Fullani, takime me Ramën dhe Canin për vjedhjen e Thesarit
Qeveria shqiptare, pavarësisht takimit me guvernatorin reagoi vetëm dy javë pas publikimit të skandalit të vjedhjes së Thesarit
Presidenti
Nishani nuk ka dhënë asnjë deklaratë në lidhje me skandalin e BSH-së, që tashmë ka tërhequr vëmendjen e mbarë opinionit publik
Fullani
Guvernatori Fullani nuk ka pranuar dorëheqjen, ndërkohë që është mbrojtur edhe nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë
Skandali në BSH
Para kallëzimit, guvernatori takoi edhe kreun e shtetit
Nga Bledi Gilaj
Para publikimit të skandalit të vjedhjes së Thesarit nga vetë Banka e Shqipërisë, guvernatori Ardian Fullani kishte njoftuar krerët e shtetit dhe kishte kërkuar mendim prej tyre sesi do të vepronin për këtë ngjarje të rëndë. Kreu i bankës së shtetit mësohet se për skandalin e zbuluar ka takuar Presidentin e Republikës, Bujar Nishani, Kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Financave, Shkëlqim Cani, i cili ka qenë edhe paraardhësi i Fullanit.
Takimet e Fullanit
Informacioni për takimet e guvernatorit mësohet nga burime të sigurta pranë qeverisë shqiptare, të cilat tregojnë se takimet janë zhvilluar në fillim të dyjavëshit të dytë të korrikut, ndërkohë që kallëzimi i Bankës së Shqipërisë pranë Prokurorisë së Tiranës është regjistruar më 21 korrik. Sipas të dhënave, sapo Banka e Shqipërisë ka zbuluar skandalin dhe ka përgatitur dokumentacionin përkatës për Ardian Bitrajn, guvernatori Fullani ka kërkuar një takim urgjent me Presidentin e Republikës, Bujar Nishani. Në këtë takim mësohet se i ka shpjeguar kreut të shtetit gjendjen në të cilën ndodhej Banka e Shqipërisë, por nuk janë bërë me dije detaje të mëtejshme të diskutimit. Deri më sot, Presidenti i Republikës nuk ka dhënë asnjë deklaratë në lidhje me skandalin e BSH-së, që tashmë ka tërhequr vëmendjen e mbarë opinionit publik dhe një nismë është ndërmarrë nga shoqëria civile për mbledhjen e firmave të qytetarëve, me qëllim për t’iu drejtuar Kuvendit të Shqipërisë për shkarkimin e guvernatorit.
Rama dhe Cani
Pas Presidentit të Republikës, në të njëjtën ditë, Ardian Fullani mësohet se ka pasur një takim me Kryeministrin e vendit dhe ministrin e Financave. Takimi kokë më kokë me Kryeministrin Rama mësohet se ka zgjatur rreth një orë, por edhe në këtë rast nuk ka pasur asnjë deklaratë publike. E vetmja deklaratë ka qenë ajo e bërë nga qeveria shqiptare dy javë pas publikimit në media të vjedhjes së Thesarit, ku Këshilli i Ministrave e konsideroi këtë akt të rëndë kriminal një sfidë të madhe për drejtësinë në radhë të parë, duke nisur nga Prokuroria që duhet të bëjë një hetim të gjithanshëm, të shpejtë dhe shterues për të ndëshkuar çdo person të përfshirë në krimin tronditës. “Ky akt është po ashtu një sfidë e madhe për autoritetin dhe sigurinë e Bankës së Shqipërisë, e cila brenda kuadrit të pavarësisë së vet duhet të garantojë përmes rishikimit të gjithanshëm të rregullave e mekanizmave të funksionimit të brendshëm, mospërsëritjen e asgjëje të ngjashme në të ardhmen”, deklaroi qeveria më 6 gusht.
Por, Fullani duket se nuk i ka mbyllur konsultimet vetëm me Presidentin e Republikës dhe Kryeministrin Rama, pasi menjëherë pas tyre është takuar edhe me ministrin e Financave, Shkëlqim Cani. Me ministrin Cani, kreu i BSH-së duket se ka diskutuar më gjatë edhe për shkak të pozicionit që anëtari i qeverisë ka pasur më parë, pasi ka mbajtur funksionin e guvernatorit të Bankës derisa është zëvendësuar nga Ardian Fullani. Ky i fundit, pas takimeve që ka pasur me krerët e shtetit duket se ka zgjedhur të heshtë, të paktën deri dje, kur ka dhënë një intervistë për motivin e mosdhënies së dorëheqjes përballë kërkesave të shumta, jo vetëm nga shoqëria civile, por edhe nga disa deputetë dhe aktorë të spektrit politik.
Një orë
Takimi i Aleksandër Arvizu me Fullanin ka zgjatur për një orë. Makina e ambasadorit hyri në selinë e Bankës, pa pasur përpara stemën si flamur të SHBA-së.
