Forcimi i pazakontë i lekut, euro zbret në 137.5 lekë, shkak rënia e kërkesës nga bizneset
Monedha vendase, leku ka pësuar një forcim të pazakontë për periudhën në këmbim me euron dhe dollarin. Përgjatë gjithë javës së shkuar dhe këtë fillim javë leku ka rritur vlerën e këmbimit duke vijuar edhe sot.
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë një euro është këmbyer sot me 137.53 lekë me një rënie 0.21 lekë me një ditë më parë. Ky është niveli më i ulët i euros me lekun që nga 25 janari i këtij viti, kur euro u këmbye me 137.43 lekë.
Në të njëjtën trajektore ka shkuar edhe këmbimi i dollarit. Një USD u këmbye sot me 121.37 lekë me një rënie 0.19 lekë. Rënia ditore konsiderohet e lehtë, por është shndërruar në trend muajin e fundit.
Eksperti i një prej agjencive më të mëdha të këmbimit valutor në vend pohon se, bizneset kanë ulur ndjeshëm kërkesën për valutë. Ai tha se edhe nga komunikimi me bankat e tregtare në vend, arsye kryesore mbetet kërkesat e dobët nga bizneset për euro.
Rënia në tregun e brendshëm po vjen përkundrejt tregut ndërkombëtar, i cili reagoi sot me rritje të euros në këmbim me USD me 0.03 pikë.
Në analizën që Banka e Shqipërisë ka bërë për ecurinë e kursit të këmbimit në tremujorin e parë të 2016 ka vërejtur se në krahasim me një vit më parë, një euro u shkëmbye mesatarisht rreth 1.4% më lirë.
Banka konstaton se, ndonëse deficiti tregtar është zgjeruar gjatë periudhës janar-shkurt, oferta për euro në tregun vendas duket të ketë rezultuar më e lartë se kërkesa, duke favorizuar monedhën vendase. Kështu, pavarësisht prirjes sezonale të kompanive të huaja për riatdhesimin e fitimeve të tyre gjatë javës së fundit të muajit mars, kursi mesatar eur/lek nuk shfaqi prirje të theksuara nënçmuese, thotë autoriteti monetar.