Fundi i kaosit, pas planeve të reja rregulluese
Planet vendore pritet të shërbejnë si udhërrëfyes, jo vetëm për zhvillimin e territorit, edhe për përdorimin e tokës në dekadën e ardhshme. Të gjitha investimet që pritet të marrin jetë në këto territore do të kenë garanci ligjore për qëndrueshmërinë e tyre. Në një intervistë të posaçme për “Monitor”, jepen detaje mbi këtë proces, garancitë dhe sesi pritet të ndryshojë tregu i ndërtimit
16 qytete në Shqipëri tashmë kanë një plan urbanistik të miratuar. Kjo i hap rrugën zhvillimit të tyre dhe shërben si një “frymëmarrje” për sektorin e ndërtimit, i cili vuan prej kohësh nga stanjacioni dhe orientimi kaotik.
Pesë planeve vendore (Berat, Fier, Elbasan, Kuçovë dhe Lushnjë) të financuara nga donatorët e huaj, e për të cilat së shpejti do të dalë edhe udhëzimi për zbatimin, iu shtuan edhe 11 plane të tjera që u miratuan nga Këshilli Kombëtar i Territorit. Do të jetë buxheti i shtetit që do t’i financojë, sikundër edhe 15 planet e tjera.
Bashkitë përfituese janë: Korça, Kruja, Kurbini, Kukësi, Divjaka, Gjirokastra, Skrapari, Ura Vajgurore, Poliçani, Librazhdi dhe Cërriku. Ministria e Zhvillimit Urban e ka nisur punën për hartimin e këtyre planeve në janar të vitit 2016, pas mbylljes së procedurës së prokurimit ndërkombëtar ku pati aplikime si nga studio vendase, edhe të huaja. Studiot që u përzgjodhën si fituese u ndanë në 10 lote (ku studio fituese e çdo loti punoi me 2 apo 3 bashki njëkohësisht), duke i ndihmuar gjatë procesit stafet teknike të bashkive. 15 planet e tjera vendore do të miratohen në mbledhjen e radhës të KKT-së. Për Ministrinë e Zhvillimit Urban brenda këtij viti, numri total i bashkive që do të kenë të hartuar dhe miratuar planet e përgjithshme vendore do të jetë 43 nga 61 bashki (për vitin 2017 me buxhetin e shtetit do të mbështeten 7 bashki Përmet, Këlcyrë, Kolonjë, Gramsh, Belsh, Pukë dhe Mirditë.
Disiplinim territorit, nuk ka më ndërtime pa kriter
Flet Nertil Jole, Drejtor i Politikave te Planifikimit, MZHU
Institucioni juaj ka qenë i angazhuar në procesin e përgatitjes dhe finalizimit të planeve vendore. Pas mbledhjes së fundit të KKT-së, numri i atyre të miratuara shkoi në 16. Si do të vijohet me planet e tjera? Cilat janë etapat që duhet të kalojnë këto plane për të shkuar drejt zbatimit?
Qeveria shqiptare ka mbështetur financiarisht dhe me ekspertizë teknike 26 bashki të reja, të cilat hartuan Planet e Përgjithshme Vendore (PPV) gjatë vitit 2016. Planet janë dokumentet që do të udhëheqin zhvillimin e territorit, investimet publike dhe private, mbrojtjen dhe ruajtjen e natyrës, si dhe të trashëgimisë historike e kulturore të këtyre bashkive. Planet u hartuan në bashkëpunim, për shkak të kompleksitetit të tyre, por edhe për arsye se vetë bashkitë e reja e kishin thuajse të pamundur ta kryenin këtë detyrë komplekse me stafet e tyre, të cilët kanë mjaft sfida të përditshme që duhet të përballojnë në terren.
Ato janë instrumente që u përkasin bashkive dhe ato duhet të miratohen fillimisht nga vetë bashkia e këshilli bashkiak i saj dhe më pas nga Këshilli Kombëtar i Territorit, i cili vlerëson ndër të tjera edhe se si janë harmonizuar interesat dhe projektet kombëtare në çdo plan vendor.
