Politika

Freedom House: Konflikti politik largon vëmendjen nga reformat

Në një sistem vlerësimi ku 1 është niveli më i lartë i demokracisë dhe 7 me i ulti, raporti i fundit i Freedom House për vendet në tranzicion vazhdon ta cilësojë Shqipërine një “qeverisje tranzicioni” apo “regjim hibrid”.

Vlerësimi i pikëve është njësoj si vitin e kaluar, 4.14. Qëndrimi në vend i atribuohet përmirësimit të sistemit zgjedhor nga njëra anë, por rënies në kategorinë e medias së pavarur nga ana tjetër. Prirjet e vëna re në Shqipëri në fakt, siç shpjegon Drejtori i Projektit “Vendet në Tranzicion”, Nate Schenkkan, mund të dallohen edhe në vende të tjera dhe jo vetëm në Ballkan.

Bëhet fjalë për një rivalitet politik shumë të ashpër dhe intensiv mes palëve, thotë Schenkkan, i cili i kapërcen ndonjëherë kufijtë e një konkurrence normale, e ndodh jashtë rregullave të konkurrencës në demokraci, çka mund ta largojë vëmendjen nga reformat institucionale e nga përmirësimi i sistemit të drejtësisë, nga çrrënjosja e korrupsionit apo ekonomia informale.

Kur arrihet në një pikë të skajshme konflikti, politika saboton mundësitë “për të çuar përpara reformat për të cilat ka nevojë gjithë shoqëria”, arsyeton ai duke shtuar se stanjacioni në Shqipëri, mund të jetë më shumë pasoja, ndërsa korrupsionit ka depërtuar thellë.
“Korrupsioni në Shqipëri është pa diskutim treguesi më negativ në bazë të matjeve që bëjmë ne në 7 drejtime të ndryshme. Kjo vlen për porthuajse të gjitha vendet e rajonit dhe është fakt që lufta më e vështirë për vendet e rajonit, është ajo kundër korrupsionit”, thotë Nate Schenkkan, Drejtori i Projektit “Vendet në Tranzicion”.

Megjithëse kapitulli i raportit për Shqipërinë nuk është ende përfundimtar dhe për këtë arsye nuk është publikuar apo ndarë me median, zoti Schenkkan thotë se në 2015 pati miratim të një sërë reformash dhe ligjesh dhe angazhime për miratim reformash, si ajo për drejtësinë. Por ai thotë se për vitin 2016, 2017 e më tej, pyetja është nëse këto reforma do të zbatohen. Ai sqaron se Freedom House është e kujdesshme kur bën vlerësimin e saj, qoftë negativ apo pozitiv dhe nuk mbështetet thjesht tek miratimi i ligjeve.

Gjithsesi, ashtu si edhe vende të tjera të Ballkanit, Shqipëria është në të njëjtin nivel ku ishte në vitin 2004.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button