Fondet e pensioneve dhe të investimeve priten në rritje
Tregjet e sigurimeve, fondeve të investimeve dhe të pensioneve vullnetare pritet që të paraqesin tendencë rritjeje edhe ne vitin 2016, sipas Autoritetit të Mbikëqërjes Financiare. Drejtoresha e përgjithshme ekzekutive e këtij Autoriteti, Enkeleda Shehi, pohon se argumenti kryesor që mbështet zgjerimin e tregjeve financiare jobankare është rritja e njohurive dhe vetëdijes së konsumatorëve për këto tregje, produktet që ato ofrojnë dhe përfitimet që mund të kenë nga shërbimet e tyre. Sidomos në rritje priten fondet e pensioneve dhe të investimeve.
Bazuar edhe në statistikat tuaja, si parashikohet të jetë ecuria e tregjeve financiare që ju mbikëqyrni (sigurime, pensione private, fonde investimi)? Cili do të jetë sektori që do të ketë zhvillimet me ritmin më të lartë në opinionin tuaj?
Në lidhje me zhvillimet e pritshme të tregjeve financiare në 2016-n, fillimisht duhet sqaruar se jo gjithmonë ecuria historike e tregjeve është tregues për zhvillimet e pritshme të tyre, sidomos për tregjet, të cilat janë ende në strukturim dhe zhvillim. Megjithatë, në rastin e tregjeve të sigurimeve, fondeve të investimeve dhe të pensioneve vullnetare, prirja edhe për vitin 2016 do të jetë zgjerimi i tyre. Argumenti kryesor që mbështet zgjerimin e tregjeve financiare jobankare është rritja e njohurive dhe vetëdijes së konsumatorëve për këto tregje, produktet që ato ofrojnë dhe përfitimet që mund të kenë nga shërbimet e tyre. Në veçanti, tregu i fondeve të pensioneve dhe të investimeve pritet të zgjerohen, sepse ato janë tregje relativisht të reja dhe janë në fazën e natyrshme të zgjerimit të aktivitetit. Gjithashtu, gjithmonë e më shumë këto tregje po konsiderohen si alternativa investimi dhe kursimi për konsumatorët, që përforcohet nga reduktimi i vazhdueshëm i normave të interesit për produktet bankare të kursimeve. Zgjerimi i këtyre dy tregjeve pritet të mbështetet edhe nga fushatat edukuese që ka planifikuar AMF në bashkëpunim me operatorët e tyre, si dhe në veçanti trajtimi i favorshëm fiskal që ka filluar të zbatohet për tregun e pensioneve nga janari 2015. Për sa i takon tregut të sigurimeve, zgjerimi mund të mbështetet nëse ka përmirësim të ndjeshëm të cilësisë së shërbimit të operatorëve të këtij tregu kundrejt konsumatorëve; përmirësim të raportit të pagesave të dëmeve, si dhe vetëdijesim të qytetarëve mbi nevojën e përdorimit të produkteve të sigurimeve. Nga ana tjetër, ndryshimet e pritshme fiskale për vitin 2016 për këtë treg veprojnë në frenim të kërkesës për produktet e tij, veçanërisht ato vullnetare.
Sa i përket tregut të sigurimeve, në opinionin tuaj, si do të ndikojë rritja e taksës në nivelin 10%? A do të ketë ndonjë efekt te tarifat?
Sikurse jeni në dijeni, në paketën fiskale që po zbatohet nga 1 janari 2016 është propozuar rritja e një takse që vendoset mbi primin e sigurimit. Kjo taksë është aplikuar për herë të parë më 1 janar 2015 në masën 3%. Për vitin 2016 propozimi është që taksa të rritet nga 3% në 10%.
Në praktikën e vendit tonë në lidhje me ngarkesën tatimore mbi produktet e sigurimit, nga fillimi i aktivitetit të tregut të sigurimeve, shërbimi apo produktet e sigurimit janë konsideruar si mallra/shërbime të cilat i nënshtrohen Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), në bazë të ligjit “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar”. Nga ky tatim kanë qenë përjashtuar vetëm produktet e jetës, shëndeti në udhëtim dhe kartoni jeshil. Për të gjitha produktet e tjera, çdo policëmbajtës në çmimin e sigurimit është ngarkuar me 20% më shumë si efekt i TVSH-së.
