Kryeartikull

Formula e përzgjedhjes vs sistemi që na duhet

Nga Elis Kuçi

Viti i Ri ka nisur vrullshëm, me tryeza, takime, diskutime, se si mund të gjendet një terapi intensive për të shëruar sëmundjen që ka mbërthyer prej fyti sistemin e drejtësisë. Deri këtu të gjithë janë dakord, kështu duhet të jetë. Pas motit të qetë, ku gjithçka duket e qartë, vijnë bubullimat dhe vetëtimat, që e turbullojnë qëllimin e rëndësinë që mbart ky hap i rëndësishëm. Ka raportime referuar “burimeve” se do të hiqet ky, apo vihet ai (a thua se për qytetarin kjo ka më rëndësi, se një sistem kur ai të flejë i qetë se do të marrë drejtësi për hallin që ka). Është kjo që na duhet? Jo. Çfarë na duhet, sistemi i konsoliduar! Kjo është rruga që na duhet, nuk është tezë/ide, por pikëpamje. Vijmë e thjeshtëzojmë mandej pse duhet sistemi dhe jo personi. Duke qenë se bota e internetit na ka afruar më afër se kurrë me vendet e zhvilluara, mjafton një kërkim i thjeshtë e do të shohim se edhe në vendet me standardet më të larta të drejtësisë ka çështje shumë të diskutueshme. Por ato janë sigurisht më pak, se këtu te ne. Po të kesh avokat nga një studio e famshme ligjore në vendet perëndimore, sigurisht që merr dënim më pak se një që është mbrojtur vetë. Ky rezultat nuk vjen nga korrupsioni, por nga mbrojtja e mirë, pra nga sistemi. Për fat të keq në vendin tonë nuk gjëmon njëri studion më të mirë, por studion që kushton më pak, apo studion që di “ca hile” dhe që di të gjejë dobësitë e sistemit (korrupsioni, vakumi ligjor, paaftësia etj.). Vijmë te plaga e madhe që qytetarët kanë si shqetësim, pandëshkueshmëria. Lind pyetja a zgjidhet kjo duke ndryshuar formula se si do të zgjidhen ata që do jenë drejtuesit e sistemit, JO. Pse? Sepse janë bërë për 25 vite eksperimente me formula të ndryshme se si të përzgjedhim gjykatës dhe prokurorë, dhe sërish jemi në vendnumëro. Të gjitha janë të vetëdijshëm se çdo filtër që do të vihet për përzgjedhjen e njerëzve të drejtësisë, po ata të sistemit të sëmurë të qarkullojnë. Po sistemi e zgjidh? Sigurisht. Po marr një rast për ilustrim.

Sistemi aktual

Nëse me këtë sistem problematik, identifikohet një dëm i shkaktuar shtetit për shkak të korrupsionit apo të paaftësisë, mund të dalësh i pafajshëm dhe askush në fund të ditës nuk mban përgjegjësi. Shkaktarët që sjellin këtë pandëshkueshmëri janë të ndryshëm, nga hetimi, mbledhja e provave, ndërtimi keq i akuzës, korrupsioni, e shumë të tjera si këto. Në këtë rast pafajësia e të akuzuarit, lë pas vetëm dëmin me shkaktarë të “panjohur”.

Sistemi që na duhet

Me sistemin që na duhet, identifikohet dëmi, vërtetohet dëmi, njëri duhet të mbajë përgjegjësi, edhe në rastet kur gjykata shpall të pafajshëm shkaktarin e akuzuar. Si? Merret vendimi dhe shihet pse është shpallur i pafajshëm, nëse provat janë prishur rrugës, shkarkim të menjëhershëm dhe ndjekje penale për përgjegjësin, nëse akuza ka dështuar në mbrojtjen para gjykatës, shkarkim që në rastin e parë edhe ndjekje penale. Nëse gjykata e ka zgjidhur gabim (vërtetuar kjo nga një gjykatë më e lartë) atëherë shkarkim për gjyqtarin. Pra e thënë shkoqur, për çdo dëm të ketë një zyrtar që paguhet me taksat e shqiptarëve që të mbajë përgjegjësi, edhe kur gjykata shpall pafajësi.

Me një gur vret disa zogj

Me sistemin e ri, i japim një përgjigje të fortë të korruptuarve, por edhe të paaftëve që vegjetojnë në sistem prej 25 vitesh. Me sistemin që na duhet, çdo individ që do të mbledhë provat, do të jetë i kujdesshëm dhe bindës për gjykatën, se mund t’i zërë vendin të akuzuarit. Prokurorët dhe gjyqtarët s’do ta kenë guximin që ta shohin nga xhepat qytetarin, pasi mund të ulen vetë në bankën e akuzës. Duke zgjedhur sistemin që na duhet, edhe qytetarët që blejnë drejtësinë edhe kur kanë të drejtë, do të shpëtojnë. Duke zgjedhur sistemin që na duhet, s’do ketë më një perceptim (i cili i ka plasur shpirtin qytetarëve), që iu shkaktua kaq dëm shtetit apo qytetarit, por në fund pas procesit të dalin të gjithë të pafajshëm.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button