Opinion

Frikë , urrejtje dhe megalomani

Nga Ines Pohl

Çdo politikan që zgjidhet i zhgënjen zgjedhëset dhe zgjedhësit. Sepse, në fushatën elektorale zgjohen shpresa, të cilave nuk mund t’u përmbahesh. Këtë mund ta quash gënjeshtër të përllogaritur. Kësaj i shtohet mbivlerësimi i vetes. Shumë vetë nuk duhet ta kenë të qartë se sa pak mund të ndikojnë pasi të kenë ardhur në pushtet. Kjo vlen para së gjithash edhe për presidentët e SHBA-së. Barak Obama foli në fjalimin e madh të fundit drejtuar kombit me shumë ndershmëri se sa pak nga ëndrrat dhe shpresat e tij qe në gjendje të vinte në jetë, pasi erdhi në pushtet.

Ëndrra e dështuar e epokës Obama

I zhgënjyer nuk është vetëm ai. Të zhgënjyer janë ata shumë miliona vetë, të cilët i besuan atij dhe “Change dhe Hope” të tij. Ata, të cilët edhe nëse nuk votuan për të, megjithatë shpresonin se ky i ri i mbushur me energji, ky President lëkurëzi, ky njeri jo i establishmentit do të ishte në gjendje ta rishpikte vendin. Se ai do t’i shkatërronte strukturat e korruptuara të parasë së madhe dhe se do ta bënte Amerikën atë, për të cilën ky vend është kaq krenar: një demokraci të vërtetë, në të cilën po të punosh shumë mund të realizosh thuajse çdo ëndërr. Kjo ëndërr dështoi. Dhe shumë demokratë të zhgënjyer i kanë kthyer krahët politikës, me një përçmim parimor. Nga kjo përfitojnë persona që nuk janë pjesë e establishmentit. Veç kësaj, prej shumë republikanëve, barazimi i të drejtave midis homoseksualëve dhe ligji më human i migrimit shihen jo si arritje civilizuese, por si sulm ndaj kohëve të mira të vjetra. Refuzimi që ata i bëjnë përgjegjësit Obama jo rrallë është urrejtje e pafshehur raciste.

Të hënën filluan lojërat. Iowa është i pari ndër 50 shtetet, në të cilat qytetarët do të votojnë se me cilët kandidatë do të luftojnë të dyja partitë për Shtëpinë e Bardhë. Dhe gjithçka është e mundur.

Kandidatët në një vend të përçarë

Zgjedhjet e vitit 2016 zhvillohen në një vend shumë të përçarë dhe që e ka humbur sigurinë, në të cilin, midis ekstremeve ka shumë pak vend për argumente të qeta. Siguritë e vjetra të shumicës së bardhë i përkasin përfundimisht historisë. Pjesë të tëra të shumicës së bardhë kanë frikë, se tatëpjeta e tyre do të vazhdojë pa u frenuar, kur në të njëjtën kohë super të pasurit mbledhin gjithnjë e më shumë para. Dhjetë për qind e familjeve më të pasura zotërojnë ndërkohë më shumë se gjysmën e të gjitha të ardhurave.

Nën Obamën, hendeku midis të pasurve dhe të varfërve nuk u zvogëlua. Përkundrazi. Retorika e debateve karakterizohet nga një përzierje frike, urrejtje dhe ndjenje madhështie. Ajo zë vend në një botë, e cila bëhet gjithnjë e më e pallogaritshme, gjithnjë e më komplekse. Një botë, në të cilën SHBA-ja nuk luan më rol të qartë të përcaktuar. Kjo bren besimin në vetvete. Në këtë përzierje, rritet frika e rrezikshme për përgjigje të thjeshta dhe për udhëheqës të fortë, të cilët zhvendosin pa ndërprerje në radhë të parë interesat nacionaliste të vendit. Në këtë pikë duhet të hiqen paralelet me atë që zhvillohet sot në Europë.

Gjithçka është e mundur për Trump-in

Të gjitha këto janë terren ushqyes për multimilionerin Donald Trump. Po t’u besosh sondazheve aktuale, gjithçka është e mundur. Madje edhe hyrja e tij në Shtëpinë e Bardhë. Njerëzve u pëlqen dëshira e tij e pathyer për të fituar. Egocentrizmin atij ia interpretojnë si forcë. Mbështetësit e tij nuk pyesin si i ka fituar ai milionat. Për ta, kulla e larë në ar e tij, Trump-Tower në Nju Jork është shenjë e pavarësisë së tij. Ende establishmenti i republikanëve nuk ka gjetur një përgjigje për suksesin që vazhdon të biznesmenit, i cili di si askush tjetër që të tërheqë vëmendjen kryesore në media. Por që i shkel me këmbë po kaq fort zakonet e Partisë Republikane, sa nuk respekton rregulla të tjera të mirësjelljes, siç fyen gratë dhe shprehet me shprehje raciste kundër myslimanëve dhe indianëve.

Konfrontimi i parë me realitetin i Klintonit

Për kandidaten kryesore të demokratëve, Hillary Klinton, starti i Iowa-s është i rëndësishëm, sepse është përballja e saj e parë me realitetin. Por edhe nëse njerëz jashtë sistemit si Bernie Sanders, kundërpesha liberale e Trump-it do të arrijnë sukses në këtë zgjedhje të parë, ish-zonja e parë ka edhe zgjedhjet e dyta paraprake në New Hampshire më 9 shkurt, për të shmangur një fillim të dështuar. Edhe këtë e di Trump-i. Dhe ai do ta shijojë në përputhje me këtë vëmendjen publike.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button