Kjo praktikë ka gjetur zbatim deri më 31 dhjetor 2014. Misioni i përbashkët i Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar (Programi i Vlerësimit të Sektorit Financiar) për vlerësimin e sistemit financiar, 2013, ndërmjet të tjerash rekomandoi që të përjashtoheshin nga TVSH-ja të paktën produktet vullnetare të sigurimeve. Argumenti kryesor për këtë rekomandim kishte të bënte me nevojën e zgjerimit të tregut të sigurimeve në Shqipëri dhe bërjen e produkteve të këtij tregu më atraktive për konsumatorët, duke vepruar edhe nëpërmjet lehtësimit të ngarkesës fiskale mbi to.
Bazuar në këtë rekomandim, Ministria e Financave në paketën fiskale të propozuar për vitin 2015, dhe konkretisht në ligjin për TVSH-në, parashikoi përjashtimin e të gjitha produkteve të sigurimeve, vullnetare dhe të detyrueshme, nga ky lloj tatimi. Njëkohësisht, Ministria e Financave për herë të parë futi konceptin e taksës mbi primin e sigurimit në masën 3%. Këto ndryshime hynë në fuqi më 1 janar 2015.
Është e nevojshme të sqarojmë se llojet e tatimeve/taksave që aplikohen mbi produkte të caktuara apo masa e tyre është në kompetencë të institucioneve që bëjnë politikat fiskale. Autoriteti nuk ka kompetenca në vendimmarrjen për llojet e taksave apo tatimeve që vendosen mbi këto produkte. Niveli i ri i propozuar rezulton një ndër më të lartit në Europë. Nga verifikimi i bërë për disa vende të BE dhe rajonit në lidhje me taksën mbi primin e shkruar rezulton se ka dy grupe vendesh: Vende që aplikojnë një tarifë takse për të gjitha produktet dhe vende që kanë përshkallëzime apo përjashtime (shih tabelën). Çdo taksë e re e vendosur, kur kushtet e tjera nuk ndryshojnë, pritet të ndikojë në rritjen e çmimit të shitjes, në veçanti për produktin e sigurimit të detyrueshëm motorik. Nga ana tjetër, në varësi të masës së ndikimit dhe elasticitetit të kërkesës për produktin që ngarkohet fiskalisht, çdo ndryshim në nivelin e taksës mund të ulë dhe kërkesën për produkte sigurimi. Këtu sqarojmë, që një nga arsyet e heqjes së TVSH-së ishte pikërisht nxitja e zhvillimit të produkteve të sigurimit, veçanërisht ato vullnetare.
Për sa i takon ndikimit, që taksa e rritur në 10% mund të ketë në çmimet e sigurimit, kjo do të varet tërësisht nga politika që ndjek secila shoqëri sigurimi nëse taksa e re pasqyrohet në çmimin e sigurimit. Përgjithësisht, në ekonominë shqiptare, ndryshimet në rritje të ngarkesës fiskale kanë tentuar të përfshihen të plota në çmimet e produkteve dhe të shërbimeve, pra t’i ngarkohen konsumatorit. Përjashtim nga ky rregull i përgjithshëm veprimi nuk bëjnë as produktet financiare, dhe konkretisht të sigurimeve. Gjithashtu, duke pasur në vëmendje që sigurimi motorik ofrohet për një element të zakonshëm në shpenzimet e familjeve shqiptare, nuk pritet që kërkesa për këtë produkt të bjerë. Por mund të pritet që kërkesa për produktet vullnetare të jetë më e frenuar. Pra, në tërësi, rritja e nivelit të ngarkesës fiskale nuk favorizon zgjerimin e tregut të sigurimeve.
Cila është ecuria për miratimin e projektligjit për sigurimet e detyrueshme në sektorin e transportit?
Projektligji “Për disa shtesa e ndryshime në ligjin nr. 10076, datë 12.02.2009 ‘Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit’” i ndryshuar, të cilit i referohemi si ligji për sigurimet e detyrueshme, është iniciuar nga vetë Autoriteti, me qëllim përmirësimin e dispozitave ligjore në lidhje me problemet e hasura gjatë zbatimit të tij, përafrimin e mëtejshëm me direktivat europiane të sigurimit motorik, përshtatjen me zhvillimin dhe kërkesat e tregut, implementimin e sistemit Bonus Malus. Risitë e këtij projektligji janë:
– Sistemi Bonus-Malus. Në projektligj janë parashikuar dispozita të reja në lidhje me sistemin Bonus Malus, të cilat mundësojnë dhe rregullojnë tarifimin me fokus rreziku në sigurimin motorik sipas sistemit Bonus-Malus. Ato janë hartuar në frymën e liberalizimit të tarifimit të primeve, me qëllim saktësimin e mëtejshëm të këtij neni dhe përshtatjen me parashikimet e ligjit të ri nr. 52, datë 22.05.2014 “Për veprimtarinë e sigurimit dhe risigurimit”.