Përveç 26 PPV-ve që u mbështetën nga Qeveria Shqiptare, janë edhe 10 të tjerë, të mbështetur nga dy organizma ndërkombëtarë, USAID-i nëpërmjet Programit për Planifikimin dhe Qeverisjen Vendore (PLGP) dhe Ambasada Zvicerane, nëpërmjet Programit për Decentralizim dhe Zhvillim Lokal (DLDP). Secili program ka marrë përsipër ndihmën financiare dhe teknike për hartimin e 5 planeve vendore. Programi i USAID-it e ka filluar më herët procesin e asistencës dhe tashmë është finalizuar hartimi i planeve vendore për bashkitë Elbasan, Fier, Berat, Lushnjë dhe Kuçovë. Ndërsa programi i Qeverisë Zvicerane pritet të finalizojë në vitin 2017 asistencën për hartimin e planeve vendore për bashkitë Malësi e Madhe, Vau i Dejës, Tropojë, Mat dhe Klos.
Në fund të vitit 2016, Ministria e Zhvillimit Urban dërgoi për miratim në KKT, 5 planet vendore të asistuara nga USAID-i. Përfitoj nga rasti të përgëzoj edhe një herë stafin dhe kryetarët e këtyre bashkive, që shpejtuan dhe përfunduan të gjitha hapat e kërkuara nga ligji për miratimin e planeve vendore.
Gjatë janarit të këtij viti, u miratuan nga këshillat bashkiakë përkatës edhe 11 plane të tjera, të cilat Ministria e Zhvillimit Urban i dërgoi për miratim në KKT në muajin shkurt.
Tashmë kemi 16 plane vendore që do të nisin rrugëtimin për zbatim, që do të thotë se këto PPV janë gati të drejtojnë zhvillimet në territor, njëkohësisht të ndihmojnë bashkinë edhe për mbrojtjen dhe ruajtjen e vlerave të territorit.
Planet zbatohen nëpërmjet lejeve të ndërtimit për investime publike dhe private, për investime në infrastrukturë, për mbrojtjen e tokës bujqësore dhe asaj me vlera natyrore e kulturore. Planet e përgjithshme vendore zbatohen nëpërmjet hartimit të planeve më të detajuara që përmbajnë të dhëna të hollësishme për zhvillimin e territoreve të reja dhe komplekse. Planet zbatohen edhe nëpërmjet hartimit të planeve sektoriale si p.sh., plan për transportin, për furnizimin me ujë, për rrjetin e kanalizimeve apo të fibrave optike etj.
Dëshiroj të theksoj idenë se PPV-të përbëjnë dokumentin bazë të zhvillimeve në territor. Bashkitë duhet të punojnë në vazhdimësi për konkretizimin e tyre, nëpërmjet planeve më të detajuara dhe lejeve të ndërtimit.
Deri në fund të këtij muaji, bashki të tjera do të miratojnë në këshillat e tyre planet vendore. Parashikohet që në mbledhjen e radhës së KKT-së, të miratojmë planet vendore të bashkive Tiranë, Shkodër, Kavajë, Rrogozhinë, Lezhë, Dibër, Durrës, Vorë, Shijak, Përrenjas e Pogradec.
Në këtë bilanc pozitiv, vlen të përmendet edhe fakti se ka filluar procesi për mbështetje financiare dhe teknike për 7 bashki të tjera, të cilat gjatë vitit 2017 do të hartojnë Planet e Përgjithshme Vendore, sipas së njëjtës skemë. Këto bashki janë Puka, Mirdita, Belshi, Gramshi, Këlcyra, Përmeti dhe Kolonja.
A keni ju një vlerësim për ndikimet ekonomike dhe sociale që do të sjellin këto plane në zonat përkatëse?
Planet e Përgjithshme Vendore kanë si qëllim kryesor vendosjen e rregullave për zhvillimin e territorit dhe përdorimin e burimeve natyrore. Ato synojnë rritjen e zhvillimit ekonomik dhe të mirëqenies sociale për banorët e bashkisë.
