Ekonomia

Formulari i legalizimit, Lame: Aplikoni për shtesat

45 mijë dosje të paplota. Qytetarët të paraqiten, do të bëhen matjet”

Verifikimet – Për 4 muaj, ALUIZNI ka azhornuar në terren 20 400 objekte dhe ka përgatitur dokumentacionin për 17 mijë prej tyre

Afati – Ky ligj zbatohet për objektet e ndërtuara pa leje deri më 15.01.2009. Pas kësaj date, vlen për objektet pa leje në tokën e poseduesit

Drejtori-i-Agjencisë-së-Legalizimit-Artan-Lame-Foto-Agim-Dobi-21

Rihapet aplikimi me formularë për legalizimin. Pas këtij hapi janë grupet e punës nga ALUIZNI, të cilat do të bëjnë verifikimet. Sipas drejtorit të përgjithshëm të ALUIZNI-t, Artan Lame, i cili hapi dje procesin bazuar në ligjin për legalizimet, i ndryshuar, janë 45 mijë dosje që duhet të bëhen nga e para. “Për 45 mijë dosje nuk mund të bëhet legalizimi, pasi ose nuk janë të plota ose në to gjendet vetëm fatura e pagesës që ka bërë qytetari dhe asnjë lloj dokumenti tjetër. Nuk është bërë asnjë lloj matjeje”, tha Lame dhe shpjegoi se, qytetarët që kanë një dosje të tillë do të paraqiten pranë zyrave të ALUIZNI-t dhe do t’u ribëhen matjet e shtëpive pa paguar asnjë gjë shtesë. “Këto dosje do të fillojnë nga fillimi. Mungesë totale e përgjegjshmërisë së qeverisë së shkuar, sidomos në 2013-n, ku u thuhej, paguani faturat, për letrat shohim e bëjmë. U bëjmë thirrje qytetarëve të vijnë dhe ta pranojnë këtë situatë. Do të bëhen matjet.” Sipas Lames, pas hyrjes në fuqi të ligjit, tashmë çdo qytetar që ka ndërtuar një godinë pa leje, qoftë banesë, shtesë apo objekt tregtar duhet të vetëdeklarojë pranë zyrave të ALUIZNI-t. “Hyri në fuqi ligji i ri i legalizimeve, por hyri në fuqi në mënyrë të heshtur, sepse Presidenti i Republikës nuk e dekretoi, pasi mbeti deri në fund me dyshimin të dekretonte ligjin apo t’i bindej urdhrit të zotit Berisha për të bojkotuar legalizimet. Fluks i paimagjinueshëm në sportele që kërkojnë të shqyrtojnë dosjet e tyre për legalizimet. Qeveria miratoi një shtesë të personelit”, tha Lame. Gjithashtu, drejtori ALUIZNI-t, për të shmangur dyndjet në sportele, u bëri thirrje qytetarëve që me përjashtim të ndonjë emergjence personale, ku u nevojitet përshpejtimi i procedurave për legalizimin, të presin në shtëpitë e tyre ekipet e punës. Ndërkaq, Lame i ka paralajmëruar qytetarët të mos mashtrohen nga sekserët. “Mos bini pre e lloj-lloj spekulantësh. Mos pranoni persona që kundrejt pagesës mund t’u përshpejtojnë procedurat. Kërkojuni personave që ju vinë në shtëpia, kartën e ALUIZNI-t.” Duke folur për rastet kur kanë bërë shtesa në banesat e tyre, të cilat nuk i kanë pasur kur kanë dorëzuar dokumentet për legalizim, Lame u bëri apel që të plotësojnë formularin, ku të deklarohen edhe këto shtesa. “Nuk kanë asnjë detyrim shtesë. Ai duhet të aplikojë me formularin në drejtorinë përkatëse për shtesën që ka bërë”, shpjegoi Lame. Javën që vjen, qeveria do të miratojë edhe formën e pagesës për secilën kategori objekti, si dhe përfitimet përkatëse nga ana e qytetarëve. Tashmë pritet miratimi i vendimit të qeverisë për çmimet e truallit dhe përllogaritjet e zbritjeve, nga të cilat përfitojnë për të përfunduar procesin e legalizimit.

Parcelat

Planifikim urban, pastaj legalizim

Grupet e ALUIZNI-t po punojnë në terren për evidentimin e dendësisë së shtrirjes së zonave informale. Deri tani janë propozuar nga qarqet 54 zona informale për legalizim. “Nuk ka vlerë legalizimi pa urbanizim. Është ngritur një sektor i planifikimit urban dhe urbanizimit. Ky sektor do të merret me skemën e urbanizimit të çdo zone. Nuk bëhen legalizime në asnjë zonë pa pasur një skemë urbanizimi”, përfundoi Lame.

Zamir Alushi

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button