– Përmirësimi i procedurës së trajtimit të dëmeve. Kështu janë bërë ndryshime të afatit të trajtimit të kërkesës për dëmshpërblim nga ana e shoqërisë së sigurimit. Në krahasim me afatin prej 90 ditë në ligjin aktual për trajtimin e kërkesës për dëmshpërblim, parashikohet që afati të jetë 60 ditë, duke filluar nga data e marrjes së kërkesës për dëmshpërblim së bashku me dokumentacionin e plotë. Ndërsa për dëme pasurore deri në 200,000 lekë, afati i trajtimit të kërkesës për dëmshpërblim është parashikuar brenda 14 ditëve nga data e marrjes së kërkesës për dëmshpërblim.
– Ulja e numrit të drejtuesve të mjeteve të transportit që qarkullojnë të papajisur me kontratën e sigurimit të detyrueshëm sipas këtij ligji. Për këtë janë forcuar mekanizmat e kontrollit të vlefshmërisë së kontratave të sigurimit.
– Mbrojtja e personave të dëmtuar nga aksidentet. Në krahasim me ligjin në fuqi, ku enti, i cili përcakton shkallën e humbjes së aftësisë për punë parashikohet me akt të AMF-së dhe ky ent nuk është i njëjtë si për personat e punësuar dhe të papunë, në projektligj parashikohet një ent i specializuar (Instituti i Mjekësisë Ligjore), i cili do të përcaktojë koeficientin e humbjes së aftësisë për punë të personave të dëmtuar.
– Shmangja e konflikteve eventuale të prejardhura nga zbatimi i gabuar i ligjit. Është përmirësuar objekti i ligjit me synim për të përcaktuar në mënyrë të qartë të plotë të gjitha çështjet që do të trajtohen në dispozitat e tij.
– Zgjerimi i fushës së mbulimit të kontratës së sigurimit të përgjegjësisë për dëmet pasurore dhe jo-pasurore që mund t’u shkaktohen palëve të treta nga përdorimi i mjetit motorik. Në projektligj janë përfshirë edhe dëmet që mund t’u shkaktohen këmbësorëve, çiklistëve si dhe përdoruesve të mjeteve jo-motorike që lëvizin në rrugë, apo edhe dëmet që shkaktohen nga mjete në lëvizje në rrugë dhe sipërfaqe të tjera në të cilët ka trafik, mjete të cilat janë subjekt i regjistrimit sipas legjislacionit në fuqi.
– Parashikimi i përgjegjësisë civile të autoriteteve rrugore dhe e drejta e shoqërive të sigurimit për të kërkuar rimbursim për dëmet që shkaktohen si pasojë e infrastrukturës rrugore. Ky parashikim në asnjë rast nuk do të përjashtojë detyrimin e pagesës së dëmit nga shoqëria e sigurimit, por autoritetet rrugore do të bëjnë rimbursimin e shumës së dëmshpërblimit te shoqëria e sigurimit, për rastet ku ndodhja e aksidentit ka ardhur si rezultat i mosmirëmbajtjes apo mosndërtimit të segmenteve rrugore.
– Disiplinimi dhe rritja e përgjegjësisë së drejtuesve të mjeteve motorike për respektimin e rregullave të Kodit Rrugor. Projektligji ka shtuar rastet e humbjes së të drejtës për dëmshpërblim që rrjedh nga mbulimi në sigurim si p.sh., rastet kur drejtuesi nuk garanton ngarkesën që transporton duke u bërë shkak për aksident, drejtuesi ka marrë në automjet një numër më të madh personash se sa lejon leja e qarkullimit apo kur vendos të miturin në kundërshtim me dispozitat e Kodit Rrugor, për dëmet që ka pësuar i mituri. Këto parashikime nuk kanë efekte te pala e tretë e dëmtuar, por vetëm në marrëdhënien e siguruesit me të siguruarin.