Jeta jonë shtrihet në territor; toka është resursi që na ushqen; mbi të ngrihen aktivitetet ekonomike dhe shoqërore; mbi të lëvizim dhe argëtohemi; në të edukohemi dhe krijojmë mirëqenie. Çdo territor ka specifikat e veta dhe jeta e ndërtuar mbi të u përgjigjet këtyre specifikave. Planet e Përgjithshme Vendore ofrojnë mundësi për aktivitete ekonomike të shtuara, për shërbime shoqërore të shtuara dhe të përmirësuara, për infrastrukturë publike të përshtatshme për zhvillimin e një jetese të denjë, si dhe për përdorimin e burimeve natyrore gjithnjë në shërbim të zhvillimit ekonomik dhe mbarëvajtjes së jetës në territor.
Secili nga Planet e Përgjithshme Vendore ka një faturë financiare për zbatimin e tij, sipas fazave të zhvillimit dhe për periudhën 15-vjeçare për të cilën është hartuar.
Parashikimet e Planeve të Përgjithshme Vendore janë të lidhura dhe të bashkërenduara edhe me programin buxhetor afatmesëm, i cili është një ndër instrumentet e financimit të shumë prej projekteve publike që parashikohen në Planet e Përgjithshme Vendore.
Sektori i ndërtimit është ai që po pret më shumë miratimin e këtyre planeve, duke i parë si mundësi për gjallërimin e tregut, përfshirë edhe atë të lëndëve të para. Si pritet të ndikojnë këto plane në sektorin e ndërtimit, në tregun e pasurive të paluajtshme, por edhe në tërheqjen e investimeve vendase dhe të huaja?
Me miratimin në këshillat bashkiakë dhe në Këshillin Kombëtar të Territorit, këto plane shndërrohen në instrumente ligjore me fuqi të plotë. Sektori i ndërtimit është drejtpërdrejt i lidhur me zbatimin e këtyre instrumenteve. Nëse deri dje janë dhënë leje në mungesë të planeve vendore, tani kemi një realitet tjetër. Sot, askush nuk mund të marrë një leje ndërtimi jashtë rregullave dhe kritereve që parashikohen në këto dokumente ligjore. Këto plane kanë harmonizuar dhe mishërojnë interesat zhvillimore të qytetarëve dhe grupeve të biznesit, pasi gjatë kohës së hartimit janë konsultuar me të gjithë aktorët. Ato do të shërbejnë si platforma bazë udhërrëfyese për zhvillimin e territorit dhe përdorimin e tokës në 10-15 vitet e ardhshme. Dëshiroj të theksoj, se këto instrumente kanë gjithashtu edhe një koeficient fleksibiliteti, që e përcakton ligji për Planifikimin dhe Zhvillimin e Territorit. Pra, në varësi të dinamikave të tregut në të ardhmen, ato mund të rishikohen, por gjithmonë me shumë rigorozitet dhe në përputhje me kërkesat ligjore. Kjo në mënyrë që të reflektohen ato interesa të reja zhvillimore të paparashikuara sot për sot, dhe që vetë tregu do t’i orientojë në të ardhmen. Por, në çdo rast ajo që sigurojnë këto plane, është garancia se burimet natyrore apo toka e bukës, nuk do të dëmtohen më për interesa të individëve të veçantë. Nëse Shqipëria do t’i kishte këto plane dy dekada më parë, sot do të kishim një realitet shumë ndryshe. Pra, Planet e Përgjithshme Vendore vendosin në balancë interesat zhvillimore për sot dhe 10 – 15 vitet në vijim, pa vënë në rrezik shfrytëzimin e potencialeve që kanë territoret e bashkive për brezat e ardhshëm. Ekzistenca e Planeve të Përgjithshme Vendore ndikon drejtpërsëdrejti edhe në krijimin e një klime më të favorshme për investime të qëndrueshme vendase dhe të huaja. Të gjitha investimet që do të jetësohen në këto territore, tashmë kanë garanci ligjore. Besojmë gjithashtu se një nga rezultatet pozitive që këto plane do të sjellin me kohën teksa ato zbatohen, është ndikimi në tregun e pasurive të paluajtshme, pasi qytetet tashmë kanë të përcaktuar një vizion se ku ato do të densifikohen apo shtrihen për t’u zhvilluar.
