Forumi i Biznesit Shqipëri-Maqedoni, Sipërmarrjet: Unifikoni tarifat doganore
Në Tiranë u zhvillua edicioni i tretë i ” Forumit të Biznesit dhe Investimeve Shqipëri- Maqedoni”. Ai u organizua nga Zyra Ndërkombëtare Invest Macedonia – Shqipëri & Kosovë, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore dhe Unioni i Odave Ekonomike të Maqedonisë, nën kujdesin e projektit EEN.
Delegacioni nga Maqedonia përbëhej nga anëtarë të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore
dhe Unionit të Odave Ekonomike të Maqedonisë, të cilat përfaqësonin fushat më me potencial, si : tregtia,infrastruktura, bujqësia, energjia, turizmi, ICT, manifaktura, agjenci imobiliare, etj
Gjatë fjalës së saj, ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes Milva Ekonomi tha se mes palëve janë shkëmbyer informacione të hollësishme mbi mundësitë e të bërit biznes dhe për investime direkte.
“Të dy vendet tona aspirojnë që të kenë një hapje më të madhe të kapitalit, aspirojnë të kenë një lëvizje më të lirë të shërbimeve, të kapitalit vetë dhe të shkëmbimit të eksperiencave sipërmarrëse. Këtë lloj bashkëpunimi vendet tona nuk e gjejnë vetëm në takimet e drejtpërdrejta që ndodhën këto dy ditë në Tiranë, por gjithashtu dhe në tavolina të tjera të rrumbullakëta apo në forume që kanë të bëjnë me bashkëpunimin në rajon. Bashkëpunim në rajon, besoj që na mësoi të gjithëve që ne kemi mundësi tëshkëmbejmë dhe të zhvillojmë akvitetet tona sipërmarrëse në vendet reciproke”, tha Ekonomi.
Ndërsa kryetarja e Unionit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë Ines Muçostepa tha se duhen krijuar mundësi reale për të rritur bashkëpunimin mes dy vende. “Bizneset kanë përfitime nga këto aktivitete. Shqipëria është partnere e denjë. Aspiratat tona janë që të shtojme aktivitetin në Maqedoni”- tha znj. Muçostepa.
Përfaqësuesit e Odave të Maqedonisë thanë se marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve janë nën potencial dhe se ata hasin vështirësi të shumta ne mjedisin e të bërit biznes, pasi tarifat doganore dhe taksat janë ndër më të lartat.
Kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë, Nikolin Jaka tha se Shqipëria dhe Maqedonia kanë ndarë mes tyre një miqësi të vjetër dhe kanë inkurajuar vazhdimisht bashkëpunimin institucional dhe atë midis bizneseve dhe fakti që sot gjen dhe mbështetjen Bashkimit Europian është një hap i madh dhe konkret. Përvoja e marrëdhënieve tregtare dhe e bashkëpunimit ekonomik midis Shqipërisë dhe Maqedonisë, është e gjatë dhe e qëndrueshme. Por edhe më e rëndësishme akoma është që këto shkëmbime dhe ky bashkëpunim”.
Ai iu kërkoi përfaqësuesve të qeverisë shqiptare që të marrin masa për të përmirësuar infrastrukturën, kryesisht atë portuale, për ta bërë më efikase, si për vendin ashtu dhe për rajonin. Nga ana tjetër, ai theksoi se palët duhet të ndajnë mes tyre detyrat konkrete.
” Qeveria shqiptare duhet të marrë përvojat më pozitive të Maqedonisë, si ato për zonat e lira ekonomike dhe ato teknologjike dhe industriale, por edhe për sistemin fiskal tarifor që është nga më të mirët në rajon”- theksoi Jaka.
“Misioni Ekonomik” do të vazhdojë në Durrës, ku do të pritet nga kryebashkiaku Z. Vangjush Dako,
drejtori i përgjithshëm i Autoritetit Portual Durrës Z. Gazmend Shalsi, presidenti i Dhomës së Tregtisë
dhe Industrisë Durrës Z. Andrea Xhavara si presidenti i BiznesAlbania Z. Luan Bregasi. Qëllimi i këtyre
takimeve është shtrirja e bashkëpunimit në nivel më të gjerë, si dhe krijimi i mundësive për bashkëpunim konkret mes bizneseve të dy vendeve.
Të dy vendet e rajonit, Maqedonia dhe Shqipëria janë duke bërë përpjekjet e tyre maksimale për të rritur bashkëpunimin veçanërisht në fusha që kanë më shumë potencial dhe ku duhet të përqendrohen përpjekjet për të nxitur zhvillimin ekonomik.