– Qartësimi i limiteve të përgjegjësisë për çdo figurë të dëmit jopasuror. Limitet e përgjegjësisë janë qartësuar për çdo figurë dëmi më vete (biologjik, moral dhe ekzistencial).
– Rritje e afatit të ruajtjes së të dhënave të qendrës së informacionit. Në projektligj janë parashikuar dispozita shtesë në lidhje me mbarëvajtjen dhe mirëfunksionimin e Qendrës së Informacionit, ndër të cilat është parashikuar ruajtja e të dhënave për një periudhë minimalisht 7-vjeçare, nga data e përfundimit të regjistrimit të mjetit ose përfundimit të kontratës së sigurimit, si dhe e drejta për të marrë informacion nga pala e dëmtuar edhe 7 vjet pas ndodhjes së aksidentit.
– Përmirësimi i metodës së llogaritjes së Fondit të Kompensimit. Në projektligj parashikohet e drejta e Autoritetit të hartojë dhe të miratojë rregullore për mënyrën e llogaritjes së kontributeve në Fondin e Kompensimit, si dhe afatet e pagesës së këtyre kontributeve nga ana e shoqërive të sigurimit. Ky parashikim ka ardhur dhe si rezultat i akumulimit të vlerave të dëmeve objekt i fondit të kompensimit, për shkak të mosllogaritjes së saktë të detyrimeve periodike të fondit të kompensimit.
Çfarë pritet të sjellë për tregun dhe konsumatorin?
– Me implementimin e sistemit Bonus-Malus, nuk do të ketë një unifikim të primeve për të gjithë konsumatorët por do të ketë një tarifim referuar historikut të çdo konsumatori. Ky lloj tarifimi do të ndikojë edhe në kujdesin që drejtuesi i mjetit do të tregojë gjatë drejtimit të këtij mjeti.
– Ulja e afateve të trajtimit të kërkesës për dëmshpërblim do t’i japë mundësi konsumatorit të dëmshpërblehet në një afat më të shkurtër, si dhe për dëmet me vlera të konsiderueshme trajtimi do të realizohet brenda një afati shumë të shkurtër.
– Përcaktimi i shkallës së humbjes së aftësisë për punë për të dëmtuarit, do të bëhet nga një ent i vetëm si për personat e punësuar, ashtu dhe për të papunët, ndryshe siç bëhet aktualisht nga dy komisione.
– Vendosja e një pagese deri në masën 5% të vlerës së dëmshpërblimit për mbrojtësin ligjor do të ndikojë në ruajtjen e masës së dëmshpërblimit të përfituar nga konsumatori.
– Detyrimi për pasqyrimin në biletë dhe në një vend të dukshëm të mjetit të transportit publik, do të ndërgjegjësojë konsumatorin për mbulimin me sigurim që ai përfiton sipas kontratës së sigurimit të pasagjerëve.
– Forcimi i mekanizmave të kontrollit për vlefshmërinë e kontratave të sigurimit, do të ndikojë në uljen e numrit të mjeteve të pasiguruara, e cila ndikon drejtpërdrejt me uljen e vlerës së Fondit të Kompensimit, e cila është kosto shtesë mbi primin e sigurimit që paguan konsumatori.
Po për sa i përket dy projektligjeve të tjera, si ai për pensionet vullnetare dhe sipërmarrjet e investimeve kolektive, cila është ecuria e deritanishme. Çfarë pritet të sjellin?
Amendimet për projektligjin e sipërmarrjeve të investimeve kolektive (SIK) u propozuan duke pasur parasysh dinamikën e shpejtë të zhvillimit të tregut të fondeve të investimeve dhe nevojën për të përforcuar mbrojtjen e interesave të investitorit. Këto amendime lidhen me përmirësimin e administrimin të rreziqeve dhe të regjimit të trajtimit të shitjes dhe shlyerjes së kuotave të investitorëve për raste të situatave të tensionuara në treg, si dhe të saktësimit kompetencave të Autoritetit në këto procese.
Edhe me amendimin e ligjit nr. 10 197, datë 10.12.2009, “Për fondet e pensionit vullnetar” synohet të rritet përafrimi me direktivat e BE-së, në përputhje me detyrimet që rrjedhin për Republikën e Shqipërisë nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit dhe Parlamenti Europian, si dhe të zgjidhen disa problematika të hasura gjatë zbatimit të tij.