Në opinionin tuaj, cilat mund të jenë disa nga vështirësitë apo sfidat që mund të hasen në zbatimin e këtyre planeve, nisur nga fakti se aktualisht pushteti vendor, në jo pak raste, nuk ka kapacitetet e mjaftueshme?
E kemi vënë në dukje shpesh se sfida më e vështirë nuk është hartimi i Planeve të Përgjithshme Vendore, por mënyra sesi do të monitorohet dhe garantohet zbatimi i tyre. Kjo natyrisht nuk është detyrë vetëm e institucioneve, është e të gjithëve, sidomos e qytetarëve që të besojnë dhe veprojnë në këtë klimë të re. Natyrisht janë autoritetet ligjzbatuese, të cilat kanë barrën dhe detyrimin për të qenë të vendosura dhe korrekte në aplikimin e kërkesave për të gjithë procesin. Jemi duke punuar për të hartuar një metodologji për monitorimin e zbatimit të planeve. Për këtë qëllim kemi siguruar edhe një mbështetje nga ekspertë austriakë nëpërmjet programit të trajnimeve “TAIEX” të Bashkimit Europian.
Ndërsa lidhur me kapacitetet profesionale, që ju me të drejtë pyesni, ju siguroj se edhe kjo ka qenë në vëmendjen tonë. Është detyrë e Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe e Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit që t’iu vijë në ndihmë në vijim stafeve të bashkive, lidhur me administrimin e këtij procesi. Prandaj, kur u iniciua nisma për të mbështetur bashkitë teknikisht dhe financiarisht, një nga synimet tona ishte që stafet teknike të bashkive të përfitojnë njohuri dhe përvojë nga ekspertët e kualifikuar vendas dhe të huaj. Gjithashtu, Ministria e Zhvillimit Urban ka mundësuar që nëpërmjet ndihmës së misioneve të huaja, si programet që përmenda më parë i USAID-it dhe ai i Qeverisë Zvicerane, të kryhen trajnime dhe veprimtari të vazhdueshme për të ndihmuar ekspertët e qeverisjes vendore të forcojnë njohuritë e tyre në proceset planifikuese dhe në ato të zbatimit të legjislacionit përkatës.
A ka një afat se kur përfundon zbatimi i këtyre planeve dhe si do të monitorohen ato?
Planet e Përgjithshme Vendore, sipas legjislacionit të planifikimit, hartohen për një periudhë 15-vjeçare dhe rishikohen çdo 5 vjet, për shkak të ndryshimeve që mund të ndodhin në territor. Monitorimi i tyre do të bëhet nëpërmjet një platforme kombëtare, të cilën po e harton Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit edhe me ekspertizë ndërkombëtare. Platforma do të jetë e përbashkët dhe do të bazohet në indikatorë dhe projekte konkrete. Çdo vit do të përgatiten raporte të zhvillimeve në territor dhe të zbatimit të Planeve të Përgjithshme Vendore, për të cilat do të informohen aktorë në nivel vendor dhe qendror, përfshirë këtu edhe Këshillin e Ministrave, përgjegjës për alokimin e fondeve të nevojshme për hartimin e projekteve në zbatim të planeve (sipas rastit).
Qasja e re e reformës së planifikimit është për të pasur dokumente planifikimi, të cilat janë një punë në progres të vazhdueshëm dhe që i përgjigjen realitetit vendas. Jemi larguar nga ideja se planet janë dokumente të ngurta, të cilat ndryshojnë një herë në 15 vjet, pasi përvoja e deritanishme ka treguar se një qasje e tillë i kthen dokumentet e planifikimit në letra që dekorojnë zyrat dhe jo në udhërrëfyes institucionalë bazë për drejtimin e zhvillimit.
Pas miratimit, zbatimi i planit dhe monitorimi i tij në çdo bashki janë sfida e radhës! Për këtë qëllim do të përgatisim platformën, që do ta bëjmë publike, e cila do të përfshijë në procesin e monitorimit edhe grupet e interesit dhe shoqërinë civile.