Ekonomia

Forumi Ekonomik i Vjenës- Vendet e Ballkanit: BE të investojë projektet e ndërlidhjes

6 vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Kosova, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Bosnje-Hercegovina i bënë thirrje Bashkimit Europian të investojë projektet që do t’i shërbejnë lidhjes mes tyre fillimisht e më tej me BE-në.

Financimi i projekteve ndërlidhëse mes vendeve të rajonit, tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka të bëjë me financimin e një pjesë të Europës, duke qënë se ne jemi Europë dhe financimi i projekteve tona është pjesë e nevojës që ka Europa për të qënë projekt paqeje, sigurie e integriteti në të gjitha kuptimet e saj.

“Europa të financojë këtë proces për të bërë paqen, një paqe që vlen të jetohet, në të kundërt, situata tjetër mund të jetë jo vetëm e tmerrshme për rajonin, por edhe Europën. Do të jetë një nga ato dhimbje koke që së fundmi Europa ka treguar se nuk është në gjendje që t’a përballojë në mënyrë mjaft të qartë. Financimi i këtij projekti, por edhe i projekteve që do t’a transformojnë atë në një proces të ndërtimit të rajonit europian, do të thotë të financosh të ardhmen e vet Europës”, deklaroi kryeministri Rama.

Sipas Ramës, nëse 10 vite më parë Europa mund të mendonte për Ballkanin si një gropë e zeze, nevoja e vetme e së cilës ishte të kishte një lloj stabiliteti, sot e vijoi fjalën ai, Europa ka po ka aq nevojë për Ballkanin sa ky i fundit për Europën.

“Nëse do të hedhim sytë nga nga kërcënimet që janë aspak larg, do të shikojmë se Ballkani është një terren pjellor për cdo lloj devijimi në rast se paqja që kemi arritur tanimë nuk do të shihet nga qytetarët si një paqe që ia vlen të jetohet. Europa duhet të mbështesë projektin e përbashkët të paqes e sigurisë në mënyrë që të mos gjendemi në pozicione, siç ishte rasti i Ukrainës, ku u deshën shumë më shumë projekte e burime se sa do të ishin dashur më përpara”, tha Rama.

Edhe kryeministri serb, Aleksandër Vuçiç, apeloi për investime nga ana e Europës për ndërtimin e projekteve të përbashkëta rajonale. Është gjë e mirë, tha ai, të flasim me njëri-tjetrin, por ne duhet të shkojmë më tej, në jetësimin konkret të projekteve të përbashkëta pasi kjo është ajo që presin qytetarët tanë.

“Në takimin e ardhshëm në Vjenë, pas 2 muajsh, duhet të kemi diçka për të ofruar e për t’i treguar kancelares gjermane Merkel e të gjithëve ne. Së pari e mbi të gjitha qytetarëve tanë. Duhet t’u themi se po, kemi hartuar disa projekte të përbashkëta që janë në proces e që kanë të bëjnë me ndërtimin e rrugëve, hekurudhave dhe të gjithë e dimë që kemi përcaktuar projektet tona më të rëndësishme për të cilat ramë dakord edhe në takimin e Brukselit në praninë edhe të komisinerit Han”, deklaroi Vuçiç.

Ajo çfarë dua të them, e vijoi fjalën ai, është se përshpejtimi i integrimit në BE, për të gjithë ne është me rëndësi për rajonin e Ballkanit Perëndimor, sepse rajoni është i brishtë dhe se një sërë problemesh ekonomike e politike na ndjekin e nuk mund të jem i verbër përballë tyre.

“Për të qënë të ndershëm na duhen para nga Bashkimi Europian, na duhen para për të ndërtuar rrugët, hekurudhat tona e gjithçka tjetër, Do të ishte e shkëlqyer nëse nuk na jepni para, na thoni nëse mundeni. Në të kundërt, ju lutem na thoni, sepse do të gjejmë paratë tona e do të investojmë projektet tona. Jemi vonë sa i përket mbështetjes ekonomike që duhet të na japë Bashkimi Europian edhe pse ne i kemi bërë thirrje me zë të lartë BE-së që të analizojë e shikojë situatën në rajonin e Ballkanit Perëndimor e të na ndihmojë në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha Vuçiç.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button