Risitë e projektligjit konsistojnë në:
-krijimin e kushteve të përshtatshme për implementimin e mbikëqyrjes me bazë rrezikun, objektivi i së cilës është që problemet financiare të parandalohen përpara se të ndodhin, në vend që të punohet për zgjidhjen e tyre pasi ato të kenë ndodhur;
-rritjen e transparencës dhe informimit të konsumatorit. Detyrimi për informim fillon para nënshkrimit të kontratës dhe vazhdon gjatë periudhës së vlefshmërisë të kontratës;
-parashikimin e së drejtës së një shoqërie të huaj të themelojë degë në Shqipëri në kuadër të lëvizjes së lirë të shërbimeve midis vendeve anëtare të BE-së;
-futjen e konceptit të “fondit me model të gatshëm”, që nënkupton fondin e pensionit të zgjedhur nga shoqëria administruese/ofruesi i autorizuar në fushën e pensioneve, me kushte të përcaktuara nga kjo e fundit, që u ofrohet anëtarëve në rastet kur këta nuk kanë zgjedhur vetë fondin(et) e pensionit ku do të kontribuojnë;
-parashikimin e detyrimit të shoqërisë administruese që të krijojë struktura dhe të parashikojë procedura për trajtimin e ankesave;
-rregullimin e përgjegjësisë së depozitarit dhe funksioneve të tij;
-rregullimin e planit profesional të pensionit dhe në veçanti rolin e punëdhënësit në këto skema, për të rritur kështu numrin e planeve profesionale, si një zgjidhje e përshtatshme për të siguruar përfitime shtesë në moshën e pensionit;
-parashikimin e skedulit të kontributeve me qëllim evidentimin dhe kontrollin e pagesave të kryera në fond për çdo punëmarrës.
Të tre projektligjet e përmendura kanë kaluar fazën e diskutimit me palët e interesit dhe janë në fazën përfundimtare të paraqitjes së komenteve përpara se të miratohet nga Këshilli i Ministrave për t’u paraqitur në Kuvend. Synojmë që ky proces të përmbyllet në gjysmën e parë të vitit 2016.
Cilat janë sfidat e tjera për vitin 2016?
Një autoritet rregullator e mbikëqyrës i tregjeve financiare përballet në vijimësi me sfida që lidhen me novacionet e produkteve financiare dhe teknologjisë financiare; me nevojën për përmirësimin e administrimit të rreziqeve në këto tregje; nevojën për të nxitur qëndrueshmërinë financiare në tregje, si dhe të procesit të mbrojtjes dhe edukimit të konsumatorëve. Përtej sfidave të përgjithshme, AMF përballet veçanërisht me tre sfida të rëndësishme.
Së pari, zbatimi i mbikëqyrjes me bazë rrezikun në të tre tregjet, të cilat i mbikëqyr dhe i rregullon. Kjo sfidë kërkon përmirësimin e metodologjive mbikëqyrëse dhe mbështetjen me struktura të qëndrueshme mbikëqyrëse. Në funksion të kësaj, AMF ka në zbatim tre projekte me Bankën Botërore, për të tre tregjet.
Së dyti, AMF përballet me sfidën e nxitjes së qëndrueshmërisë në tregjet financiare nëpërmjet përmirësimit të procesit të mbikëqyrjes së konsoliduar me Bankën e Shqipërisë. Synimi është që të mbikëqyren rreziqet në të gjithë universin e tregjeve financiare, pa lejuar zona të parregulluara apo që nuk janë në vëmendjen e autoriteteve rregullatore. Në funksion të kësaj, AMF po punon me BSH për ndërtimin e protokollit të mbikëqyrjes së konsoliduar, që është edhe rekomandim i FSAP-it.
Së treti, AMF synon të forcojë punën e vet në drejtim të mbrojtjes dhe edukimit konsumator, duke përpunuar strategji të veçanta pune për të forcuar mbrojtjen e interesave të konsumatorëve përballë keqveprimeve nga operatorët e tregjeve financiare, si dhe për vetëdijesimin e tyre për rreziqet që marrin përsipër kur përdorin produktet financiare.
Në këtë drejtim, AMF ka nevojë të forcojë edhe kuadrin mbikëqyrës e rregullator për sjelljen në treg të ndërmjetësve në tregjet financiare dhe të përmirësojë efektivitetin e strukturave përkatëse.