së Buxhetit në Ministrinë e Financave kanë hartuar projektbuxhetin e vitit 2016 bazuar në Kuadrin Makroekonomik e Fiskal, të rishikuar, për periudhën 2016 – 2018, miratuar në Qeveri në fund të muajit korrik të këtij viti.

Sipas të dhënave të miratuara në Kuadrin Makroekonomik e Fiskal, për vitin 2016 planifikohet një rritje ekonomike prej 3.4 % të PBB-së. Të ardhurat parashikohen rreth 422,984 milionë lekë, ndërsa shpenzimet 464,959 milionë lekë.

Lidhur me paketën fiskale 2016, burimet bënë të ditur se lehtësitë për dy industri, atë të turizmit dhe artizanatit, do të jetë në tryezën e bisedimeve me misionin e FMN-së, ndërsa theksojnë se paketa fiskale parashikon rregullime procedurash për industri të tjera.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button