Takimi
Ambasadori troket në zyrën e guvernatorit: Parlamenti, në shtator seanca dëgjimore
Arvizu takon Fullanin: Dorëheqja është në dorë të vetë individit
NGA ARTEMISA HOXHA
Disa orë para fillimit të mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë në lidhje me vjedhjen e Thesarit të Shtetit, ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu, që në orët e para të ditës, u takua me guvernatorin, Ardian Fullani. Një zhvillim i papritur duket ky, ku përpara mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës, Fullani është “konsultuar” me ambasadorin Arvizu. Diplomati amerikan ka ngjitur i vetëm shkallët e ulëta të selisë, ku menjëherë është pritur nga vetë Fullani në derën kryesore.
Takimi mes tyre ka zgjatur për rreth një orë. Diplomati amerikan, pas ballafaqimit, në deklaratën e tij për mediat, duke e konsideruar një hetim për një çështje kriminale vjedhjen e bankës, ngriti si shqetësim arsyet që kanë çuar në këtë vjedhje që sipas tij kanë të bëjnë me mangësitë në menaxhimin dhe kontrollin e brendshëm të Bankës së Shqipërisë. “Folëm për situatën më të fundit. Vjedhja e bankës është një çështje shumë serioze. Është me rëndësi rivendosja e besimit për sa i përket anës së brendshme operacionale. Dua të nënvizoj se vjedhja u raportua nga banka. Tashmë kemi një hetim si çështje kriminale, që është duke u zhvilluar, siç edhe duhet të jetë, pasi jemi përballë një çështjeje serioze. Një çështje tjetër, që ka dalë në sipërfaqe, është menaxhimi dhe kontrolli i brendshëm. Ky incident i pakëndshëm na sjell në vëmendje se gjithmonë duhet të kemi një kontroll të brendshëm. Kjo bankë funksionon në bazë të modeleve perëndimore, duke bashkëpunuar me banka të tjera qendrore, por ky sistem duhet të përmirësohet dhe kjo është e rëndësishme për të ardhmen. Stabiliteti i bankës është shumë i rëndësishëm në rrafshin ndërkombëtar, si dhe ekonominë e vendit. Ne e kuptojmë zemërimin e njerëzve dhe ata kanë të drejtë të zemërohen. Kjo është një ndjesi e natyrshme, por e rëndësishme është të lejohet hetimi”, tha ambasadori. Në të njëjtën kohë banka, personeli dhe guvernatori, të lejohen të kryejnë detyrat e tyre në mënyrë profesionale dhe të pavarur”, u shpreh ambasadori Arvizu. Duke iu përgjigjur pyetjeve në lidhje me dorëheqjen apo jo të Fullanit nga posti i guvernatorit, kryediplomati amerikan tha se kjo nuk është në dorë të askujt, por bordit drejtues të bankës, duke mos anashkaluar këtu edhe rolin e institucionit ligjvënës në vend. “Nuk është në dorën time të vendos, është vendim i vetë individit. E rëndësishme është që banka të vijojë së funksionari në mënyrë profesionale dhe të pavarur. Kjo është në rëndësinë e vendit. Procedurat janë, ai është guvernator i Bankës, ka një bord dhe Parlamenti ka rolin e vet. Në të tilla kushte, nuk u takon Shteteve të Bashkuara të Amerikës të adresojnë këtë çështje. Mesazhi, që Shtetet e Bashkuara duan të dërgojnë, lidhet me rëndësinë që merr stabiliteti i vendit. E kuptojmë mërzitjen e njerëzve, por tashmë kemi një proces, një mekanizëm, që fillimisht po merret me hetimin kriminal, por edhe atë të brendshëm, për t’i forcuar procedurat. Kështu njerëzit do të kenë besim dhe banka të ecë përpara”, tha ambasadori Arvizu. Duke u ndalur në reagimet e shoqërisë civile në lidhje me këtë skandal, kryediplomati amerikan tha se Parlamenti duhet të qetësojë opinionin publik në vend me ndihmën që duhet të japë në zbardhjen e vjedhjes, duke ndërmarrë seanca dëgjimore në bazë të kompetencave që i jep ligji. “Unë pres që kur të vij në Parlament, në shtator, të kemi seanca dëgjimore dhe patjetër duhet të kemi të tilla, pasi qytetarët kanë të drejtë të informohen. Por, nga ana tjetër, banka duhet të funksionojë në mënyrë profesionale, të pavarur dhe në interes të vendit. Dhe kjo është me rëndësi për t’u kuptuar nga qytetarët”, shtoi më tej ambasadori amerikan. Aleksandër Arvizu ishte i pari diplomat, i cili vizitoi Bankën e Shqipërisë, 3 javë pas vjedhjes së 7,1 milionë dollarëve.